4 reagimet me sproven.

0
835

Shejh Muhamed bin Salih el Uthejmin ka thënë:
Njeriu në raport me sprovën shfaq katër reagime:

1)Të zemërohet
2)Të durojë
3)Të pranojë me kënaqësi
4)Të falënderojë

Këto ishin katër gjendjet që hasen tek njerëzit kundrejt sprovës që i godet.

Sa i përket llojit të parë të reagimit ajo i referohet gjendjes në të cilën njeriu mund të shfaqë zemërim dhe rebelim ndaj caktimit të Allahut, qoftë me zemër, gjuhë apo gjymtyrë. Rebelimi me zemër ndodh nëse njeriu ndjen dicka të padenjë në raport me Zotin e tij në formë zemërimi dhe mos aprovimi,madje i duket sikur Allahu i ka bërë padrejtësi me atë sprovë. Zoti na ruajtë.
Rebelimi me gjuhë i referohet thirrjeve dhe lutjeve që mund të bëjë njeriu për shkatërrim dhe mjerim(ah mjerë për mua,ah mos qofsha) apo të shajë gjendjen në të cilën ndodhet.
Rebelimi me gjymtyrë i referohet veprimeve që mund të bëjë si psh të gërvishtë fytyrën apo shkulë flokët apo shkulë leshrat apo të shqyejë rrobat, e të ngjashme si këto.Kjo është gjendja e atyre që u është ndaluar mirësia dhe shpërblimi dhe që nuk kanë arritur t`i bëjnë ballë sprovës,madje përkundrazi kanë ngarkuar veten me mëkat, duke iu shndërruar në një sprovë të dytë.Sprovën e parë e kishte në aspektin e dunjasë me dhimbjen që përjeton për fatkeqësinë, ndërsa sprovën e dytë e ka në aspektin fetar duke u zemëruar dhe rebeluar.

Sa i përket llojit të dytë të reagimit:Durimi ndaj sprovës,nënkupton që ta përmbajë veten,megjithëse nuk e dëshiron atë sprovë,por megjithatë e përmban veten dhe nuk flet asnjë fjalë që e zemëron Allahun dhe as nuk vepron me gjymtyrët e tij ndonjë veprim që e zemëron Allahun dhe as nuk ka në zemrën e tij asnjë lloj ndjesie të padenjë kundrejt Allahut,përkundrazi duron dhe përmbahet megjithëse nuk i pëlqen ajo që i ka ndodhur.

Sa i përket llojit të tretë të reagimit:Ta pranosh caktimin e Allahut duke qenë i kënaqur me të do të thotë që ta pranosh atë që ka ndodhur me zemër të qetë, me dorëzim dhe aprovim total,sikur të mos i kishte ndodhur ajo gjë.

Sa i përket llojit të katërt të reagimit:Falënderimi,nënkupton që ta falënderojë Allahun për atë që i ka ndodhur. Profeti salallahu alejhi ue selem e kishte zakon që kur shihte dicka që nuk i pëlqente thoshte:” Elhamdulilahi ala kul-li hal (Falënderimi i përket Allahut në cdo gjendje)”
(Transmeton Ibn Maxheh nr 3803. El Busejrij ka thënë: Insadi i tij është sahih. E ka saktësuar Albani në Silsileh Sahihah nr 265).
Pra e falënderon Allahun në mënyrë që të meritojë shpërblime të mëdha që i kapërcejnë përmasat e asaj fatkeqësie.

(Marrë nga libri Shpjegimi i Rijadus-salihijn 1/121 dhe Shpjegimi i Sherhul Mumti` 5/495)
Përktheu:Shuajb Rexha