Kuptimi i ëndrrave nga Ibn Kajim el Xheuzije.

0
2414

Disa ëndrra janë nga mendimet e njeriut dhe të dukurive mbështetëse, madje shumica e ëndrrave të njerëzve janë vetëm dukuri të bindjeve të tyre të praktikuara, apo të papraktikuara.
Endrrat janë tri llojesh:
-Ëndrra të vërteta prej Allahut të madhëruar,
-Ëndrra prej Shejtanit dhe
-Ëndrra nga mendimet e njeriut.
Ëndrrat e vërteta ndahen në disa nënlloje:
Ato mund të jenë frymëzim (ilham) të cilin Allahu i Madhëruar e hedh në zemrën e robit, që përbën të folurit e Zotit me robin e Tij në ëndërr, sikurse thanë Ubade ibn Samiti dhe të tjerët.
Ato mund të jenë nga melekët e caktuar për këtë punë.
Gjithashtu mund të jenë takim ndërmjet shpirtit të atij që është në gjumë me shpirtrat e të vdekurve të familjes, të farefisit, të shokëve të tij, apo të dikujt tjetër sikurse përmendëm deri tani.
Ndodhë edhe hyrja e shpirtit të tij në xhenet dhe shikimi i tij, etj. Takimi i shpirtrave të të gjallëve me shpirtrat e të vdekurve është një nënlloj i ëndrrave të sakta, të cilat te njerëzit janë një lloj i gjërave të ndjeshme.

Në këtë çështje njerëzit nuk u pajtuan, e disa thanë: Të gjitha dituritë janë të fshehura në shpirt, kurse angazhimi pas botës së prekshme (konkrete) e mbulon dhe e fsheh vështrimin e tyre. Kur shpirti qetësohet në gjumë dhe zhvishet nga brengat e angazhimi me botën shqisore, i sheh ato sipas përgatitjes së tij; e pasi që zhveshja e tij nga bota shqisore në rastin e vdekjes është më e plotë, atëherë edhe dituritë dhe njohjet e tij atje janë më të plota. Në këtë ka të vërtetë dhe të pavërtetë. Pra, nuk mund të refuzohet tërësisht, por edhe nuk mund të pranohet tërësisht, sepse zhveshja ia mundëson shpirtit vështrimin e diturive dhe të njohjeve, të cilat nuk mund të arrihen përveçse me zhveshje nga angazhimi me botën shqisore, mirëpo sikur ai të zhvishej tërësisht nuk do të mund ta vështronte diturinë e Allahut me të cilën e solli të Dërguarin e Tij. Detajet, të cilat i tregoi për të dërguarit e Tij dhe për popujt e kaluar, detajet e botës së ardhme dhe të shenjave të kiametit, detajet e urdhrave dhe të ndalesave, të emrave e të cilësive dhe të tjerave, të cilat nuk mund të dihen përveçse me shpallje, por, megjithatë, zhveshja e shpirtit i ndihmon t’i kuptojë ato dhe i hedh nga burimi i tij më lehtë, më afër dhe më shumë sesa që i ndodh shpirtit të zhytur në preokupimet e trupit dhe botës së shqisave.

Dikush tjetër thotë: Këto ëndrra janë dituri, të cilat Allahu i Madhëruar i ka lidhur në shpirt që nga fillimi dhe pa shkak. Kjo është thënie e refuzuesve të shkaqeve e të urtësive të Allahut të fuqishëm, e cila është në kundërshtim me sheriatin, mendjen dhe natyrshmërinë.
Dikush tjetër thotë: Endrrat janë shembuj të cilët Allahu ia paraqet robit sipas përgatitjes së tij, të përpiluara në dorën e melekut të ëndrrës, kështu që ndonjëherë shfaqet si një shembull i paraqitur dhe ndonjëherë ndodh mu ashtu si e ka parë ëndërruesi dhe kështu përputhet me realitetin, ashtu si dituria me të diturën.

Kjo thënie mund të jetë më afër sesa ato dyja para saj, edhe pse ëndrrat nuk janë të kufizuara në të, por mund të ketë edhe shkaqe të tjera, sikurse u tha më herët në takimin e shpirtrave dhe bashkinformimin e tyre, në pëshpëritjen e melekut në zemër dhe në shikimin e çështjeve nga shpirti drejtpërdrejt pa ndërmjetësim.

SHKEPUTUR NGA LIBRI “SHPIRTI”
AUTOR IBN KAJIM EL XHEUZIJE.

Subscribe