Në historitë e profetëve dhe të dërguarve ka këshilla për njerëzit që logjikojnë.
Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: “Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend.” Jusuf, ajeti 111.
Këtë ajet Allahu i Madhëruar e ka përmendur në suren “Jusuf” pasi na tregon historinë e Jusufit alejhis-selam, ku në fillim të saj i Madhëruari thotë: “Ne të tregojmë ty (Muhamed) historinë më të bukur.” Jusuf, ajeti 3.
Në këtë ajet vihet në dukje një çështje e rëndësishme; se tek historitë e profetëve dhe të dërguarve në përgjithësi dhe historia e Jusufit alejhis-selam në veçanti ka këshilla dhe mësime të shumta për cilindo që dëshiron të marr mësim.
Kush e ruajti Jusufin alejhis-selam nga kurthi i vëllezërve të tij? Allahu i Madhëruar.
Kush e ruajti Jusufin alejhis-selam kur ishte në pus? Allahu i Madhëruar.
Kush e ruajti Jusufin alejhis-selam në shtëpinë e ministrit nga sprova e pasurisë dhe dynjasë? Allahu i Madhëruar.
Kush e ruajti Jusufin alejhis-selam nga sprova e grave në shtëpinë e gruas së ministrit? Allahu i Madhëruar.
Kush e ruajti Jusufin alejhis-selam kur ishte në burg? Allahu i Madhëruar.
Kush e nxorri Jusufin alejhis-selam nga burgu? Allahu i Madhëruar.
Kush i dha pushtet dhe sundim në tokë Jusufit alejhis-selam? Allahu i Madhëruar.
Kush e bashkoi Jusufin alejhis-selam me prindërit dhe vëllezërit e tij? Allahu i Madhëruar.
Pas gjithë kësaj, Jusufi alejhis-selam duke ia njohur dhe adresuar këtë mirësi Allahut të Madhëruar, tha: “unë jam Jusufi e ky është vëllai im. Allahu na mëshiroi. Atë që ruhet (nga gjynahet) dhe bëhet i durueshëm, Allahu e shpërblen, se Ai kurrë nuk ia humb shpërblimin punëmirëve.” Jusuf, ajeti 90.
“O babai im, ky është shpjegimi i ëndrrës sime të dikurshme. Zoti im e përmbushi atë. Mua më bëri mirësi, kur më nxori nga burgu, kurse juve ju solli nga shkretëtira, pasi djalli pati futur ngatërresë midis meje dhe vëllezërve të mi. Vërtet, Zoti im është i Butë me kë të dojë; Ai është i Gjithëdijshmi dhe i Urti! O Zoti im! Ti më ke dhënë pushtet dhe më ke mësuar shpjegimin e ëndrrave! O Krijues i qiejve dhe i Tokës, Ti je Mbrojtësi im edhe në këtë botë, edhe në botën tjetër! Bëj që të vdes si musliman dhe më shoqëro me punëmirët (në botën tjetër)!” Jusuf, ajetet 100-101.
Pastaj meditoni:
Kush e ruajti Ibrahimin alejhis-selam kur e hodhën në zjarr? Ai është Allahu, Një i Vetëm dhe i Pashoq.
Kush e ruajti Junusin alejhis-selam në barkun e balenës? Ai është Allahu, Një i Vetëm dhe i Pashoq.
Kush e shëroi Ejubin alejhis-selam nga sëmundja e tij? Ai është Allahu, Një i Vetëm dhe i Pashoq.
“Në tregimet e atyre (të dërguarve) ka këshilla për ata që janë me mend.” Jusuf, ajeti 111.
“Pasqyrimi i historive kuranore; mësime, këshilla dhe dobi”
Shejh Ebu Islam Salih bin Taha Abdulvahid (Allahu e mëshiroftë!)
Unejs Sheme