2 keshilla si ta forcoj besimin në Allahun?

0
275

Si ta forcoj besimin në Allahun?

Falënderimi i takon Allahut.

Këto do të përmendim dy këshilla nga dijetarët e mëdhenj, duke përmbledhur edhe atë që kërkoni përmes pyetjes tuaj:

1 – Lexojeni sa më shumë Kuranin, dëgjojeni recitimin e tij dhe meditoni në kuptimet e ajeteve që lexoni dhe dëgjoni, sa më shumë që të mundeni. Nëse ju duket diçka e vështirë për t’u kuptuar, atëherë pyesni dijetarët në vendin tuaj, ose shkruajuni dijetarëve të tjerë sunitë për këshilla.

Gjithashtu përkujtojeni shumë Allahun (dhikër) me ato dhikre të transmetuara në hadithet e sakta, si p.sh.: “La ilahe il-Allah (nuk ka të adhurarar të vërtetë përveç Allahut)”, “Subhan-Allah ue’l-hamdu Lil-lah, ue la ilahe il-Allah ua Allah ekber (Lavdia i takon Allahut, lavdërimi i takon Allahut, nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe Allahu është më i madhi)”, e kështu me radhë. Për më shumë informacion mbi këtë shih “Fjala e Bukur” nga Ibn Tejmije; “Shiu i rrëmbyeshëm” nga Ibn el-Kajjim; Rijad Salihin dhe Mburoja e Muslimanit.

Sepse përkujtimi i Allahut (dhikri) e shton besimin dhe sjell qetësi shpirtërore. Allahu thotë: “Vërtet me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat” el-Ra’d 28.

Zbatoini rregullisht ibadetet si namazi, agjërimi dhe shtyllat e tjera të Islamit, duke shpresuar në mëshirën e Allahut dhe duke u mbështetur tek Ai në të gjitha çështjet tuaja. Allahu thotë: “Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata, zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, fërgëllojnë dhe, kur u lexohen shpalljet e Tij, u forcohet besimi dhe vetëm te Zoti i tyre mbështeten, ata që falin namazin dhe japin prej asaj që Ne ua kemi dhënë. Njëmend, ata janë besimtarë të vërtetë. Ata do të kenë shkallë përnderimi te Zoti i tyre, falje dhe furnizim bujar (në Xhenet).” el-Enfal 2.

‘Komisioni i Përhershëm’ (3/185, 186).

2 – Besimi shtohet duke iu bindur Allahut dhe pakësohet kur njeriu nuk i bindet Atij. Pra, kryeni atë që ka urdhëruar Allahu, siç është falja e namazit në kohë, me xhemat dhe në xhami, dhënien e zekatit me dëshirë për t’u pastruar nga mëkatet dhe për të treguar dhembshuri ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, duke qëndruar me njerëz të mirë dhe të drejtë, në mënyrë që ata të ju ndihmojnë në zbatimin e sheriatit dhe t’ju udhëzojnë në atë që do t’ju sjellë lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Shmangini ithtarët e bidatit dhe mëkatarët, që të mos ju tundojnë dhe të dobësojnë vendosmërinë tuaj për të bërë mirë. Bëni shumë vepra të mira vullnetare, kthehuni tek Allahu dhe kërkoni prej Tij forcë.

Nëse e bëni këtë, Allahu do t’ju shtojë besimin, do ta kompensoni kohën e humbur, dhe Allahu do t’ju shtojë mirësinë dhe qëndrueshmërinë në zbatimin e Islamit.

Komisioni i Përhershëm për Dhënien e Fetvave, 3/187.

Përktheu: Fatjon Isufi

Subscribe