Lutjet që thuhen para e pas ABDESIT

0
2862

Lutjet që thuhen para e pas ABDESIT
Është vërtetuar nga i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), se ka lutje që thuhen në fillim të abdesit dhe të tjera që thuhen pas abdesit.
Sa i përket asaj që thuhet në fillim të abdesit, nuk ekziston diçka tjetër përveç shqiptimit të fjalës: “Bismilah” (Në emër të Allahut). Duke patur parasysh se disa nga dijetarët e pohojnë edhe shtesën “Bismilahi Rrahmani Rrahim” (Në emër të Allahut, Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit)
Njashtu, duke e theksuar se kush nuk e përmend Allahun gjatë abdesit, abdesi i tij është i vlefshëm, qoftë ai e harron atë pa dashje ose me dashje.
Në atë që është transmetuar nga i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) nuk përmenden lutje të veçanta që duhen thënë para abdesit, dhe vlen të përmendet se ‘besmelja’ nuk thuhet nëse njeriu merr abdes në tualet, kështu që emri i Zotit nuk përmendet në vende të tilla, duke u nisur nga nderimi i Emrit të Tij, ai që merr abdes në toalet, mund ta thotë ‘besmelen’ para hyrjes në toalet, ose kur të jetë brenda e thotë vetëm me zemër.
Lutjet më të njohura pas abdesit
Nga i dërguari (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem) janë transmetuar disa lutje që thuhen pas abdesit dhe ato janë:
(1) “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të vetëm, pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.”
أشْهَدُ أنْ لا إله إِلاَّ اللَّهُ وَحْدَهُ لا شَرِيك لَهُ ، وأشْهَدُ أنَّ مُحَمَّداً عَبْدُهُ وَرَسُولُهُ
Transliterim: Esh’hedu en La ilahe il Allahu Vahdehu La sherike lehu, ve Esh’hedu enne Muhameden abduhu ve resuluhu.
( E transmeton Muslimi, në Sahihun e tij, nga Omer ibën Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i dërguari i Allahut, (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), ka thënë: “Secili prej jush që merr abdes dhe e plotëson atë, ose merr abdes plotësisht dhe pastaj thotë: Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të vetëm, pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, atij do t’i hapen të gjitha dyert e xhenetit, ai hyn në të nga cila derë të dojë.” (234))
(2) “O Zot, më bëj mua prej atyre që pendohen dhe më bëj prej atyre që pastrohen.”
اللَّهُمَّ اجْعَلْنِي مِنْ التَّوَّابِينَ ، وَاجْعَلْنِي مِنْ الْمُتَطَهِّرِينَ
Transliterim: Allahume xh’alni mine tevebine vexh’alni minel mutetahirin.
(Shtesë e lutjes së mëhershme, shënuar në Sahihun e Tirmidhiut, nga Omer ibën Hatab, numër: 55, Është vërtetuar autentik nga shejh Albani në Sahih Tirmidhi. Ibën Kajimi pohoi në “Zad el-Ma’ad” se kjo ishte vërtetuar nga i dërguari, sal-lAllahu alejhi ve sel-lem)
Lutja e plotë: Esh’hedu en La ilahe il Allahu Vahdehu La sherike lehu, ve Esh’hedu enne Muhameden abduhu ve resuluhu. Allahume xh’alni mine tevebine vexh’alni minel mutetahirin
(03) “Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij.”
أشْهَدُ أنْ لا إله إِلاَّ اللَّهُ وأشْهَدُ أنَّ مُحَمَّداً عَبْدُ اللهِ وَرَسُولُهُ
Transliterim: Esh’hedu en La ilahe il Allahu ve Esh’hedu enne Muhameden abdullahi ve resuluhu.
( E transmeton Muslimi, në Sahihun e tij, nga Omer ibën Hatab (Allahu qoftë i kënaqur me të)).
(4) “I Lartësuar dhe pa të meta je, o Allah, dhe Ty të takon falënderimi, dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Teje, kërkoj falje dhe te Ti pendohem.”
سُبْحانَكَ اللَّهُمَّ وبِحَمْدِكَ ، أشْهَدُ أنْ لا إلهَ إِلاَّ أنْتَ ، أسْتَغْفِرُكَ وأتُوبُ إِلَيْكَ
Transliterim: Subhaneke Allahume ve bihamdike, esh’hedu en La ilahe ila Ente, estagfiruke ve etubu ilejke
(E shënon shejh Albani, në Sahih Et-Tergib, nga Ebu Seid El-Hudrij, numri: 1473, dhe e vlerësoi autentik)
(05) “O Allah, më fal mëkatet e mia, më zgjero shtëpinë time dhe më beko në furnizimin tim.”
اللهُمَّ اغفرْ لي ذنبي، ووَسِّعْ لي في داري، وباركْ لي في رزقي
Transliterim: Allahume gfir li dhenbi, ve vesi’ li fi dari, ve barik li fi rizki
(E shënon Nesaiu në Sunen el Kubra,nga Ebu Musa el-Eshariu, shejh Albani e vlerësoi hasen në librin sahih el Xhami’, duke patur parasysh se kjo lutje mund të thuhet gjatë marrjes së abdesit, apo edhe pas përfundimit të abdesit sikur që shpjegohet nga dijetarët).
Nuk është vërtetuar se Pejgamberi (sal-lAllahu alejhi ve sel-lem), ka thënë lutje gjatë larjes së çdo gjymtyre, dhe se kjo gjë konsiderohet bidat, siç është thënia e disave gjatë larjes së fytyrës: (O Zot, ma zbardh fytyrën time ditën kur fytyrat nxihen) dhe thënia kur lajnë duart: (O Zot, ma jep librin tim në dorën time të djathtë dhe mos ma jep librin tim në të majtën time) dhe lutjet tjera për pjesët e tjera të abdesit.
Përgatiti: hoxhë Shpend Zeneli