4 Hadithe te bukura rreth te mirave te abdesit.

0
1391

Vlerat e abdesit

Shumë hadithe shprehin të mirat që përfshin në vetvete abdesi. Ne do të përmendim vetëm disa prej tyre:

1- Abdullah Es-Sunabihij transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kur robi Allahut merr abdes dhe e lan gojën e tij, prej saj bien veprat e këqija. Kur ai e shpëlan hundën e tij, prej saj dalin mëkatet. Kur ai lan fytyrën, veprat e këqija bien prej saj, derisa dalin dhe nga nënvetullat e tij. Kur ai lan duart e tij, veprat e këqija bien prej tyre, derisa dalin nën thonjtë e tij. Kur ai e fërkon kokën, bien mëkatet nga koka e tij derisa dalin edhe nga veshët. Kur ai lan këmbët e tij, veprat e këqija bien prej tyre, derisa dalin
edhe nga thonjtë e këmbëve. Pastaj e ecura për në xhami dhe namazi i tij do të jenë shpërblim shtesë për të (mbi shpërblimin e abdesit)”.
Transmeton Maliku. Nesaiu. Ibn Maxhe dhe Hakimi.

2- Enesi transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Nëse një njeri ka cilësi të mira, atëherë Allahu i bën të gjitha veprimet e tij të mira. Nëse ky njeri merr abdes për t’u falur, Allahu për shkak të abdesit të tij i shlyen të gjitha mëkatet dhe namazi konsiderohet si shpërblim shtesë për të”,- [Hadith Munker, Temamul Minneh]

3- Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “A doni t’ju tregoj për një vepër, me anë të së cilës Allahu ua fshin mëkatet dhe ua rrit gradat tuaja? Ata thanë: Sigurisht o i Dërguar i Allahut! Ai tha: “Përsosja e abdesit edhe në kushte të vështira, rruga e gjatë për në xhami dhe pritja e namazit (tjetër) pas kryerjes së namazit të mëparshëm. “. Hadithi transmetohet nga Maliku, Muslimi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.

4- Ebu Hurejra transmeton gjithashtu se i Dërguari i Allahut kaloi njëherë afër një varri dhe tha: “Paqja qoftë mbi ju, o shtëpi e besimtarëve! Në dashtë Allahu ne do t’ju takojmë së shpejti, megjithëse do të kisha dashur të shikoja vëllezërit e mi”. Shokët e pyetën: “A nuk jemi ne vëllezërit e tu, o i Dërguar i Allahut? Ai u përgjigj: “Ju jeni shokët e mi. Vëllezërit e mi janë ata që nuk kanë ardhur ende”. Ata e pyetën: “Si i njeh ata që nuk kanë ardhur ende nga umeti yt o i Dërguar i Allahut? Ai tha: “Nëse një njeri ka një tufë me kuaj me baluke të bardha në mes të një tufe tjetër me baluke të zeza, a do të jetë në gjendje ai t’i dallojë kuajtë e tij? Ata u përgjigjën: Sigurisht, o i Dërguar i Allahut!”. Atëherë ai tha: “Ata (vëllezërit e mi) do të vijnë me shenja dalluese nga abdesi i tyre dhe unë do t’u paraprij atyre në burimin tim. Por do të jetë një grup njerëzish, të cilët do të rrinë larg nga burimi im ashtu sikurse rri deveja e humbur. Unë do t’i thërras ata që të afrohen. Do të thuhet: “Këta i ndryshuan çështjet pas teje”. Atëherë unë do të them: “Rrini larg, rrini larg!” .Muslimi