Po u afrohet njerëzve dita e gjykimit

0
538

Allahu i Lartësuar thotë: “Po u afrohet njerëzve dita për të dhënë llogari, por ata vazhdojnë të jenë të shkujdesur e të shmangur (nga e vërteta). ” el-Enbija :1

Ibn Kethiri në Tefsirine tij (3/172) ka thënë: Këtu Allahu po tregon se Kijameti po afrohet dhe është afër, dhe se njerëzit nuk janë të vetëdijshëm për të, d.m.th., ata nuk janë duke punuar dhe duke u përgatitur për të.

Allahu i Lartësuar thotë: “Urdhri i Allahut do të arrijë patjetër, andaj mos e shpejtoni atë! I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka, që ia shoqërojnë (në adhurim)!” en-Nahl:1.

Ibn Kethiri në Tefsirin e tij (2/560) ka thënë: Këtu Allahu na tregon për afrimin e Kiametit dhe se ai është afër. Fakti që është shprehur në kohën e shkuar (në arabishten origjinale) tregon se është e vërtetë dhe padyshim që do të ndodhë.

Në një ajet tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: “Kijameti është afruar dhe hëna është çarë.” El-Kamer:1.

Ibn Kethiri në Tefsirin e tij (4/360) ka thënë: Këtu Allahu na tregon për afrimin e Kiametit dhe kalimin e kësaj bote.

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu është Ai që e ka shpallur Librin me vërtetësi dhe drejtësi. E si do ta dije ti që ndoshta Dita e Kiametit është afër?!” Shura 17.

Tirmidhiu transmeton në Es-Sunen (1980 – Sahih Tirmidhi) se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Si mund ta shijoj jetën kur mbajtësi i surit (apo bririt) e ka vënë surin në buzë, e ka përqëndruar dëgjimin duke pritur urdhrin për t’i fryrë?” Kjo sikur e rëndoi gjendjen emocionale të shokëve të Pejgamberit (alejhi selam) prandaj ai u tha atyre: “Thoni: Hasbuna Allahu ve ni’emel vekil, ‘ala Allahi tevekkelnaa (Na mjafton Allahu dhe Ai është Rregulluesi më i mirë i punëve, tek Allahu mbështetemi).

Ahmedi dhe Muslimi transmetojnë se Ibn Mesudi ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kijameti do të ndodhë mbi njerëzit më të këqij.” (Transmeton Muslimi nr. 5243 dhe Ahmedi nr. 3548).

Ahmedi dhe Buhariu transmetojnë se Merdas es-Sulemi ka thënë:

Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Njerëzit e drejtë do të zhduken, fillimisht më i miri, pastaj më i miri e kështu me radhë, dhe do të mbetet byku pa vlerë, si byku i elbit ose hurmave, dhe Allahu i Lartësuar nuk do të kujdeset fare për ta.” (Shih Sahih el Xhami me nr 7934).

Ahmedi, Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Enesi ka thënë: Unë do t’ju tregoj një hadith që askush tjetër nuk do t’jua tregojë pasi të kem ikur unë. E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) duke thënë: “Prej shenjave të kijametit janë: pakësimi i diturisë, mbizotërimi i injorancës, përhapja e zinasë. Atë kohë do të ketë shumë gra dhe pak burra, derisa për pesëdhjetë gra të ketë një kujdestar.” (Transmeton Buhariu, nr. 79 – këtë version e ka transmetuar ai. Gjithashtu, e Transmeton Muslimi, nr. 4825; Ahmedi, nr. 12735; dhe Tirmidhiu, nr. 2131).

Taberani transmeton se Sehl ibn Sa’di se ka thënë: i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në fund të kohës do të ketë tërmete, shafitje të tokës dhe shndërrim në kafshë [ose shpërfytyrim, deformim], kjo ka për të ndodhur kur instrumentet dhe këngëtaret femra do të jenë të përhapura dhe vera do të lejohet.” (Sahih el-Xhami’, 3665).

Të gjitha këto tekste tregojnë qartë se Kijameti po afron dhe se shtimi i mëkateve dhe i së keqes është prej shenjave të afrimit të tij. Mosbesimtarët mendojnë se Kiameti nuk ka gjasa të ndodhë dhe se po zgjat shumë, por fakti i çështjes është ashtu siç thotë Allahu:

“Me të vërtetë! Ata e shohin atë (kiametin) larg, kurse Ne e shohim atë shumë afër. el-Ma’arixh 6-7.

E lusim Allahun që të na ruajë në këtë botë dhe në botën tjetër. Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.

Përktheu: Fatjon Isufi

Subscribe