Xhenneti eshte prane cdo njeriu sesa rripi i nallaneve

0
326

Nga Ibën Mes’udi radijAllahu anhu transmetohet të ketë thënë:

“I Dërguari sal-l Allahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Xhenneti është më afër ndonjërit prej jush sesa rripi (lidhësja) i nallaneve të tij, e po ashtu edhe zjarri. ”
Transmeton Buhariu.

Shpjegimi
Ky hadith përmban nxitje dhe frikësim. Në fjalinë e parë përmban nxitje, kur thotë: “Xhenneti është më afër ndonjërit prej jush sesa rripi i nallaneve të tij. ” Rripi i tyre është në shpinën e shputës dhe është shumë afër njeriut, pra merret si shembull i afërsisë. Ndodh që njeriu flet një fjalë me të cilën Allahu është i kënaqur, mirëpo nuk mendon se ajo mund të arrijë atë që arrin, por ja është ajo që e çon në xhennet.
Prapëseprapë hadithi është më i përgjithshëm se kaq sepse me të vërtetë adhurimet e shumta dhe largimi nga të ndaluarat janë nga shkaqet e hyrjes në xhennet dhe kjo është gjë e lehtë për atë që ia lehtëson Allahu. Një besimtar të cilit Allahu ia ka hapur gjoksin për Islam e sheh teksa me qetësi e rehati, me bindje e dashuri për namazin, e sheh edhe tek jep lëmoshë, agjëron e bën haxhin, sepse e tërë kjo është e lehtë për të. E sheh gjithashtu se si largohet nga ajo që ka ndaluar Allahu, si në të shprehur edhe në vepra, edhe kjo për të është shumë e lehtë.
Ndërsa atij që i është ngushtuar gjoksi kundrejt Islamit dhe i është bërë i rëndë, e sheh se kryerja e obligimeve i vjen e rëndë, edhe largimi nga të ndaluarat i duket i rëndë dhe për këtë xhenneti nuk është më afër sesa rripi i nallaneve të tij.

Hadithi vazhdon me zjarrin, në të cilën qëndron kërcënimi. I Dërguari sal- lAllahu alejhi ve sel-lem thotë: “Epo ashtu edhe zjarri”, që do të thotë se është më afër ndonjërit prej nesh sesa rripi i nallaneve të tij. Ndodh që njeriu flet një fjalë së cilës nuk ia vë veshin fare dhe ajo fjalë e hidhëron Allahun dhe ai hidhet për shkak të saj në zjarr për aq e aq vite e ai nuk e di këtë.

Të shumta janë fjalët që njeriu i thotë dhe nuk ua vë mendjen fare sepse nuk ka interes ta dijë kuptimin e tyre, por ato bëhen shkak ta fusin në zjarrin e xhehennemit, Allahu na ruajttë!
A nuk e keni dëgjuar ngjarjen e munafikëve që ishin me të Dërguarin sal-1- Allahu alejhi ve sel-lem në Luftën e Tebukut dhe duke folur mes tyre thoshin: “Nuk kemi parë më lakmitarë për t’i mbushur barqet e tyre se këta lexuesit tanë (sahabët që kishin dituri), më gënjeshtarë dhe më frikacakë në takimin me armikun.” Me këtë kishin për qëllim të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij. Po thoshin për sahabët se ishin barkmëdhenj nga të ngrënët e tepërt dhe se nuk kishin tjetër brengë pos ngrënies. Munafikët po i akuzonin se ata ishin më gënjeshtarët dhe më frikacakët në takimin me armikun, se iknin kur takoheshin me armikun. Ja si shpreheshin munafikët për të Dërguarin sal-lAllahu alejhi ve sel-lem dhe shokët e tij.

Nëse mediton, do të shohësh se këto fjalë u përshtaten tamam munafikëve dhe jo besimtarëve sepse munafikët janë njerëzit që kujdesen më tepër për këtë botë, janë më gënjeshtarët dhe më frikacakët. Realiteti i këtij cilësimi ishte për munafikët, megjithatë Allahu az-ze ve xhel-le thotë: “Nëse i pyet, ata do të tëpërgjigjen: “Ne vetëm po b’ënim shaka dhe po luanim. ” Kuptimi është se nuk kishim për qëllim realitetin e asaj fjale, por ajo ishte vetëm shaka dhe lojë. Allahu az-ze ve xhel-le tha: “Thuaj”, d.m.th. thuaj o Muhamed: “A mos vallë me Allahun, shpalljet dhe të Dërguarin e Tij po talleni?” Mos u shfajësoni! Ju e mohuat fenë, pasi patët besuar. Nëse Ne i falim disa prej jush (për shkak se u penduan), do ti ndëshkojmë të tjerët, ngase janë fajtorë (nuk u penduan për talljen që bënë).” (Tevbe: 65-66).

Allahu az-ze ve xhel-le qartësoi se këta njerëz mohuan pas besimit të tyre sepse u tallën me Allahun, me argumentet e Tij dhe me të Dërguarin e Tij. Njeriu e ka obligim ta kufizojë të folurit dhe ta ruajë gjuhën e tij në mënyrë që të mos rrëshqasë e të shkatërrohet. E lusim Allahun për vete dhe për ju që të na forcojë në të vërtetën dhe të na largojë nga mëkati!

RIJADU SALIHIN
SHEJH UTHEJMIN