Nje porosi e bukur per ju!

0
891

Ti e di mirë se nuk je i përjetshëm! Dhe po aq mirë e di se ky udhëtimi yt e ka një fund. Prandaj shiko se si ka nisur ky udhëtim dhe si do të përfundojë!
Të duket normale që ke ardhur si ‘një pikë ujë’ dhe do të përfundosh një grusht dhé? Ke ardhur dhe do të ikësh dhe askush nuk të ka marrë leje për asnjërën nga këto! Nëse ti nuk ja bën vetes pyetjen: “Kush më solli dhe përse?” dhe nuk kërkon autorin e kësaj vepre të mrekullueshme (universit dhe vetes tënde), atëherë ti nuk do të kesh asnjë justifikim ‘nesër’, kur Krijuesi i tyre të të riringjalli për të të marrë në llogari, duke të kthyer edhe një herë ashtu siç të nisi nga hiçi!

Edhe sa kohë do të vazhdosh të kalosh përpara mrekullive dhe t’i konsiderosh ato normale? Edhe sa do të vazhdosh me përpjekjet e tua për t’i mbushur mendjen vetes duke i thënë: “Unë s’jam asgjë më tepër veçse një aksident”?
Sa aksidente ke parë në jetën tënde? A ka ardhur ndonjë gjë e mirë prej tyre?
Po ajo që është më e mrekullueshme se këto aksidente, vet jeta, si mund të ishte rezultat i një aksidenti?! Ajo është aq e komplikuar sa akoma shkencëtarët nuk i japin dot një përkufizim të qëndrueshëm.

Përse kur të thuhet se kompjuterin, celularin që ke përpara e ka krijuar një njeri ti e beson, dhe kur të thuhet se këtë univers e ka Krijuar Zoti nuk e beson? Përse për prodhuesin e kompjuterit nuk thua: ‘Dua ta shoh që ta besoj’, ndërsa për Zotin e botëve kërkon ta shohësh që ta besosh?

Ta shohësh?! Hmm! Me çfarë?! Me cilët sy?! Ata që nuk shohin dot diellin për më shumë se dy minuta se përndryshe verbohen?! Krijesa që ishte një pikë ujë dhe do të bëhet një grusht dhé kërkon të shohë Krijuesin e qiejve dhe të tokës!!! E kush je ti që të meritosh këtë privilegj?! Mali i lartë nuk qëndroi dot në këmbë përpara Zotit, si mund të qëndrosh ti?! Mos po e vlerëson më shumë seç duhet veten tënde?!

Një porosi kam për ty: Shikoje mirë këtë çështje që po e merr si lojë, në të po luhet fati yt! Kthehu tek Ai që i kthehesh në kur je në vështirësi! Kthehu tek Ai përpara se të kthehesh tek Ai! Kthehu tani sepse ti je bindur me aq sa ke parë deri më sot, se mund të largohesh papritmas, befas, nga kjo ‘lojë’ që ti po luan.
Zoti yt nuk të krijoi për lojë. Të krijoi që ta adhurosh, dhe t’i bindesh Atij! Nëse i kthehesh sa je në këtë jetë, në atë të rikthimit do të kthehesh tek Ai me kokën lartë, si robi që ka kryer të gjitha porositë që i ka dhënë zotëria i tij dhe nuk pret gjë tjetër veçse shpërblimin e tij. Nëse nuk ndodh kjo, atëherë pamjen tjetër ti nuk do të doje as ta imagjinoje! Ai që të kërcënon është Vet Krijuesi i qiejve dhe të tokës! Nuk di sa i fortë je ta përballosh zemërimin e Tij!

Kthehu tek Krijuesi yt dhe boll qëndrove indiferent ndaj vetes tënde! Zgjohu përpara se të vdesësh dhe të shohësh të vërtetën e qartë siç e ka përshkruar Zoti yt në Kuran. Lexoje Librin e Tij, ai është mesazh nga Zoti për robërit e Tij. Në të gjendet shpëtimi yt. Në të kundërt, nesër do të kërkosh të kthehesh dhe do të dëshiroje të ishe bërë musliman, i dorëzuar ndaj Krijuesit tënd, por nuk ka më kthim mbrapa! Kthehu tani sa nuk është vonë, e nesërmja për ty mund të mos ekzistojë. Dhe sigurisht që do të vijë një ditë kur ti nuk do të jesh më, por sot të është dhënë mundësia e artë, pra mbille këtë arrë sot që të gjesh grurë nesër. E nëse mbjell gjemba dhe shkurre ato do të gjesh!

xhamiambret.com

 

Subscribe