Pasha Allahun, unë arrij të imagjinoj hyrjen në Xhenet dhe vazhdimësinë e qëndrimit në të, pa sëmundje, pa pështymë, pa gjumë dhe pa asnjë të metë, përkundrazi, me shëndet të plotë, me dëshira të plotësueshme, të cilat nuk vuajnë nga asnjë mangësi, në një mirëqënie të ripërtëritshme në çdo çast, me begati që shtohen pa mbarim dhe si rrjedhojë rrëshqas, aq sa për pak natyra ime ndihet ngushtë për ta besuar këtë, nëse nuk do të kishte qenë Sheriati ai që e ka garantuar një fakt të tillë.
Dihet që të tilla pozita arrihen vetëm në bazë të përpjekjeve të bëra këtu. Është për t’u habitur me atë që humbet qoftë edhe një çast të vetëm në të. Një tesbih i vetëm i mbjell atij një pemë hurme në Xhenet me fruta dhe hije të përhershme.
O ti që ke frikë se mos e humbet këtë, trimëroje zemrën tënde me lutje. O ti që shqetësohesh nga përkujtimi i vdekjes, nuhate shërimin pas shurupit të hidhur, sepse që në çastin e daljes së shpirtit, madje përpara se ai të dalë, do të zbulohen gradat e çdokujt dhe kjo bën që rruga e të tërhequrit të shpirtit të bëhet më e lehtë, për shkak të kënaqësisë drejt së cilës po shkon. Shpirtrat qëndrojnë në brendësinë e disa zogjve që varen nëpër pemët e Xhenetit.
Të gjitha të metat dhe frikërat ekzistojnë përgjatë ditës së jetës, ndërsa dielli i moshës fillon e zverdhet. Pra, shpejto, shpejto para se të perëndojë. Asnjë ndihmës nuk do të të shoqërojë në atë udhë përveç të menduarit që ulet dhe qëndron së bashku me mendjen për të përkujtuar përfundimet. Kur takimi të ketë mbaruar, atëherë duhen hedhur shikimet në historinë e njerëzve që janë përpjekur, sepse i sjell të menduarit shumë vlera të ndryshme dhe mbështetje nga pas. Kur Allahu dëshiron të të përdorë për diçka, Ai të përgatit enkas për të.
Përsa i përket përzierjes me ata që nuk kanë asnjë dije tjetër veç asaj në lidhje me jetën e shpejtë, ky është njëri nga shkaqet më të mëdha të sëmundjes së të kuptuarit dhe të metave të mendjes.
Largimi nga e keqja është dietë dhe kjo e fundit është shkaku i shëndetit.
SHKEPUTUR NGA LIBRI “GJUETIA E MEDITIMEVE”
AUTOR Abdurrahman ibn Xheuzi
PERKTHEU GENC PLUMBI