4 argumentet që vërtetojnë ekzistencën e Allahut

Për ekzistimin e Allahut kemi argument nga natyrshmëria, mendja e shëndoshë, sheriati dhe ndjenja.

1. Argumenti nga natyrshmëria: Çdo krijesë ka natyrshmërinë e pastër, që e di se ka Një Krijues; kjo pa pasur nevojë të mendohet gjatë e të mësohet. Nga kjo natyrshmëri nuk del askush, përveç atij që zemrën e vetë e ka të mbushur me dyshime, të cilat e largojnë nga kjo natyrshmëri. I Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem ka thënë:

“Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e Islamit, ndërsa prindërit e tij më vonë e bëjnë të krishterë, çifut ose zjarrëputist.”

2. Argumenti nga mendja e shëndoshë: Ekzistimi i të gjitha krijesave, flet për patjetërsueshmërinë e ekzistimit të Një Krijuesi që i ka krijuar ato, ngase nuk ka mundësi që “diçka” ta krijojë vetveten apo të krijohet rastësisht.

Nuk ka mundësi që diçka të ekzistojë/jetë vetvetiu, sepse asgjë nuk ka mundësi ta krijojë vetveten, ngase para ekzistimit të saj ka parapri asgjëja. Prandaj, si mund të jetë krijues i vetvetes?!

Gjithashtu, asgjë nuk ka mundësi të ekzistojë rastësisht, sepse çdo gjë që ndodhë, patjetër se duhet ta ketë vepruesin e asaj ndodhie, dhe se ekzistimi brenda këtij rregulli universal, brenda kësaj konsistence të harmonishme kaq precize dhe pas gjithë kësaj lidhje (tani) ndërmjet shkakut dhe shkaktarit, lidhje e ekzistencave ndërmjet veti është e pamundshme që të ekzistojë vetvetiu/rastësisht. Kështu ngase ekzistimi i diçkaje rastësisht është jashtë rregullit qysh në fillim të ekzistimit të vet,. Prandaj, si mund të përshtatet brenda rregullave të veçanta, kur ajo më pas ekziston dhe ka jetë të gjatë?!

Pasi që krijesat nuk mund të krijojnë vetveten dhe as nuk mund të ekzistojnë vetvetiu, kjo gjë tregon se ekziston Një Krijues dhe Ai është Allahu, Zoti i botëve.

Allahu Subhanehu ue Te’ala e ka përmendur këtë argument mendor dhe provë të prerë në suren et-Tur, kur ka thënë:

“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” 52:35

Që do të thotë se, nuk janë krijuar pa Krijues dhe as nuk e kanë krijuar vetveten. Pasi që kjo mohohet, atëherë aludon në atë se Allahu është Krijuesi i tyre. Në Sahihun e Buhariut transmetohet se Xhubejr bin Mut’im radijallahu anhu, e kishte dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke lexuar këtë ajet dhe ajetet pas tij:

“A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!” 53:35-37

E ka dëgjuar këtë përderisa ka qenë jobesimtar, e kishte thënë: “Gati sa më fluturoi zemra kur dëgjova këto ajete; ky ishte momenti i parë kur imani zuri zemrën time.”

3. Argumentet nga sheriati islam: Të gjitha Librat qiellore e provojnë këtë gjë: gjykimet të cilat kanë zbritur për krijesat nëpërmjet shpalljeve, janë argument i qartë se ato janë prej Një Krijuesi, Gjykatësi të Drejtë, i Ditur mbi atë që i bën dobi krijesave. Gjithashtu, argumentet të cilat flasin mbi kozmosin dhe rregullimet precize në të, e për të cilat dëshmon edhe shkenca bashkëkohore, janë argument për ekzistimin e Një Krijuesi Preciz, i Cili ka mundur ta krijojë atë për të cilën ka treguar në to (shpalljet).

4. Argumenti nga ndjenja e pastër është nga dy aspekte:

a) Ne shohim se si u pranohen lutjet atyre që bëjnë lutje, e si u lehtësohen gjërat atyre që janë në vështirësi. Dhe kjo është argument i prerë për ekzistimin e Allahut Te’ala. Thotë Allahu Xhele ue ‘Ala:

“(Kujtoje) Nuhun kur ai Na thirri më përpara, dhe Ne iu përgjigjëm atij” 21:76

Dhe thotë Allahu:

“Ju kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj juve…” 8:9

Në Sahihun e Buhariu transmetohet nga Enes bin Maliku radijallahu anhu, se ka thënë: “Një nga beduinët hyri në xhami përderisa Profeti salallahu alejhi ue selem ishte duke ligjëruar ditën e xhuma dhe i tha atij: “O i Dërguar i Allahut, na është shkatërruar pasuria, janë etur njerëzit e shtazët, lute Allahun për ne (që të na dërgojë shi).” Në atë rast, i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ue selem i ngriti duart lartë duke u lutur, ndërsa menjëherë u dukë një re në qiell sikur të ishte një kodër. Përderisa ai zbriste nga minberi, shiu veçse lagu mjekrën e tij.” Ndërsa në xhumanë tjetër, po ky beduin apo ndonjë tjetër, shkoi tek Profeti salallahu alejhi ue selem dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, na u shkatërruan shtëpitë e u përmbytën bereqetet, lute Allahun për ne (që ta ndalë shiun)!” Në atë rast, i Dërguari i Allahut i ngriti duart lartë e tha: “O Allah, rreth nesh e jo mbi ne!” Nuk kaloi pak kohë, e shiu u ndal.”

Allahu vazhdimisht u përgjigjet lutjeve të njerëzve edhe në kohët e sotme, kjo vlen për ata që i kthehen Allahut Te’ala duke i plotësuar kushtet e duhura të pranimit të lutjes.

b) Mrekullitë (mu’xhizet) e profetëve, të cilat i kanë parë njerëzit apo i kanë dëgjuar ato se me të vërtetë kanë ndodhur, janë argumente të prera se ekziston Dërguesi i atyre mrekullive dhe Ai është Allahu Te’ala. Themi kështu ngase mrekullitë (mu’xhizet), janë gjëra që ndodhin jashtë natyrshmërisë, të cilën e ka bërë Allahu për njerëzit, por që Allahu i ka bërë/dërguar ato në mënyrë që t’i ndihmojë të tu japë argumente shtesë të dërguarve të Tij, siç kemi çarjen e hënës, e mrekulli të shumta të tjera, ku tregimet e tyre i gjejmë në Kuran dhe Sunnet.

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (Allahu e mëshiroftë!)
Burimi: Sherh Thalathetil-Usuul, fq. 80-83

You may also like...