Agjërimi i udhëtarit dhe i të sëmurit.

0
306

Për agjërimin e personit të sëmurë apo udhëtarit, Allahu thotë: ” … e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë.”

Ekzistojnë dy lloje të sëmurësh:

Llojit të parë i takon personi, sëmundja e të cilit është e vazhdueshme dhe nga i cili nuk pritet që të shërohet (siç është personi që vuan nga kanceri).

Personi i tillë, i sëmurë nuk duhet të agjërojë, për shkak se ai nuk mundet në asnjë kohë ta durojë agjërimin.

Sido qoftë, ai duhet t’u ofrojë ushqim të varfërve për çdo ditë që e lë pa agjëruar. Në këtë drejtim, ai mund t’i tubojë një grup të varfërish, të barabartë me numrin e ditëve që i ka lënë pa agjëruar, dhe atyre t’u ofrojë drekë ose darkë, siç vepronte Enes bin Maliku kur u plak. Ose, mund t’i shpërndaj ushqim një grupi personave të varfër, të barabartë me numrin e ditëve të pa agjëruara. Çdo personi të varfër duhet dhënë një çerek te “sa’asë së Pejgamberit”, që është një sasi e ushqimit e barabartë me pesëqind e dhjetë gramë grurë të mirë. Është e preferuar që kësaj sasie t’i shtohet sasia e duhur e mishit apo vajit, e nevojshme për gatim.

Ngjashëm personi në moshë të shtyrë, i cili nuk është në gjendje të agjërojë, duhet t’i ofrojë ushqim një të varfëri për çdo ditë që e ka lënë pa agjëruar.

Llojit të dytë i takon personi që është përkohësisht i sëmurë (p.sh. personi në ethe), ndërsa në këtë rast kemi tri kategori:

KATEGORIA E PARË:

Ai vëren që agjërimi për të nuk është i vështirë dhe i dëmshëm. Në këtë rast duhet të agjërojë për shkak se nuk ka kurrfarë arsyetimi për mos ta bërë këtë.

KATEGORIA E DYTË:

Ai e sheh se agjërimi për të është i vështirë, por jo edhe i dëmshëm. Në këtë rast agjërimi për të nuk është i këshillueshëm për të, për shkak se është më mirë që ai ta shfrytëzojë lejen e Allahut, pasi që agjërimi do të ishte i vështirë për të.

KATEGORIA E TRETË:

Agjërimi do të ishte i dëmshëm për të. Në këtë rast agjërimi është i ndaluar (haram), për shkak se Allahu thotë: “As mos e vrisni ( ose shkatërroni) vetveten, për shkak se vërtetë Allahu ka qenë shumë i Mëshirueshëm ndaj jush”

dhe ka thënë: “Dhe mos bëni që me duart tuaja ta shkatërroni vetveten.”

Ndërsa në një hadith, Pejgamberi Muhammed ,mëshira dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, ka thënë: “Mos dëmtoni (vetveten) e as mos dëmtoni (të tjerët).” [Transmetuar nga Ibn Maxhe dhe Hakimi]
En-Neveviu thotë se ekzistojnë edhe shënime të tjera të ngjashme që e forcojnë njëri tjetrin. Dëmi i agjërimit mbi një njeri të sëmurë mund të verifikohet si nga vetë i sëmuri, ashtu edhe nga ndonjë mjek i besueshëm. Kështu, po qe se një njeri i kësaj kategorie e ndërpret agjërimin e tij, ai
duhet t’i agjërojë ato ditë menjëherë posa ta marrë veten ( të shërohet). Mirëpo, po qe se vdes para se të shërohet, atëherë obligimi lihet, për shkak se ai ka pasur për qëllim që t’i plotësoj ato ditët e lëna me ditët të cilat nuk arriti t’i jetojë.

Për sa u përket udhëtarëve, ekzistojnë dy lloj syresh: njeri, i cili përpiqet t’i shmange agjërimit duke u nisur për udhëtim. Kjo nuk i është i lejuar atij, për shkak se mashtrimi për shmangien e një detyre të obligueshme të Allahut, nuk e eliminon vetë atë detyrë. Për sa i përket llojit të dytë(udhëtarit të vërtetë), ekzistojnë dy grupe:

GRUPI I PARË:

Udhëtari i cili përjeton vështirësi të jashtëzakonshme. Në rastin e tillë agjërimi është haram (i ndaluar), për shkak se Pejgamberi Muhamed, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, që ishte duke agjëruar gjatë luftës për qlirimin e Mekkes, kur kuptoi së disa njerëz që ishin me të
përjetonin vështirësi të mëdha nga agjërimi,ndërsa ishin duke e bërë pikërisht atë që e bënte edhe ai, e piu një kupë me ujë, pas namazit të ikindisë, kur njerëzit ishin duke e shikuar. Në atë rast i treguar se disa njerëz ende agjëronin. Atëherë, ai tha: “Ata janë mos bindësit, ata janë mos bindësit.” [Transmetuar nga Muslimi]

GRUPI I DYTË:

Ky lloj udhëtari e gjen agjërimin të vështirë, por jo jashtë mase. Është e preferuar që udhëtari i tillë mos të agjëroj, për shkak se, me vetë agjërimin, ai do ta refuzonte lejimin e Allahut e gjithashtu do t’i shkaktonte vështirësi dhe vuajtje vetvetes.

GRUPI I TRETË:

Këtu udhëtari nuk e gjen agjërimin të vështirë. Udhëtari i tillë duhet ta bëjë atë që është më e lehtë për të ( d.m.th., ai zgjedh mes agjërimit dhe mos agjërimit), për shkak se Allahu thotë: “All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.”

Me ‘dëshiron”, në këtë rast nënkuptohen “i pëlqen”. Po qe se për një udhëtar të tillë agjërimi dhe mos agjërimi janë të barabartë, atëherë agjërimi është i preferuar, për shkak se kështu vepronte edhe Pejgamberi Muhammed (salAllahu alejhi ue selem)

Në Sahih-Muslim, është shënuar se Ebu Derda (Allahu qoftë i kënaqur me të), ka thënë: “Udhëtonim me Pejgamberin, mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, në Ramazan, në kushte aq të nxehta sa që i venim duart mbi kokë për shkak të nxehtësisë, ndërsa të vetmit që agjëronin në mesin tonë ishin i Dërguari i Allahut dhe Abdullah bin Revaha.”

Udhëtari konsiderohet se është në udhëtim që nga çasti kur e braktisë qytetin (vendin) e vet e derisa të kthehet prapë, madje edhe po qe se ai qëndron në qytetin e destinacionit për një periudhë të caktuar kohore, nëse qëllimi i tij është që mos të mbetet në të pasi ta kryejë atë për çka ka udhëtuar.

Në këtë rast ai i shfrytëzon lejimet e dhëna për udhëtarin, madje edhe nëse qëndrimi vazhdon për një kohë të gjatë, për shkak se kurrfarë veçantish nuk janë shënuar nga Pejgamberi Muhammed mëshira dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, lidhur me periudhën kohore që e përcakton udhëtimin. Kushti themelorë është që udhëtimi dhe rregullat që kanë të bëjnë me të, të mbeten të vlefshme derisa të ketë dëshmi se udhëtimi i tillë ka përfunduar, ose se janë shfuqizuar rregullat që kanë të bëjnë me të.

Nuk ekziston kurrfarë dallimi ndërmjet udhëtimeve (me lejimet e bashkangjitura) që janë të rëndësishme, si ato të Haxhit apo të Umrës, ose vizitat e ndonjë kushëririt ose tregtia e të ngjashme dhe atyre të bëra me shoferët e taksive apo të kamionëve. Shoferët e tillë konsiderohen si udhëtarë që nga çasti kur e braktisin vendbanimin e tyre, ndërsa mund t’i gëzojnë të gjitha lëshimet e lejueshme për udhëtarët e tyre, siç janë mos agjërimi në Ramazan, shkurtimi i namazeve prej katër rekatesh, bashkimi i dy namazeve kur është e nevojshme (njëri menjëherë pas tjetrit), siç janë Dreka e Ikindija, dhe Akshami e Jacija.

Mos agjërimi preferohet për personat e tillë nëse ai paraqet zgjidhjen më të lehtë, ndërsa këtë ata e përmbushin në dimër. Kjo është kështu për shkak se shoferët e tillë i takojnë një qyteti të veçantë dhe kur menjëherë janë në qytetet e tyre, ata konsiderohen si banorë ndërsa rregullat që vlejnë për banorët janë të zbatueshme edhe për ta. Në të kundërt, kur ata janë në udhëtim atëherë konsiderohen si udhëtarë dhe rregullat që vlejnë për udhëtarët janë të zbatueshme edhe për ta.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “RREGULLAT E AGJERIMIT”
AUTOR SHEJH UTHEJMIN ALLAHU E MESHIROFTE.