Shkaqet e shtimit të besimit janë katër:
1- Njohja e Allahut përmes emrave dhe cilësive të Tij, sepse sa më shumë ta njohë Allahun, emrat dhe cilësitë e Tij, aq më shumë shtohet me besim.
2- Vështrimi (dhe meditimi) rreth argumeteve të Gjithësisë dhe atyre fetare. Thotë Allahu ne Kuran:
“A nuk e shikojnë devenë sesi është krijuar? Qiellin sesi është ngritur? Malet sesi janë ngulitur? Tokën sesi është shtruar?” [el Gashijeh:17-20]
Dhe poashtu thotë:
“Thuaj: Vështroni me vëmendje çka ka (nga argumentet) në Qiej e në Tokë. Por argumentet dhe qortimet nuk bëjnë dobi ndaj një populli që nuk beson.” [Junus:101]
Sa më shumë t’i shtohet njohuria njeriut rreth asaj që Allahu ka krijuar në këtë Gjithësi prej çudive të krijesave dhe prej urtësive të mëdha, po aq do t’i shtohet besimi. E njëjta gjë vlen edhe për vështrimin e argumenteve fetare, ku njeriut do t’i shtohej besimi (prej tyre), sepse nëse t’i vështron argumentet fetare, të cilat janë dispozitat me të cilat kanë ardhur pejgamberët, do të shikosh gjëra të mahnitshme nga urtësitë e mëdha dhe sekretet madhështore të cilat tregojnë se ky legjislacion është i zbritur prej Allahut, se ajo është e ndërtuar mbi drejtësinë dhe mëshirën, e kjo bën që besimi i njeriut të shtohet.
3-Punët e mira të shumta dhe të mirëvepruara, sepse veprat janë pjesë e besimit, e nëse janë pjesë e tij, atëherë nëse ato shtohen do të shtohet edhe besimi.
4- Lënia e gjynaheve për hir të Allahut, poashtu bën që njeriu të rritet në besim.
Muhammed ibn Salih el Uthejmin
nga libri “sherhul akijdetil uasitijeh” fq.441-442