Kryerja e mëkateve shkakton dëme në tokë.

0
344

Kryerja e mëkateve shkakton dëme në tokë, në ujë dhe në ajër. Allahu ka thënë:

“Në tokë dhe në dete, u shfaqën të zezat, për shkak të asaj që punuan njerëzit me duart e tyre, (me qëllimin) për ta përjetuar një pjesë të asaj të keqeje që bënë, mbase kështu mund të kthehen.” Er-Rum 41.

Muxhahidi ka thënë: “Nëse i padrejti merr pushtetin, ai do të shpejtojë të praktikojë padrejtësinë e tij, e kështu Allahu do ta ndalojë shiun për t’u zhdukur të mbjellat dhe pasardhësit, sepse më të vërtetë, Allahu nuk e do të keqen.”
Më pas, lexoi: “U shfaqën të zezat në tokë dhe në det, për shkak të asaj që punuan njerëzit me duart e tyre, e për ta përjetuar një pjesë të asaj të keqeje që bënë, mbase kështu mund të kthehen.” Pasi e lexoi këtë ajet, tha: “Pasha Allahun, ai det nuk është deti juaj por çdo vend ku rrjedh ujë.”
Akremja ka thënë: “U shfaqën të zezat në tokë dhe në det, por unë nuk ju them për këtë detin tuaj, por për çdo vendbanim që është mbi ujë.”
Kudate ka thënë: “Banorët e shkretëtirës janë toka, ndërsa banorët e fshatit janë deti.”
Thote (Ibn Kajjim) se Allahu e ka quajtur ujin e ëmbël det, duke thënë: “E nëse janë të njëjtë dy dete, njëri është i ëmbël e shuan etjen dhe tjetri është i kripur.” El-Fatir 12

Në këtë botë nuk ka det të ëmbël që nuk lëviz, por ata janë në formën e lumenjve që rrjedhin, kurse i kripuri është i qëndrueshëm, kështu që fshatrat që kanë ujëra të rrjedhshëm, i ka thirrur me emrin e tyre.”

Ibn Zejdi ka thënë: “U shfaqën të zezat në tokë dhe në det” Er-Rum 41 janë mëkatet. Këtu ka dashur të thotë se mëkatet janë shkak i të zezave të shfaqura, e nëse ai ka për qëllim të thotë se mëkatet janë vetë të zezat, atëherë fjala “për ta” shërben për të komentuar dhe treguar shkakun.”
Sipas mendimit të parë, me “të zezat” kuptohen të metat, të këqijat dhe dhimbjet që çon Allahu në tokë, kur robërit e Tij bëjnë mëkate. Kur ndodh një gjë e tillë, Allahu u zbret dënimin, ashtu siç thonë edhe disa dijetarë: “Sa herë të bëni një mëkat të ri, Allahu iu zbret me pushtetin e një dënimi të ri”.

Në dukje (Allahu e di më së miri), me “të zezat” kuptohen mëkatet dhe pasojat që vijnë prej tyre. Këtë e mbështet thënia e Allahut : “Për ta përjetuar një pjesë të asaj të keqeje që bënë.” Er-Rum 41

Në realitet, kështu është gjendja jonë, duke na bërë të shijojmë diçka prej punëve tona, e nëse do të na bënte të shijonim të gjithë punët tona, atëherë nuk do të mbetej asnjë kafshë mbi sipërfaqen e tokës.Nuk ka dyshim se dënimet që ka zbritur Allahu në tokë, kanë lënë gjurmët e tyre që vazhdojnë të jenë të pranishme, duke kërkuar të përzihen me mëkatet, si pasoja të krimeve me të cilat janë dënuar popujt.
Pasojat që ekzistojnë në tokë janë prej dënimeve, ashtu si edhe mëkatet janë pasojë e krimeve. Në këtë mënyrë, urtësia e Allahut është përputhur plotësisht me ligjet e Tij universale. Kështu, dënimi i madh vjen si pasojë e krimit të madh dhe dënimi i lehtë, si pasojë e krimit të lehtë. Në këtë formë, Allahu gjykon midis krijesave të Tij në jetën e varrit dhe në ditën e gjykimit.
Shikoje me kujdes shoqërimin e Shejtanit, pozitën dhe vendbanimin e tij! Kur e shoqëron njeriun dhe e sundon atë, këtij të fundit i largohet begatia nga puna, fjala dhe rrisku i tij. Për aq kohë sa bindja e njeriut ndaj Shejtanit ka efektin e saj, në çdo vend ku shfaqet kjo bindje, fshihet begatia. Gjithashtu, edhe kur u caktua që vendbanimi i Shejtanit të ishte Xhehenemi, në të nuk mbeti asnjë grimcë mëshire apo begatie.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “SEMUNDJA DHE ILACI”
AUTOR IBN KAJIM EL XHEUZIJE.

Subscribe