Kujt i jepet zekatul fitri?

0
111

Kujt i jepet zekatul fitri?

Të varfërve, nevojtarëve

Siç pamë nga hadithet më lartë, zekatul fitri i jepet të varfërve apo nevojtarëve, në vendin ku është personi atëherë kur hyn koha (e ligjshme) kur nxjerrët ai, qoftë ky vend atdheu i tij apo një vend tjetër.[3] Nëse koha e nxjerrës së zekatul fitrit e zë personin në një vend tjetër islam,[4] lejohet ta japë tek të varfrit e këtij vendi, sidomos nëse është vend që ka vlerë të madhe siç është Meka e Medina, apo nëse të varfrit e atij vendi janë më të nevojshëm për ta marrë zekatul fitrin sesa të varfrit e vendit të tij. Nëse në një vend nuk ka të varfër e nevojtarë që e meritojnë dhe e marrin zekatul fitrin, apo personi nuk di se kush janë ata,[5] atëherë lejohet të jepet në një vend tjetër ku ka të varfër e nevojtarë që e meritojnë dhe e marrin atë, ose e jep vetë ose e autorizon dikë për këtë.

Borxhlinjve
Ata që kanë borxhe, të cilët nuk kanë mundësi ta paguajnë atë. Këtyre u jepet zekatul fitri në atë sasi sa kanë nevojë.

Lejohet që një zekatul fitr të shpërndahet te shumë të varfër, në pjesë. Dhe lejohet që zekatul fitri të tubohet prej shumë personave e t’i jepet një të varfri. Kjo ngase Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem e ka caktuar sasinë obligative për zekatul fitrin, mirëpo nuk e ka caktuar numrin e personave apo sasinë për persona. Andaj, je i lirë të zgjedhësh, pra ose e ndan zekatul fitrin duke e dhënë te disa të varfër ose tubohet nga disa persona dhe i jepet një të varfri. Nëse disa muslimanë e masin zekatul fitrin, e mbledhin dhe e vendosin në një thes (a diku tjetër), atëherë lejohet t’i jepet një të varfri apo disa të varfërve, pa e matur rishtas, nuk e kanë më obligim ta peshojnë përsëri dhe t’ia japin çdo të varfri nga një zekatul fitr, porse e japin pa e matur, kjo pranohet dhe lejohet. Mirëpo, është mirë që të njoftohet i varfri para se ta marrë zekatul fitrin se nuk e dimë se sa është sasia, se a është më shumë a më pak, në mënyrë që të mos mashtrohet e të mendojë se kaq qenka sasia dhe pastaj edhe ai ta japë zekatul fitrin, kjo ngase të varfrit i lejohet ta japë zekatul fitrin tek tjetri për veten e tij apo për familjarët e tij prej atij zekatul fitri që i jepet, porse kjo me kusht që t’i caktohet ajo sasi të cilën e ka caktuar Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem dhe t’i jepet; apo dikush i besueshëm t’i tregojë të varfrit se kjo sasi (që ia kanë dhënë të tjerët si zekatul fitr) është sasi e saktë dhe të lejohet t’i japësh dikujt tjetër (si zekatul fitr).

L. Perçuku – Libri “Ndejat e Ramazanit”