10 shkaqet qe te pranohet pendimi

0
2055

Dua të të them se Allahu i Lartësuar, nëse dëshiron të mirën robit të Tij, ia lehtëson atij shkaqet që të çojnë tek Ai, ndërkohë që unë do të të përmend disa çështje të cilat do të të ndihmojnë për në pendim.

1. Pastrimi i qëllimit për pendim të sinqertë.

Nëse njeriu e pastron nijetin për Zotin e tij dhe vendos kërkimin e pendimit, Allahu do ta ndihmojë atë duke i dhënë forcë dhe do ta lirojë nga epidemitë të cilat i pengojnë rrugën dhe e sprapsin nga pendimi i tij. Ai i cili nuk është i sinqertë me Allahun, zemrën e tij e pushtojnë shejtanët dhe ai do të veprojë nga të këqijat dhe imoraliteti të cilat nuk i di kush përveç Allahut. Për këtë ka thënë Allahu për Jusufin (alejhi selam): “Ashtu (e bëmë të vendosur) që ta largojmë nga ai të keqen dhe të ndytën. Vërtet, ai ishte nga robtë tanë të zgjedhur.” Jusuf, 24.

2. Llogaritja e vetvetes.

Llogaritja e vetvetes të shtyn në iniciativën për të mira dhe të ndihmon në largimin e të këqijave, në rregullimin e atyre që kanë kaluar. Ajo e bën njeriun të dallojë atë që është në të mirë të tij dhe atë që nuk është në favor të tij dhe e ndihmon njeriun në pendimin e tij, si dhe e mbron atë.

3. Përkujtimi, predikimi, këshillimi dhe frikësimi i vetes.

Thuaji vetes: O vetja ime, pendohu para se të vdesësh, sepse vdekja të vjen papritur. Përkujtoji asaj vdekjen e filanit, filanit… A nuk e di se vdekja është e caktuar për ty?! Se varri do të jetë shtëpia jote? Se dheu do të jetë shtrati yt? Se krimbat do të të shoqërojnë duke të ngrënë…? A nuk frikësohesh se mos të vjen engjëlli i vdekjes, ndërkohë që je duke kryer mëkate? A do të të bëjë dobi koha kur ajo të afrohet? A do të pranohen në atë çast të qarët dhe hidhërimi yt? Të them ty, o vetja ime, synoje ahiretin që ai të të pranojë. Pranoje atë në dynja që ai të të pranojë. Kështu vazhdo të përkujtosh e të këshillosh veten, derisa t’i frikësohesh Allahut e të mundësohet ty pendimi dhe të pendohesh.

4. Largimi i vetes nga banesa e mëkateve.

Largohu nga vendi që ishe duke i bërë gjynah Allahut që të ndihmohesh për pendim. Të kujtoj historinë e atij personi që kishte vrarë nëntëdhjetë e nëntë persona, kur i thanë atij: “Populli yt është popull i keq, por në tokën e Allahut ka popuj të tjerë që e adhurojnë e i binden plotësisht Allahut, prandaj shko e bashkohu me ta e adhuro Allahun.”

5. Largimi nga miqësia e mëkatarëve.

Vetja jote do të ndikohet prej tyre. Dije se ata nuk duan të të braktisin ty, veçanërisht kur mendimet e tyre janë të dirigjuara nga shejtanët për të të shpënë në mëkate. Prandaj largohu prej tyre sa më parë, shmangu takimeve me ta, e, mundësisht, ndërro adresën e banimit, nëse jeton në mesin e tyre. Për këtë arsye i Dërguari i fundit i Allahut, Muhamedi (alejhi selam) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij. Prandaj le të shikojë secili prej jush se me kë shoqërohet.” Transmetuan Ebu Daudi dhe Trimidhiu, ndërsa shejh Albani e ka quajtur hadith të mirë.

6. Dhënia fund e mëkateve.

Nëse njeriu e kupton se gjynahet janë të shëmtuara dhe se prej tyre vjen ndëshkimi, apo se për shpërblim është lutja dhe shpresa e tij, së pari i braktis gjynahet dhe më pas pendohet sinqerisht tek Allahu.

7. Përfytyrimi i xhenetit dhe zjarrit.

Përkujtoje veten me madhështinë e xhenetit dhe se Allahu ia ka premtuar atë atyre që i binden urdhrave të Tij dhe atyre që ruhen. Frikësoje veten me zjarr të cilin Allahu ia ka premtuar atyre që mëkatojnë.

8. Angazhimi i vetes në kohën e lirë me gjera që të bëjnë dobi.

Nëse njeriu nuk angazhohet me të vërtetën do të angazhohet me të kotën. Sepse koha e lirë nëse nuk shfrytëzohet për të mirë do të drejtojë në të ndaluara dhe të këqija.

9. Kundërshtimi i epsheve.

Nuk ka gjë më të rrezikshme për njeriun sesa epshet e tij. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: “A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet…?” Furkan, 43. Duhet patjetër që ai i cili dëshiron pendim të sinqertë, të shkëpusë çdo lidhje me gjynahet e kaluara dhe të largohet nga ndjekja e epsheve të tij.

10. Shkaqe të tjera që të ndihmojnë për t’u penduar.

Duaja drejtuar Allahut që të mundësojë pendimin e sinqertë.

Përmendja e Allahut dhe kërkimi i faljes prej Tij.

Mostejkalimi në të shpresuarit e shumtë, si dhe përkujtimi i ahiretit.

Të reflektuarit në mësimet e Kuranit.

Shtimi i durimit, sidomos në fillim, si dhe shkaqe të tjera të shumta që të ndihmojnë për t’u penduar sinqerisht tek Allahu.