A bën të numërohen tespitë/dhikri me dorë dhe cila është mënyra e numërimit?
Tespitë apo dhikri ndahen në dy lloje: tespitë e përgjithshëm që nuk kanë ndonjë numër specifik dhe tespitë që kanë një numër specifik, për plotësimin e të cilit është premtuar një shpërblim specifik, si: tespitë pas namazit, në mëngjes dhe në mbrëmje…etj.
Sa i takon tespive që nuk kanë një numër specifik, disa nga të parët, si: Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe Ebu Hanifeja bashkë me nxënësit e tij (Allahu i pastë mëshiruar!) nuk e pëlqenin që ato të numërohen. Imam Tahaviu r.a. ka transmetuar në Sherh Mushkil el Athar (nr.4097) dhe Ibën Ebi Shejbe në Musanefin e tij (nr.7878) me zinxhirë të saktë se Ukbe ibë Suhbani e pyeti Abdullah ibën Umerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për dikë që bën tespi dhe i numëron ato? Ai tha: I Pastër qoftë Allahu! A po i kërkoni Allahut llogari!?
Imam Tahaviu r.a. ka thënë se ky ishte dhe mendimi i Ebu Hanifes r.a. dhe i nxënësve të tij. Ndërkohë që nga disa të tjerë prej të parëve përcillet se nuk e shihnin si problem të numërohen tespitë që nuk kanë një numër specifik kur njeriu ka një qëllim të mirë dhe të pranueshëm, si p.sh. kur ka vendosur një program të përditshëm vullnetar për të bërë tespi dhe ka dëshirë që t’i përmbahet këtij programi.
Ndërsa sa i takon tespive që kanë një numër specifik, për të cilin është premtuar shpërblim, imam Tahaviu r.a. në “Sherhu Mushkil el-Athar” ka thënë se ky lloj i tespive, kur nuk mbahen dot mend, duhen numëruar në mënyrë që besimtari të meritojë shpërblimin që i premtohet për atë numër specifik të tespive.
Është e vërtetuar se Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë pas namazit. Gjithashtu është e vërtetuar se ai i numëronte ato me dorën e tij.
Abdullah ibën Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “E kam parë të Dërguarin e Allahut duke i numëruar ato me dorën e tij” (E kanë transmetuar Ahmedi 6871 Ebu Davudi 5065 Tirmidhiu 3709 Nesaiu 1348 Ibën Hibani 2018)
Sa i takon detajeve mbi mënyrën e numërimit, ato nuk janë të vërtetuara në mënyrë bindëse.
Transmetohet nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) se u tha grave:
“Numërojini tespitë me mollëzat e gishtave sepse ato do të pyeten dhe do t’u kërkohet të flasin!” (E kanë transmetuar Ahmedi nr. 27089 Ebu Daudi nr.1501 Tirmidhiut nr.3900)
Transmetuesja kryesore e këtij hadithi është Humejda bintu Jasir, e cila është vlerësuar vetëm nga Ibën Hibani dhe prej saj ka transmetuar vetëm djali i saj Hani, i cili është vlerësuar gjithashtu vetëm nga Ibën Hibani. Ekspertët e fushës së hadithit nuk e quajnë të mjaftueshëm vlerësimin e Ibën Hibanit kur vlerësimi i tij nuk mbështetet nga vlerësimi i një imami tjetër të hadithit. Kështu që nuk mund të themi me bindje që Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë me mollëzat e gishtave apo që ai ka urdhëruar të numërohen me mollëzat e gishtave.
Ekziston një version i hadithit të Abdullah ibën Amrit, të cilin e përmendëm më lart ku thuhet se Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë me dorën e djathtë. Ky version sipas disa ekspertëve të hadithit është një detaj i pranueshëm ngaqë transmetuesi i tij Muhamed ibën Kudame ishte i besueshëm. Ndërsa disa ekspertë të tjerë nuk e pranojnë këtë shtesë ngaqë ajo bie ndesh me versionin e transmetuesve të tjerë, të cilët kanë qenë më të përpiktë në citimin e tekstit të hadithit dhe më të shumtë në numër se Muhamed ibën Kudame, i cili në këtë rast është i vetëm.
Nga ana tjetër nuk ekziston ndonjë transmetim që të specifikojë se Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë me të dyja duart! Ajo që ceket në transmetimet e sakta të hadithit është se Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë me “dorën e tij”. Në gjuhën arabe përmendja e diçkaje bëhet ose për të specifikuar llojin e saj dhe në këtë rast mund të përfshijë edhe shumësin ndonëse është përdorur në numrin njëjës. Ose për të specifikuar numrin e saj, kur ajo përbëhet nga dy apo më shumë pjesë. Zakonisht kur arabët duan të specifikojnë llojin e diçkaje ata e përmendin atë pa përemrin pronor, si: bil jedi(باليد) “me dorë” d.m.th. jo me këmbë apo me diçka tjetër. Në këtë rast emri i përdorur e përmban edhe njëjësin edhe shumësin. Ndërsa kur duan të specifikojnë numrin e diçkaje, ata përdorin përemrin pronor, si: bijedihi(بيده) “me dorën e tij” d.m.th. me njërën prej duarve të tij. Në hadithin që flet për numërimin e tespive me dorë është cekur forma e dytë: “bijedihi”, “me dorën e tij” që do të thotë se Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë me njërën dorë. Edhe pse nuk cilësohet se cila dorë ishte ajo që Profeti (paqja qoftë mbi të!) e përdorte për numërimin e tespive por vetëkuptohet që ajo ishte e djathta sepse Ai e përdorte gjithmonë të djathtën për punët e mira.
Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:
“Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) preferonte të përdorte të djathtën kur mbathte sandalet, kur krihej, kur pastrohej dhe në të gjitha gjërat e tij” (Buhariu 166 dhe Muslimi 268)
Ndonëse është më mirë të përdoret vetëm dora e djathtë për numërimin e tepsive, por nëse besimtari ka vështirësi në numërimin e tyre dhe i duhet të përdorë dhe të majtën, atëherë sipas shumicës së dijetarëve, nuk ka asgjë të keqe që të përdoren të dyja duart.
Komisioni i i përhershëm i studimeve dhe i fetvave në Saudi është pyetur:
Në lidhje me tespitë pas namazit, disa njerëz thonë se përdoret vetëm e djathta. Sa e saktë është kjo që ata thonë?
Përgjigjja: Më e mira është që tespitë pas namazeve të numërohen me gishtat e dorës së djathtë. Por nëse numërohen me gishtat e të dyja duarve, atëherë ska ndonjë gjë të keqe. Mirëpo më e mira është të numërohen me gishtat e dorës së djathtë sepse Profeti (paqja qoftë mbi të!) preferonte të djathtën.
Nr. i fetvasë: 18960
Përmbledhja:
-Dhikri i përgjithshëm që nuk ka një numër specifik është më mirë të mos numërohet, me përjashtim kur besimtari ka një program vullnetar të përditshëm të cilit i përmbahet.
-Dhikri që ka një numër specifik për plotësimin e të cilit premtohet shpërblim është sunet që të numërohet nëse nuk mbahet mend veçse nëpërmjet numërimit.
-Sipas versionit të saktë të hadithit që përcillet nga Profeti (paqja qoftë mbi të!) mbi numërimin e tespive kuptohet që ai i numëronte tespitë me një dorë.
-Dora të cilën Profeti (paqja qoftë mbi të!) e përdorte për numërimin e tespive ishte dora e djathtë sepse atij i pëlqente ta përdorte dorën e djathtë për punët e mira.
-Nuk ka ndonjë hadith të saktë që të shpjegojë mënyrën se si Profeti (paqja qoftë mbi të!) i numëronte tespitë me dorën e tij.
-Në mungesë të një hadithi të saktë mbi mënyrën e numërimit të tespive me dorë, nuk ka asgjë të keqe që të përdoret cilado mënyrë që është më e lehtë për besimtarin, qoftë me mollëzat e gishtave, qoftë me nyjat e tyre apo ndonjë mënyrë tjetër veç këtyre.
-Më e mira është që besimtari të mjaftohet me dorën e djathtë në numërimin e tespive por nëse i nevojitet dhe e majta, atëherë nuk ka asgjë të keqe në përdorimin e të dyja duarve por në këtë rast ai duhet ta fillojë numërimin nga e djathta.
Allahu e di më së miri!
Përgatiti Rexhep Milaqi