Tre njerëz Allahu ja ka bërë detyrë Vetes t’i ndihmojë ata

0
2768

Nga Ebu Hurejrah – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – përcillet se ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të: “Tre njerëz Allahu ja ka bërë detyrë Vetes t’i ndihmojë ata: Robi që bën marrëveshje me zotërinë e tij për tu liruar, ai që martohet sepse kërkon të ruajë nderin (dëlirësinë) e tij, dhe ai që përpiqet në rrugë të Allahut” Transmetojnë autorët e suneneve, përveç Ebu Daudit.[1]

Kjo sepse Allahu i Lartësuar ua ka premtuar atyre që shpenzojnë, se do tua zëvendësojë së afërmi. Dhe shpenzimin është përmendur në mënyrë të përgjithshme, por qëllimi i tij është shpenzimet që i do Allahu, sepse premtimi i Tij për zëvendësim vjen si shpërblim për shpenzimet që bëhen në gjëra që Allahu i do. Ndërsa shpenzimet që bëhen në gjërat që Allahu nuk i do, ose në mëkate, ose në shpërdorim (teprim) në gjëra të lejuara, Allahu nuk i ka premtuar zëvendësim për to askujt. Madje ato janë gjynah. Ndërsa këta të tre që u përmendën në këtë hadith, janë prej gjërave më të mira që Allahu i do.

Kështu: Përpjekja në rrugë të Allahut ësht kulmi i fesë dhe maja më e lartë e saj. Qoftë kjo përpjekje me armë apo përpjekje me dituri dhe argumenta. Shpenzimi në këtë rrugë do të rimbursohet nga Allahu, dhe ai që ecën në të do të ndihmohet prej Tij, dhe do t’i lehtësohen punët.

Ndërsa robi që nënshkruan marrëveshje lirimi me zotërinë e vet, kjo është një gjë të cilën Allahu e ka urdhëruan në Kuran duke thënë: “Nënshkruani marrëveshje lirimi me ta nëse dini ndonjë mirësi tek ata (robërit)” (Nur: 33). Dmth nëse njihni prej tyre devotshmërinë në çështjet e fesë dhe se janë të aftë për çështjet e dynjasë. Sepse zotëria është i urdhëruar ta pranojë këtë marrëveshje. Robi që bën marrëveshje lirimi dhe dëshiron ta zbatojë atë, dhe përpiqet të përshpejtojë fitimin e lirisë së tij që të jetë i lirë në çështjet e fesë së tij dhe në jetën e tij të dynjasë, Allahu e ndihmon atë, dhe ja lehtëson çështjet atij, dhe e furnizon andej nga nuk e pret.

Është detyrë për zotërinë që të tregohet i butë me robin e tij në këtë rast, në përcaktimin e afateve të shlyerjes dhe blerjes së lirisë së tij. Dhe duhet t’i japë nga vlefta e marrëveshjes së lirisë – kur robi ta dorëzojë atë – një të katërtën.

Dhe tek fjala e Allahut në lidhje me nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje: “Dhe jepuni nga pasuria e Allahut që Ai ju ka dhënë juve” (Nur: 33), ka urdhër për zotërinë dhe për të tjerët prej muslimanëve. Për këtë arsye Allahu i ka ndarë atij një pjesë të zekatit, tek fjala e Tij: “dhe në çlirimin e robërve” (Teubeh: 60), dhe kjo është prej ndihmës së Allahut të Lartësuar për robin.

Dhe ka ardhur në hadith të saktë prej Profetit – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – diçka që është më e përgjithshme se kjo ku ai thotë: “Kush merr pasuritë e njerëzve duke dashur tua rikthejë ato, Allahu do t’i kthejë ato për të. Dhe kush i merr ato duke dashur ti shkatërrojë ato, do ta shkatërrojë atë Allahu” Transmeton Bukhari[2]

Ndërsa sa i takon martesës, Allahu e ka urdhëruar për të të Dërguarin e Tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, dhe ka përmendur dobi të shumta për të, siç janë: ndihma e Allahut, zbatimi i urdhrit të Allahut dhe të Dërguarit të Tij – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -, dhe kjo është prej zakonit të të Dërguarve.

Gjithashtu martesa ruan nderin, të ndihmon në uljen e shikimit nga harami, sjell pasardhës, shpenzon për gruan dhe fëmijët. Sepse kur njeriu shpenzon për familjen e tij diçka dhe shpreson shpërblim për të prej Allahut, kjo gjë i sjell atij shpërblime tek Allahu, pa marrë parasysh a janë ato ushqime apo veshje, apo mbulim i nevojave të tyre të ndryshme, të gjitha këto i sjellin shpërblime (sevape) njeriut. Dhe ato janë shpërblime rrjedhëse për të dhe janë më të dobishme se adhurimet vullnetare, dobia e të cilave qëndron vetëm tek ai që i kryen ato.

Dhe në të (martesë) ka gjithashtu përkujtim për mirësitë e Allahut kundrejt robit, kohë të lirë për adhurimin e Tij, ndihmimi i bashkëshortëve për përfitime fetare dhe të kësaj bote. Ka thënë Allahu i Lartësuar: “Martohuni me sa të doni prej grave, dy, tre apo katër. Por nëse frikësoheni se nuk mbani dot drejtësi mes tyre atëherë vetëm me një” (Nisa: 3) Dhe ka thënë i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të -: “Gruaja martohet për katër gjëra: për pasurinë e saj, për bukurinë e saj, për prejardhjen e saj, për fenë e saj. Zgjidh atë që ka fe i paç duart plot”[3] Sepse ajo të rregullon gjendjen e shtëpisë dhe të fëmijëve, ja rehaton zemrën dhe i dhuron qetësi burrit. E nëse bashkë me fenë vijnë edhe gjëra të tjera, kjo është gjë e mirë, përndryshe feja është prej cilësive më madhore që kërkohet të jenë te gruaja (sh.p: edhe te burri).

Thotë i Lartësuari: “Gratë e devotshme (që janë të udhëzuara ashtu siç duhet në fenë e tyre), janë ato që bëjnë vepra të mira dhe janë të bindura (ndaj Allahut, pastaj ndaj burrave të tyre) dhe që ruajnë në fshehtësi çfarë Allahu i ka urdhëruar ato të ruajnë (nderin dhe pasurinë e burrave të tyre në mungesë të tyre, dhe i zbatojnë detyrimet e Allahut mbi to)” (Nisa: 34)

Prandaj është detyrë për gruan që të zbatojë urdhrat e Allahut, pastaj të bashkëshortit të saj, dhe tu japë përparësi të drejtave të burrit kundrejt të drejtave të kujtdo tjetër prej njerëzve.

Për burrin është detyrë që të përpiqet të përmirësojë gruan e tij dhe të bëjë të gjitha shkaqet për të çuar një jetë të mirë me të, sepse bashkëjetesa e mirë është synimi kryesor. Për këtë arsye Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – e pëlqeu parjen e gruas që dëshiron të fejohesh me të[4], në mënyrë që njeriu të jetë i qartë për çështjen e tij. Dhe Allahu e di më mirë.

Behxhetu Kulubil Ebrar, Shejh Aburrahman es Seadi (Allahu e mëshiroftë)

Përktheu Emin Bilali

[1] Hadith i mirë. Tirmidhi (1655), Nesaij (61/6), Ibn Maxheh (2518), Hakimi (160/2), dhe Beghauij në “Sherhus sunneh” (2239).  Saktësoi Albani në “Ghajetul meram” (210).

[2] Bukhari (2387).

[3] Bukhari (5090), Muslim (1466).

[4] Siç ka ardhur në hadithin që përcjell Xhabiri – Allahu qoftë i kënaqur me të – se i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – ka thënë: “Nëse ndonjëri prej jush fejohet me ndonjë grua, nëse ka mundësi të shikojë prej saj, në atë gjë që e shtyn të martohet me të, le ta bëjë (le ta shikojë)”. Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi dhe të tjerë me zinxhir të mirë. Shiko “Sahihul xhami’” (506), dhe “El Irua” (1791).

Subscribe