Ruajtja e veprave të mira nga asgjësimi:
Ibn Kajim, pasi shpjegoi se veprat e mira i shlyejnë të këqijat, ai parashtroi pyetjen: “A i asgjësojnë veprat e këqija ato të mirat?”
✍ Edhe pse ky është një mendim i Mu’tezilitëve, ai (ibn Kajim) u përgjigj:
Kur’ani dhe Suneti dëshmojnë gjithashtu për balancimin dhe asgjësimin e veprave të mira nga të këqijat. Ne nuk mund ti kundërvihemi fjalës së Allahut dhe të shohim me paragjykim, vetëm sepse një grup i caktuar si mu’tezilitët (ndjekësit e epsheve dhe pasioneve) e ka thënë këtë mendim. Sepse është detyrë ta pranojmë të vërtetën, pavarësisht nga kush e ka thënë, dhe të refuzojmë të pavërtetën, pavarësisht kush e ka sjellë atë.”
Allahu i Madhërishëm thotë:
ياأيها الذين آمنوا أطيعوا الله وأطيعوا الرسول ولا تبطلوا أعمالكم}
“O ju që keni besuar! Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, dhe mos i shkatërroni veprat tuaja.”
Shpjegimi më i plotë i shkatërrimit të veprave këtu është largimi nga feja (murtedi), sepse kjo është arsyeja më e madhe e humbjes së veprave, por nuk është e kufizuar vetëm në këtë.
Allahu thotë gjithashtu: “O ju që keni besuar, mos i asgjësoni sadakatë tuaja duke përmendur bamirësinë tuaj ose duke lënduar.”
Këto janë dy veprime që ndodhin pas dhënies së sadakasë dhe e asgjësojnë atë.
Po ashtu, Allahu thotë: “O ju që keni besuar, mos i ngrini zërat tuaj mbi zërin e Profetit dhe mos i flisni atij me zë të lartë, siç flisni mes jush, që mos t’ju asgjësohen veprat, pa e kuptuar.”
Në një hadith të saktë, Profeti ﷺ thotë: “Kush e lë namazin e ikindisë, veprat e tij do të humbasin.”
Aishja, i tha një shërbëtoreje të Zejd bin Erkamit, pasi ai kishte shitur një kontratë të dyshimtë: “Thuaji Zejdit se ai e ka humbur shpërblimin e xhihadit të tij me Profetin ﷺ, përveç nëse pendohet.”
📚 Referenca: “Medarixh es-Salikin” 1/431).
Fatjon Isufi