Dëmet e ateizmit dhe dobitë e besimit

0
643

ATEIZMI DHE PËRGJIGJET NDAJ DYSHIMEVE TË TIJ

ÇFARË ËSHTË ATEIZMI?
Ateizmi është mohimi i ekzistencës së Zotit dhe mohimi i çdo gjëje që lidhet me Zotin.
Sipas ateizmit gjithësia u gjend aksidentalisht, nuk ka krijues dhe materia është e përhershme (pa fillim e pa mbarim), ajo është njëkohësisht krijesa dhe krijuesi. Për rrjedhojë ata i mohojnë profetët dhe librat hyjnorë.

ARGUMENTAT E EKZISTENCËS SË ZOTIT:
1-Argumenti logjik:
Ekzistenca e krijesave dëshmon për ekzistencën e krijuesit. Është e pamundur që gjithësia të ketë ardhur në ekzistencë vetvetiu. Allahu i Mdhëruar thotë: “A janë krijuar nga hiçi, apo ata janë krijuesit e vetvetes?. A janë ata krijuesit e qiejve dhe të tokës…?” (Tur 35-36)
Mjeshtëria e përdorur në krijimin e universit, në krijimin e planeteve, në krijimin e njeriut dhe të gjitha gjallesave është dëshmi se ekziston një krijues i urtë dhe i gjithëdijshëm. “Ky është krijimi i Allahut,i Cili ka përsosur gjithçka”(Neml 88)
2-Natyra njerëzore e pastër:
Natyra e pastër e njeriut dëshmon për ekzistencën e Zotit. Njeriu gjithmonë e ka ndjerë dhe e ndjen nevojën për Zotin e tij. Në veçanti kur atij i bëhet padrejtësi ose kur gjendet në situatë të vështirë. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur udhëtojnë në anije, e lusin Allahun duke ia përkushtuar besimin vetëm Atij. E kur Ai i shpëton drejt tokës, menjëherë fillojnë të adhurojnë tjetër gjë pos Allahut!” (Ankebut 65) “Kur njeriun e prek dhimbja, Na lutet i shtrirë, i ulur ose në këmbë. Kur ia largojmë dhimbjen, kalon sikur nuk Na ishte lutur fare për dhimbjen që e kishte prekur. Ne kështu ua zbukurojmë shkelësve punët që ata bëjnë.”(Junus 12)
3-Agumenti historik:
Faktet historike dëshmojnë se njeriu që në fillimet e jetës së tij në Tokë dhe përgjatë gjithë kohërave të ndryshme ka qenë gjithmonë i lidhur me besimin në Zot.
4-Profetët dhe mrekullitë e tyre:
Ardhja e profetëve në vende dhe periudha të ndryshme kohore me fakte, libra dhe mrekulli të ndryshme është gjithashtu dëshmi e ekzistencës së Zotit të Madhëruar.

DYSHIMET E ATEISTËVE DHE PËRGJIGJET NDAJ TYRE:
1-Pse ekziston e keqja?
Përgjigja:
a)Jo çdo gjë që na duket e keqe është me të vërtetë e keqe.
b)Që të kuptohet vlera e të mirës.
c)Që të ndërgjegjësohen të prishurit.
d)Që të ndëshkohet i keqi në botën tjetër dhe të shpërblehet ai të cilit i është bërë keq.
e)Që të shpërblehet në botën tjetër ai që është ruajtur nga e keqja dhe ndëshkohet ai që nuk është ruajtur.
2-Pse ekzistojnë fetë e ndryshme?
Përgjigja:
Allahu ka shpallur vetëm një fe, atë që i shpalli Ademit,Nuhut,Ibrahimit,Musait,Isait dhe Muhamedit(paqja qoftë mbi ta!),por janë njerëzit të cilët më pas e shtrembëruan fenë e vërtetë dhe u përçanë në disa fe të ndryshme.
3-Pse ekziston xhehenemi kur Zoti duhet të jetë i mëshirshëm?
Përgjigje:
a)Ekzistenca e xhehenemit nuk bie ndesh me mëshirën e Zotit. Ashtu sikurse Zoti është i mëshirshëm ashtu është dhe ndëshkues. Ashtu sikurse është krijuar xheneti për të shpërblyer njerëzit e mirë dhe për të mëshiruar mëkatarët që i pranojnë mëkatet e tyre dhe pendohen ashtu është krijuar dhe xhehenemi për të ndëshkuar mëkatarët që janë arrogantë dhe kriminelë. Përderisa ekziston e keqja ekziston dhe xhehenemi për të ndëshkuar ata që zgjedhin të bëjnë keq.
b)Xhehenemi është krijuar gjithashtu për të manifestuar atributin e Zotit të ndëshkimit. Zoti është mëshirues dhe për këtë krijoi xhenetin dhe është ndëshkues dhe për këtë krijoi xhehenemin. Pra,xhehenemi është për të manifestuar atributin e ndëshkimit ndaj atyre që zgjedhin të bëjnë keq.

3-Pse i krijoi Zoti njerëzit e këqinj kur Ai e dinte që ata do të ishin të këqinj?
Përgjigja:
a)Nëpërmjet të këqinjve kuptohet vlera e njerëzve të mirë.
b)Zoti ka disa atribute që manifestohen te krijesat e tij dhe një nga këto atribute është dhe ndëshkimi. Andaj Ai i krijoi të këqinjtë që përmes tyre të manifestohet atributi i Tij i ndëshkimit. Ai nuk i detyron ata të bëhen të këqinjë por janë ata vetë që zgjedhin të bëhen të atillë edhe pse Zoti i paralajmëron nëpërmejt profetëve dhe librave të shenjtë.
5-Pse nuk shikohet Zoti dhe pse duhet të besojmë pa e parë?
Përgjigja:
a)Njeriu dhe krijesat e tjera nuk e kanë kapacitetin që ta shikojnë Zotin sepse shqisa e shikimit të krijesave në këtë jetë nuk e përballon shikimin e Tij. Musai (paqja qoftë mbi të!) i kërkoi Zotit që ta shihte dhe Zoti i tha që ai nuk mund ta përballonte dot shikimin e Tij dhe për këtë i tha që të shikonte malin që ishte aty pranë; nëse mali do ta përballonte dritën e Zotit atëherë Musai do të mundej ta shihte Zotin por kur Zoti i shfaqi malit një pjesë të dritës së Tij,ai nuk e përballoi dot dhe u bë çikë e thërrime. Allahu i Madhëruar thotë: “Atë nuk e kapin shikimet…”(En’am 103)
b)Besimi në ekzistencën e Zotit pa e parë është pjesë e besimit të botës së padukshme përmes së cilit dallohet besimtari nga jobesimtari. Pra, pamundësia për ta parë Zotin në këtë jetë është pjesë e sprovës.
c)Ne besojmë në Zot sepse krijesat dëshmojnë për ekzistencën e tij. Ashtu sikurse ndërtesat dëshmojnë për ndërtuesit e tyre ashtu dhe kjo gjithësi dëshmon për krijuesin e saj.
d)Profetët e Zotit përgjatë gjithë kohërave dhe librat hyjnorë na kanë njoftuar për ekzistencën e Zotit të Madhëruar.
6-Jeta e përtejme nuk ekziston sepse ne nuk e shohim!
a)Fakti që shqisat tona nuk e kapin jetën e përtejme nuk vërteton që ajo nuk ekziston sepse ka shumë gjëra që shqisat tona nuk i kapin dhe ne i besojmë si p.sh. mikrobet,qelizat,atomet,plantet dhe yjet e largëta…etj. Por, edhe pse nuk i shohim, ne besojmë në ekzistencën e tyre ngaqë shkencëtarët na kanë lajmëruar se ato ekzistojnë. Ashtu siç i besojmë gjërat që nuk i shohim me sy duke u mbështetur te fjala e shkencëtarëve, të cilët janë të besueshëm në fushën e tyre, në të njëjtën mënyrë besojmë në jetën e përtejme duke u mbështetur te fjala e profetëve të cilët ishin të dërguar nga ana e Zotit dhe ishin të besueshëm në çështjet e fesë.
7-Pse duhet të adhurohet Zoti?
Përgjigja:
a)Çdo gjë që ekziston e ka një funksion dhe një qëllim për të cilin është krijuar dhe qëllimi i krijimit të njeriut është njohja dhe adhurimi i Zotit. Adhurimi i Zotit përfshin të gjitha normat dhe rregullat të cilave duhet ti përmbahet njeriu në jetë. Allahu i Madhëruar ka thënë: “Njerëzit dhe xhindët i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë” (Dharijat 56) “A mendon njeriu se do të lihet i lirë,pa kurrfarë përgjegjësie?!”(Kijameh 36)
b)Adhurimi i Zotit është mënyra e vetme që e bën njeriun të disiplinuar dhe të devotshëm. Allahu i Madhëruar ka thënë: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj që ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush, në mënyrë që të bëheni të devotshëm!” (Bekareh 21)
8)Kush e krijoi Zotin?
Përgjigja:
a)Zoti është vetekzistent, nuk ka fillim e as mbarim dhe nuk ndikohet nga koha. Fillimi dhe mbarimi si dhe ndikimi nga koha janë veti të krijesave kështu që nuk mund ta përkufizojmë Zotin me vetitë dhe tiparet e krijesave. Zoti, duke qenë se nuk ndikohet nga koha, e cila është krijesë më vete, për rrjedhojë nuk ka as fillim e as mbarim por është vetekzistent.
b)Mendja e njeriut i përkufizon dhe i shpjegon gjërat sipas ligjeve të kësaj bote dhe sipas përvojës që përfiton nga eksperimentet që mbështeten në materie dhe standardet e kësaj jete. Zoti është përmbi ligjet e natyrës dhe standardet që njeh njeriu prandaj Ai nuk mund të përkufizohet apo shpjegohet përmes tyre.

DËMET E ATEIZMIT DHE DOBITË E BESIMIT:
Ateizmi është devijim nga natyra e pastër njerëzore. Ai paraqet dëme dhe rreziqe të mëdha për njerëzimin ndër të cilat mund të veçojmë:
Ateizmi e shtyn njeriun drejt egoizmit,individualizmit,papërgjegjshmërisë,dhunës,padrejtësisë,dëshpërimit,ankthit dhe veseve të ndryshme shoqërore. Dhe në jetën e përtejme ateisti është i humbur.
Ndërsa besimi në zot është pjesë e natyrës së pastër njerëzore dhe e shtyn njeriun drejt altruizmit,bamirësisë,devotshmërisë,vetpërmbajtjes,përgjegjshmërisë,drejtësisë,humanizmit,paqes,qetësisë dhe zbukurimit të vetes me virtytet e larta morale. Dhe në jetën tjetër besimtari është i fituar.

Përgatiti Rexhep Milaqi