Fjala sëmundje në Kuran.

0
483

Fjala sëmundje në Kuran.✍️
Fjala “Sëmundje” është përmendur disa herë në Kuran dhe domethënia e saj vërtitet rreth tre kuptimeve:
▪️Sëmundja e hipokrizisë
Allahu i madhëruar thotë për hipokritët në Kuran:
«Ata në zemrat e tyre kanë sëmundje dhe Allahu ua shtoi atyre sëmundjen» Sure El-Bekare: 10.
➖Thonë komentuesit e Kuranit: Sëmundja këtu është hipokrizia sepse është në vazhdën e ajeteve rreth hipokritëve. Hipokrizia është sëmundje zemre, apo ndryshe sëmundje shpirti e cila e dobëson fenë dhe besimin e njeriut derisa i zhduk ato dhe njeriu pastaj kalon në mohim.
▪️Sëmundja e epshit
Allahu i madhëruar u ka thënë grave të Profetit -alejhi selam- në Kuran:
«Mos flisni me përkëdheli, që të mos lakmojë ai i cili në zemrën e tij ka sëmundje, por flisni drejt dhe në mënyrë të ndershme!» Sure Ahzab: 32.
➖Thonë komentuesit e Kuranit: Sëmundja këtu është epshi sepse ata që lakmojnë në atë që ka ndaluar Allahu prej femrave janë pasuesit e epshit. Pasimi i epshit është gjithashtu sëmundje shpirti që e dobëson nderin dhe moralin e njeriut dhe prandaj ata që shkojnë pas femrave janë njerëzit me moralet më të ulta.
▪️Sëmundjet e trupit
Allahu i madhëruar thotë në Kuran në lidhje me agjërimin:
“Ai i cili është i sëmurë apo në udhëtim të agjërojë ditë të tjera” Sure El-Bekare: 185.
➖Thonë komentuesit e Kuranit: I sëmurë këtu është quajtur ai i cili është plogështuar nga ana fizike e tij e cila ia vështirëson atij mundësinë për të vepruar, apo e bën atë të pamundur.

🔘Disa dobi të përfituara nga përdorimi i saj në Kuran:
E para: Fjala “Sëmundje” përfshin çdo lloj dobësimi të njeriut i cili e nxjerr atë nga normaliteti i tij dhe ajo herë ka lidhje me zemrën, apo shpirtin e tij dhe i prekë atij fenë dhe moralin dhe herë me trupin e tij dhe i prek atij anën fizike.

E dyta: Në lidhje me sëmundjet e shpirtit njerëzit janë përgjegjës për veprimet e tyre dhe prandaj ajetet ku ato përmenden përfundojnë me ndëshkime dhe kërcënime siç janë përmendur në suren Ahzab:
«Nëse nuk heqin dorë (nga veprimet e tyre) hipokritët, ata që kanë sëmundje në zemrat e tyre dhe ata që përhapin lajme të gënjeshtërta në Medinë, Ne me siguri, ty do të të japim pushtet mbi ta dhe ditët e tyre në Medinë do të jenë të numëruara * Ata janë të mallkuar kudo që të gjenden dhe do të kapen e do të vriten pa mëshirë» Sure Ahzab: 60-61.
E treta: Ku përmenden sëmundjet e trupit përmenden edhe lehtësimet në lidhje me detyrat, sepse sëmundjet e kufizojnë mundësinë e njeriut për të vepruar dhe Allahu i madhëruar nuk e ngarkon njeriun mbi mundësinë e tij dhe as e vë atë në ato vështirësi që ia prishin atij normalitetin e jetës.

Dr. Abdullah Nabolli

Subscribe