Kur afrohen dhimbjet e vdekjes

0
612

O muslimanë! Mendohuni rreth përfundimit tuaj pas jetës së dynjasë. Ngaqë çdo njeri beson me bindje të plotë se vdekja është diçka e pashmangshme për çdo krijesë.

“Gjithçka që është në të (tokë) do të shuhet. Ndërsa do të mbetet përgjithmonë Fytyra e Zotit tënd gjithë madhështi e lavdi.” (Rahman 26-27)

Afatet e vdekjeve nuk i di askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar, i Cili i ka vendosur ato në dijen e Gajbit (të së fshehtës):

“Askush nuk e di se ç’do të fitojë e ç’do t’i ndodhë nesër dhe askush nuk e di se në ç’tokë (ç’vend) do të vdesë. Me të vërtetë që Allahu është i Gjithëditur, i Mirënjohur (për çdo gjë).” (Lukman 34)

Çdo njeri e pranon me bindje të plotë, se një ditë ka për t’i ardhur vdekja, sado që të jetojë. Prandaj ne shohim çdo ditë një numër njerëzish që ikin në botën tjetër, prej baballarëve dhe nënave, djemve dhe vajzave, vëllezërve, të dashurve dhe fqinjëve, prej të rinjve, pleqve, fëmijëve dhe foshnjave. Ngaqë vdekja nuk është vetëm për të madhin dhe jo të voglin, për të sëmurin dhe jo të shëndetshmin, për të varfrin dhe jo të pasurin. Sa e sa të rinj, të cilët ishin në kulmin e rinisë dhe po mendonin për të ardhmen e tyre, por papritur u erdhi afati i vdekjes që ua preu dëshirat dhe ua shkatërroi rininë. Sa e sa të pasur që angazhoheshin me pasurinë e tyre ndaj vendkthimit të tyre, por që iu prenë ëndërrat dhe u ndanë me familjet dhe pasuritë e tyre. Sa e sa njerëz me pozitë dhe mbretër që ishin mes këshilltarëve dhe miqve dhe iu mor shpirti në çdo situatë që të kenë qënë. Sa e sa fëmijë që ishin lot gëzimi për prindërit e tyre, të cilët e gdhinin kur ai nuk flinte dhe mendonin pa rreshtur për të ardhmen e tij, por papritur atij i erdhi afati i vdekjes dhe e mori lotin e gëzimit dhe dëshirën e të ardhmes së tyre.
Pasuritë, familjet dhe fëmijët nuk janë tjetër veçse amanete të cilat duhet t’i kthejmë tek Sunduesi i tyre i Lartmadhëruar.

Çdo njeri i logjikshëm duhet të mendohet se si do jetë gjendja e tij kur do t’i afrohet afati i vdekjes, kur do ta lë fuqia, kur do t’i paralizohen pjesët e trupit, kur do t’i arrijë shpirti në fyt dhe kur do të jetë mëse i bindur për ndarjen nga kjo jetë. Ndërkohë që familja dhe fëmijët janë rreth tij duke qarë, por nuk kanë gjë në dorë as për t’i bërë mirë dhe as për t’i larguar brengat.
A vallë gjen ai punë të mirë para tij, me të cilën të forcoj shpresën e tij tek Allahu? A mos vallë gjen ndonjë bamirësi që e ka bërë, shpërblimin e së cilës e kërkon nga Allahu i Lartësuar? A mos vallë punoi vepra të mira të devotshmërisë që t’i gjej para tek vendkthimi i tij? Që ta presin melaiket e mëshirës me gaz e përmallim. Që meleku i vdekjes t’i thotë shpirtit të tij: O ti që ke shpirt të mirë dhe të këndshëm…. Dil për tek falja e Allahut dhe kënaqësia e Tij. Ku shpirti del me lehtësi dhe qetësi. E më pas e marrin melaiket e mëshirës dhe e vendosin në një hanut prej Xhennetit me erë të këndshme, ku ngjiten me të në qiell dhe e përcjellin në çdo qiell ata që janë më afër, derisa e çojnë në qiellin e shtatë dhe Zoti i Madhëruar thotë: Shkruajeni librin e robit Tim në Il-ljjin dhe kthejeni atë në tokë, dhe ai kthehet me melaiket e devotshëm.

Ose do jetë e kundërta e kësaj, do jetë njeri që e ka lënë pas shpine Librin e Allahut dhe ka shkelur dispozitat e Tij, duke bërë gjynahe dhe kundërshtime, ku më pas vjen prapakthimi dhe pendimi. Atë do ta presin melaiket e dënimit me fytyra të zeza… dhe meleku i vdekjes do t’i thotë shpirtit të tij: O ti njeri i shpifur! Dil për tek inatosja e Allahut. Në këtë kohë shpirti i tij shpërndahet në trupin e tij, dhe meleku i vdekjes e merr atë ashtu siç merren gërxhet e hekurit nga leshi i lagur. Aty e marrin melaiket e dënimit dhe e vendosin në atë rrobë të ndotur dhe e ngjitin për në qiell, por qielli nuk hapet për të. Allahu i Lartësuar do thotë: Shkruajeni librin e tij në Sixh-xhijn, në tokën më të ulët, dhe atë do ta hedhin në tokë.. në një vend të përçmuar.
Gjithashtu njeriu duhet të mendohet për çastin kur do të vendoset në varrin e tij dhe kur do t’i kthehet shpirti në trupin e tij dhe do t’i vijnë dy melekë që do ta pyesin: Kush është Zoti tënd? Cila është feja tënde? Kush është pejgamberi tënd? A vallë do ta bëj Allahu të palëkundur me fjalën e qëndrueshme dhe të thotë: Zoti im është Allahu! Feja ime është Islami dhe pejgamberi im është Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të)…..Atëherë do ta thërras dikush prej qiellit e do t’i thotë: E tha të vërtetën robi Im. Shtrojeni atë nga Xheneti, visheni nga Xheneti dhe hapini një derë në Xhenet, ku më pas i vjen prej frymës dhe të mirave të Xhenetit dhe do t’i zgjerohet varri sa rrezja e shikimit.

Apo do të jetë e kundërta e kësaj dhe Allahu ka për ta lënë tek vetja e tij dhe sa herë që do ta pyesin dy melekët do të thotë: Ah! Ah! …Nuk e di! Ku më pas do të thërras dikush prej qiellit e do thotë: Ai gënjeu, prandaj shtrojeni nga zjarri, visheni nga zjarri dhe hapini një portë në zjarr. Atij do t’i vijë prej nxehtësisë së zjarrit dhe do t’i ngushtohet varri aq sa do t’i përzihen eshtrat.

Gjithashtu njeriu duhet të mendohet për shoqëruesin e tij në varr. A vallë punoi punë të mira që t’i vijë puna e mirë në pamjen e një burri me fytyrë të mirë, rroba të mira dhe erë të mirë i cili do t’i thotë: Përgëzohu me atë që të lumturon! Kjo është dita që të qe premtuar. Unë jam puna tënde e mirë. E më pas vetja e tij përmallet për begati edhe më të mëdha dhe lumturi më të madhe dhe thotë: O Zoti im! Çoje kijemetin që të kthehem tek familja dhe pasuria ime.

Ose ka për të qenë e kundërta e kësaj dhe ka për t’i ardhur puna e tij në pamjen e një burri me fytyrë të shëmtuar, me rroba të këqija dhe me erë të qelbur dhe do t’i thotë: Përgëzohu për atë që të sjell mërzitje. Kjo është dita tënde që të qe premtuar. Unë jam puna tënde e shpifur. Dhe ai frikësohet nga dënimi i Allahut edhe më dhe do thotë: O Zot! Mos e ço Kijametin.
Njeriu duhet të sjell ndërmend ngjarjet që vijnë pas, si ringjallja, tubimi, paraqitja e punëve, llogaria, Sirati (ura) e vendosur mbi Xhehenem. Se a do të çohet nga varri i tij i gëzuar dhe i lumtur dhe do t’i bëj hije Allahu në hijen e Tij, ditën që nuk ka hije tjetër veç hije së Tij. Apo ka për të qenë në frikë, mërzitje, helmim dhe përvëlim.

“Pastaj sa për atë, peshoja e të cilit do të jetë e rëndë (nga punët e mira), Ai do të bëjë jetë të kënaqur (në Xhennet). Dhe sa për atë, peshoja e të cilit (e punëve të mira) do të jetë e lehtë, Ai do ta ketë shtëpinë e tij në Havijeh (në humnerën e pafund të Xhehenemit). Dhe çfarë do të bëjë ty të kuptosh se çështë ajo? Eshtë zjarri i ndezur përvëlues.” (El-Kariah 6-11)

A vallë do t’i jepet libri në dorën e djathtë e do kthehet në familjen e tij i gëzuar, apo do t’i jepet libri me dorën e majtë, ose pas shpine e do të vajtoj për ndëshkimin me zjarr. A vallë do kalojë mbi urë me shpejtësinë e vetëtimës, të erës, duke ecur me këmbët e tija, apo duke ecur zvarrë me gjunjët e tija. Apo mos vallë do ta marrin zinxhirrët dhe do ta hedhin në zjarr.
Ngelet detyrë për çdo të logjikshëm që të mendohet thellë për këtë rrugë mbi të cilën do kalojë se s’bën dhe për këto ngushtica në të cilat do kalojë medoemos.
Kijeni frikë Allahun o robër të Allahut! Dhe të shohë çdokush se çfarë ka përgatitur për nesër. Kush bën punë të mira le t’i shtojë ato. Kush bën të këqija le t’i frikësohet Allahut në veten e tij, t’i braktisë njëherë e përgjithmonë ato dhe të pendohet tek Allahu, sepse Allahu e pranon pendimin e atyre që pendohen dhe i fal gjynahet e atyre që kërkojnë falje………
I them këto fjalë dhe kërkoj falje nga Allahu për veten time, për ju dhe për……….

Hytbja e dytë

Gjithë falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun…………..

O muslimanë! Islami është një rrugë dhe metodologji që mbart veçori dalluese dhe dritëlëshuese në aspektin e ideologjisë dhe në aspektin e ligjeve dhe të renditjes së çështjeve të jetës. Kështu që duhet medoemos të jetë një grup njerëzish që e mbartin këtë metodologji, që të udhëheqin me të botën e humbur. Kjo metodologji erdhi për të mirën e njerëzimit.

Dhe ne shohim sot se çfarë ndodh në botë, dhe nuk i shpëton ata nga kjo e keqe që i ka pushtuar, vetëm se kjo metodologji që ka ardhur nga Allahu në gjuhën e krijesës më të mirë të Allahut, Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Njeriu e ka në instiktin e tij të lidhurit me Allahun dhe kur ai humbet nga rruga e Allahut, ai e ndjen që ka humbur diçka të domosdoshme. Ai menjëherë fillon ta kërkojë atë, por janë shejtanët xhind dhe njerëz që bëhen pengesë midis tij dhe asaj që ai do. Ata e sorrollatin atë nëpër hamendje dhe pandehje, në përralla dhe adhurimin e tjetërkujt përveç Allahut, me pretendimin se kjo gjë e çon tek Allahu.

“Thuaju (O Muhamed): A t’ju tregojmë Ne humbësit më të mëdhenj për veprat e tyre? Ata përpjekjet e të cilëve janë harxhuar kot në jetën e dynjasë duke menduar se po përfitonin mirësi nga veprat e tyre.” (El-Kehf 103-104)

Kijeni frikë Allahun o muslimanë! Padyshim që litari i Allahut është i zgjatur nga qielli në tokë, prandaj kapuni fort me të, siç u kap me të profeti ynë profeti ynë Muhamed (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij……..

nga Hoxhe Bledar Aliu

Subscribe