Kur duhet dhënë Zekati i Fitrit?

0
77

Kur duhet dhënë sadakaja e Fitrit?

Koha e dhënies së sadakasë së Fitrit fillon me perëndimin e diellit të ditës së fundit të Ramazanit, e cila është nata e bajramit. Ndërsa caku i mbarimit është koha e namazit të Bajramit. Mirëpo nëse agjëruesi për arsye të ndryshme, e ka të vështirë dhënien e kësaj sadakaje, në kohën e lartpërmendur, atëherë i lejohet që ta japë atë një ose dy ditë para mbarimit të muajit të Ramazanit, ashtu siç vepronte sahabiu i nderuar Ibn Omeri –radiallahu anhu- i cili e jepte sadakanë e Fitrit një ose dy ditë para Bajramit.[1]

Kush e ka detyrë ta japë sadakanë e Fitrit?

Sadakaja e Fitrit është detyrë për çdo person musliman i cili i ka mundësitë që ta japë këtë sadaka. Kryefamiljari duhet të japë për veten dhe të gjithë anëtarët e familjes. Ibn Omeri -radiallahu anhu- ka thënë: “Profeti (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ka obliguar që sadakaja e Fitrit të jepet për çdokënd nga muslimanët, qoftë ai rob apo i lirë, mashkull apo femër, i vogël apo i madh”.[2]

Cilat janë llojet e ushqimeve që jepen për sadaka-Fitri?

Duhet të dimë se llojet e ushqimeve që janë të vlefshme për t`u dhënë sadaka e Fitrit janë ushqimet bazë të cilat konsumohen nga banorët e atij vendi. Në kohën e Profetit (Paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të!) ushqimet bazë ishin: gruri, elbi, hurma arabe, qumështi pluhur, rrushi i thatë, etj.

Në kohën tonë ushqimet bazë janë: orizi, makaronat, mielli, fasulja, etj.

Sasia e ushqimit që duhet të jepet për çdo individ të familjes është përafërsisht 2.4 kg.

[1]Shiko Sahihun e Buhariut tek nr. 1440.

[2] E transmeton Buhariu me nr. 1433 dhe Muslimi me nr. 984.