3 veprat qe te largojne nga Xheneti dhe te cojne ne Xhehenem

0
2572

Buhariu në Sahihun e tij thotë: “Kudate thotë: “Allahu i ka krijuar këto yje për tri qëllime: Si zbukurim për qiellin, për të goditur shejtanët dhe si shenja për t’u orientuar me to. Ai që i komenton ndryshe ka gabuar, ka humbur shpërblimin dhe është sforcuar për gjëra për të cilat nuk ka dije.”

Kudate nuk e pëlqente mësimin e pozicioneve të hënës dhe Ibn Ujejne nuk e ka toleruar diçka të tillë. Këtë e përmend Harbi prej atyre të dyve dhe ka toleruar në mësimin e pozicioneve të saj Ahmedi dhe Is’haku.

Na përcillet nga Ebu Musa që thotë: I Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Tre njerëz nuk futen në Xhenet: Pirësi i verës, ai që shkëput lidhjet farefisnore dhe ai që beson magjinë.” E përcjell Ahmedi dhe Ibn Hibani në Sahihun e tij.

Rreth thënies së autorit “Kapitull: Argumentet e përcjella rreth kërkimit të fatit nga yjet” Ibn Tejmije thotë: “Kërkimi i fatit prej yjeve është orientimi nëpërmjet situatës së universit për të gjetur ngjarjet në tokë.”

Hatabi thotë: “Dija e yjeve e ndaluar është ajo që pretendojnë njerëzit se gjejnë fatin nëpërmjet yjeve, siç është dija e gjetjes së ngjarjeve që do të ndodhin në të ardhmen, si koha e ardhjes së erërave, zbritja e shiut, ndryshimi i çmimeve dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat ata pretendojnë se mund të njihen nëpërmjet orbitave të planetëve dhe lëvizjes së tyre, bashkimit apo ndarjes së tyre dhe se ato kanë ndikim në botën e poshtme. Kjo vepër konsiderohet rrëmbim i të fshehtës dhe marrje e një dijeje që Allahu a.xh. e ka rezervuar për Veten e Tij. Askush tjetër përveç Tij nuk e di të fshehtën.”

Thënia e autorit “Buhariu në Sahihun e tij thotë: “Kudate thotë: “Allahu i ka krijuar këto yje për tri qëllime: Si zbukurim për qiellin, për të goditur shejtanët dhe si shenja për t’u orientuar me to. Ai që i komenton ndryshe ka gabuar, ka humbur shpërblimin dhe është sforcuar për gjëra për të cilat nuk ka dije” është një thënie e shënuar nga Buhariu në Sahihun e tij. Atë e ka përzgjedhur Abdurrezaku, Abd bin Humejdi, Ibn Xheriri, Ibn Mundhiri dhe të tjerë. Atë e ka përzgjedhur Hatibi në “Librin e yjeve” nga Kudate me tekstin e tij: “Allahu i ka krijuar këto yje për tri veçori: Ai i ka bërë zbukurim për qiellin, i ka bërë që të orientohet me to dhe i ka bërë që të goditen shejtanët me to. Kush mëson të tjera gjëra përveç këtyre ka folur me mendjen e tij, ka gabuar në pjesën e tij, ka humbur shpërblimin e tij dhe është sforcuar për gjëra rreth të cilave nuk ka dije. Disa njerëz të paditur rreth çështjeve të Allahut kanë sajuar magji prej këtyre yjeve: Kush martohet në kohën e filan ylli, kush udhëton në kohën e filan ylli. Pasha Allahun, nuk ka yll që në kohën e tij të mos lindi i kuqi, i ziu, i gjati, i shkurtri, i bukuri dhe i shëmtuari. Nuk ka yje, kafshë apo zogj që të dinë diçka nga dija e fshehtë. Nëse dikush do ta dinte të fshehtën do të kishte qenë Ademi, të cilin Allahu a.xh. e krijoi më dorën e Vet dhe i bëri engjëjt t’i bien në sexhde dhe u mësoi emrat e gjithçkaje.”

Shikoje me vëmendje se si ky imam i mohon të gjitha këto të këqija në kohën e tabiinëve. E keqja vazhdon të shtohet në çdo kohë që vjen pas tyre, derisa mbërriti kulmin në këtë kohë dhe belaja është përhapur në të gjitha vendet; ku më shumë dhe ku më pak. I ngritur në mesin e njerëzve do të jetë ai që i kundërshton. E keqja ka depërtuar deri në fe. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi.

Thënia “Allahu i ka krijuar këto yje për tri qëllime”; Allahu a.xh. thotë: Qiellin më të afërt (të dynjasë) e kemi zbukuruar me kandila (yje ndriçuese)”[1] dhe: Vuri edhe shenja të tjera (për orientim ditën), ndërsa natën ata orientohen me yjet.”[2] Kjo tregon se yjet janë në qiellin e dynjasë, ashtu siç e përcjell Ibn Maverdiu nga Ibn Mesudi r.a. që thotë: I Dërguari i Allahut a.s. thotë: “Ndërsa qiellin e dynjasë Allahu e ka krijuar prej një tymi, ka vendosur në të kandila dhe një hënë ndriçuese, e ka zbukuruar atë me yje ndriçues dhe i ka përgatitur ata për të goditur shejtanët.”

Thënia “shenja” do të thotë: si udhëzues për drejtimet.

Thënia “për t’u orientuar me to” do të thotë që njerëzit të orientohen nëpërmjet tyre. Allahu a.xh. thotë: Ai është që krijoi yjet për ju, që me ta të orientoheni në errësira, kur jeni në tokë ose në det”[3] pra që të njihni nëpërmjet tyre kahun e drejtimit tuaj. Kur flitet këtu nuk si qëllim që të orientohesh me to në dijen e të fshehtës, siç besojnë astrologët. Më lart u sqarua pavërtetësia e këtij pretendimi dhe se ai është i paqenë, siç thotë Kudate: “Ai që i komenton ndryshe”, pra kush pretendon diçka tjetër nga ajo që ka përmendur Allahu a.xh. në Librin e Tij ka gabuar, sepse ka pretenduar një gjë për të cilën Allahu nuk ka zbritur argument, ka humbur pjesën që i takon nga e mira, sepse merret me diçka që i bën dëm dhe jo dobi.

Nëse dikush thotë se astrologu mund të thotë të vërtetën, këtij i thuhet se e vërteta e tij është si e vërteta e fallxhorit, i cili thotë të vërtetën në një fjalë dhe gënjen në njëqind të tjera. E vërteta që del prej tij nuk buron nga dija, por nga rastësia e të vërtetës dhe ajo kthehet në një sprovë për atë që e beson.

Na përcillet nga Ibn Abasi r.a. se është shprehur rreth ajetit: Dhe Ai vuri kodra (të forta) në tokë, që ajo të mos lëkundet me ju, bëri edhe lumenj e rrugë, ndoshta kështu orientoheni. Vuri edhe shenja…”[4], pastaj ka filluar sërish dhe ka thënë: “dhe orientohen me anën e yjeve”[5] dhe Ibn Xheriri e ka përmendur prej tij me kuptim: “Janë përcjellë argumente nga i Dërguari i Allahut alejhi selam. rreth kotësisë së dijes së yjeve, siç është fjala e tij alejhi selam: “Kush shkëput diçka nga yjet, në të vërtetë ka shkëputur diçka nga magjia, shton sa të shtojë.”[6]

Na përcillet nga Rexha bin Hajuenetu se i Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Prej gjërave që kam frikë për umetin tim janë: Besimi i yjeve, përgënjeshtrimi i paracaktimit (kaderit) dhe padrejtësia e drejtuesve.” E përcjell Abd bin Humejdi.

Na përcillet nga Ebu Mihxheni (merfu): “Tri gjëra kam frikë për umetin tim: “Padrejtësia e drejtuesve, besimi tek yjet dhe përgënjeshtrimi i kaderit.” E përcjell Ibn Asakiri dhe Sujuti e ka vlerësuar të mirë.

Na përcillet nga Enesi r.a. (merfu): “Kam frikë për umetin tim nga dy cilësi: Përgënjeshtrimi i kaderit dhe besimi tek yjet.” Hadithin e përcjell Ebu Jala, Ibn Adiu, Hatabi në “Librin e yjeve” dhe Sujuti e ka vlerësuar të mirë. Hadithet e përcjella në lidhje me kotësinë dhe kritikën ndaj kërkimit të fatit dhe të fshehtës nga yjet janë të shumtë.

Rreth thënies “Kudate nuk e pëlqente mësimin e pozicioneve të hënës dhe Ibn Ujejne nuk e ka toleruar diçka të tillë. Këtë e përmend Harbi prej atyre të dyve dhe ka toleruar në mësimin e pozicioneve të saj Ahmedi dhe Is’haku” Hatabi thotë: “Për sa i përket dijes së yjeve që përftohet nëpërmjet rrugës së shikimit dhe përvojës me të cilat njihen pozicionet e tyre, pozicioni i Kiblës etj., nuk përfshihen në këtë ndalim, për arsye se njohja e pozicionit të hijes nuk është asgjë më tepër se dijenia se për sa kohë ajo (hija) pakësohet, kjo do të thotë se dielli po vazhdon të largohet, duke u ngjitur lart drejt mesit të qiellit prej horizontit lindor dhe nëse shtohet. Kjo do të thotë se dielli po bie nga mesi i qiellit drejt horizontit perëndimor. Kjo lloj dijeje mund të përftohet nëpërmjet shikimit, vetëm se njerëzit e këtij zanati kanë përgatitur disa vegla nëpërmjet të cilave shikuesi nuk ia ka nevojën të përcaktojë kohën dhe vendin. Ndërsa për sa i përket mënyrave për t’u orientuar nëpërmjet yjeve për të gjetur drejtimin e Kibles, bëhet fjalë për yje të cilat i kanë përcaktuar njerëzit drejtues me përvojë, për kujdesin e treguar ndaj çështjeve të fesë, njohjes së kësaj dije dhe besueshmërisë së tyre që nuk ka asnjë dyshim. Si p.sh. në rastin kur i shikojnë yjet në prezencë të Qabes dhe në mungesë të saj, kur njohuria e tyre përbën argumentin nëpërmjet përcaktimit të pozicionit të saj, ndërsa dija jonë përbën argument nëpërmjet pranimit të lajmit të tyre, nëse për ne nuk janë të akuzuar në fenë e tyre dhe as neglizhent në dijen e tyre.”[7]

Ibn Mundhiri përcjell nga Muxhahidi se nuk ka asgjë të keqe në mësimin e pozicioneve të hënës. Përcillet nga Ibrahimi se ai mendonte se nuk kishte asgjë të keqe që njeriu të mësonte se si të orientohej prej yjeve.

Ibn Rexhebi thotë: “Ajo që lejohet nga kjo dije është gjithçka që lehtëson gjërat dhe jo dija e ndikimit, sepse ajo është e kotë dhe e ndaluar, qoftë e shumtë ose paktë. Ndërsa për sa i përket dijes që lehtëson gjërat, atëherë le të mësojë prej saj aq sa ka nevojë për t’u orientuar, për të njohur drejtimin e Kibles dhe rrugëve. Kjo është e lejuar për pjesën më të madhe të dijetarëve.”

Thënia “këtë e përmend Harbi prej atyre të dyve” bën fjalë për imamin, hafizin Harb bin Ismail Ebu Muhamed Kermanin, njëri prej juristëve të nderuar nga mesi i ndjekësve të imam Ahmedit. Ai ka përcjellë prej Ahmedit, Is’hakut, Ibn Medinit, Ibn Muinit dhe të tjerë. Ai është autori i librit “Meseletë” rreth të cilave është pyetur imam Ahmedi dhe të tjerë. Ai vdiq në vitin 280 hixhri. Ndërsa Is’haku është Ibn Ibrahim bin Muhlid Ebu Ejub El-Handhali En-Nisaburi, imam i njohur me emrin Ibn Raheuejhi. Ai ka përcjellë prej Ibn Mubarekut, Ebu Selemes, Ibn Ujejnes dhe njerëzve të gradës së tyre. Ahmedi thotë: “Is’haku tek ne është një prej imamëve të muslimanëve.”

Prej tij ka përcjellë Ahmedi, Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi dhe të tjerë. Edhe ai ka përcjellë gjithashtu nga Ahmedi. Ai vdiq në vitin 239 hixhri.

Thënia e autorit “na përcillet nga Ebu Musa, që thotë: I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Tre njerëz nuk futen në Xhenet: Pirësi i verës, ai që shkëput lidhjet farefisnore dhe ai që beson magjinë.” E përcjell Ahmedi dhe Ibn Hibani në Sahihun e tij” është një hadith i përcjellë nga Taberaniu dhe Hakemi, që shprehet se është i saktë. Atë e ka mbështetur edhe Dhehebiu. Plotësimi i hadithit është: “Kush vdes si pirës i verës, Allahu do t’i japë të pijë prej lumit El-Gautah, një lumë që rrjedh prej organeve të lavireve. Era e organeve të tyre i lëndon banorët e Zjarrit.”

Thënia “përcillet nga Ebu Musa” bën fjalë për Abdullah bin Kajs bin Sulejm bin Hadar Ebu Musa Eshariu, një sahab i shquar që vdiq në vitin 50 hixhri.

Thënia e Profetit alejhi selam “tre njerëz nuk futen në Xhenet” bën pjesë në tekstet kërcënuese, komenti i të cilave nuk i pëlqente të parëve tanë. Ata thonin: “Kalojini siç janë përcjellë, ndërsa ai që i komenton është nën rrezikun e të folurit pa dije.” Gjëja më e mirë që mund të thuhet është se çdo punë që qëndron nën shirkun dhe kufirin që të nxjerr nga feja i lihet dëshirës së Allahut; nëse e dënon e ka merituar dënimin dhe nëse e fal, kjo është prej mirësisë, faljes dhe mëshirës së Tij.

Thënia e Profetit alejhi selam “ai që shkëput lidhjet farefisnore” do të thotë: lidhjet me të afërmit, siç thotë Allahu i Lartësuar: A pritet prej jush (hipokritëve), që në nëse merrni sundimin (ose zmbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet e farefisit?”[8]

Thënia e Profetit alejhi selam “ai që beson magjinë” do të thotë: në mënyrë absolute. Prej magjisë është edhe shikimi i yjeve, siç u përmend edhe më parë në hadith. Këtu qëndron edhe argumenti i lidhur me temën.

Dhehebiu në librin e tij “Gjynahet e mëdha” shprehet: “Në të përfshihet mësimi i shenjave dhe puna me to, lidhja e nyjeve nga burri për gruan e tij, dashuria e burrit për gruan e tij, urrejtja e tij dhe urrejtja e saj apo diçka e ngjashme me këto gjëra nëpërmjet fjalëve të panjohura.”

Ai vazhdon: “Shumë prej gjynaheve të mëdha, madje pjesa më e madhe e tyre, përveç një pjese të vogël, nuk njihet ndalimi i tyre nga një pjesë e madhe e këtij umeti, kritikat drejtuar atyre dhe kërcënimi i përcjellë për to.”

 


[1] – Mulk; 5.

[2] – Nahl; 16.

[3] – Enam; 97.

[4] – Nahl; 15.

[5] – Nahl; 16.

[6] – E përcjell imam Ahmedi, Ebu Daudi, Ibn Maxheh nga Ibn Abasi r.a..

[7] – E vërteta e shkencës së vëzhgimit të universit (astronomia) është njohja e lëvizjeve të yjeve, planeve, orbitave dhe pozicionet e tyre. Për të njohur diçka të tillë janë shpikur mjete llogaritëse dhe teleskopë zmadhues, si dhe vëzhgues të pajisur me të gjitha lehtësitë e mundshme, nëpërmjet të cilave janë bërë të njohura shumë gjëra rreth botës së epërme, sikur t’i përkisnin kësaj toke. Për të tilla shkenca nuk mund të pranohet mospajtimi, sepse ajo është si shkenca e llogaritjes. Ndërsa për sa i përket dedikimit të disa ngjarjeve të tokës yjeve dhe planeve, siç është jeta, vdekja, lufta, paqja në të ardhmen etj., të gjitha këto nuk ka dyshim se janë gënjeshtra dhe humbje.

[8] – Muhamed; 22.

Shkeputur nga “Libri i Teuhidit”.
Autor i librit : Muhamed bin Abduluehab Et-temimi.
Perktheu Genc Plumbi.
Subscribe