“Kije frikë Allahun kudo që të jesh, pasoje të keqen me të mirë që ta fshijë atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë”

0
445

Prej Ebu Dher Xhundub ibnu Xhunades dhe Ebu Abdurrahman Muadh ibnu Xhebeli Allahu qoftë i kënaqur prej tyre, është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kije frikë Allahun kudo që të jesh, pasoje të keqen me të mirë që ta fshijë atë dhe sillu me njerëzit me moral të mirë”.

Ky hadith është prej porosive profetike me të cilat i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) porosiste shokët e tij për të ecur në to dhe që muslimanët të ndiqnin gjurmët e tyre në çdo kohë e vend, në mënyrë që të gëzohen në Dynja dhe Ahiret. Kur Ebu Dheri u bë mysliman në Meke, i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) e urdhëroi të shkonte te fisi i tij duke shpresuar që Allahu do të bënte dobi me të. Po kur pa dëshirën e tij për të qëndruar me të në Meke dhe mësoi se ai nuk kishte mundësi, i tha: “Kije frikë Allahun kudo që të jesh, sepse ajo është më parësore për ty sesa qëndrimi”. Ky është urdhër për çdo mysliman. Por ka mundësi që të jetë dhe fjalë e cila i drejtohet Muadhit në mënyrë që të përmbushë urdhërat e Allahut dhe t’i largohet ndalesave të Tij, sepse Ai e shikon dhe e di se ç’bën në çdo vend. Gjithashtu e këshillon që të sillet me njerëzit ashtu siç dëshiron që njerëzit të sillen me të, qoftë kjo shmangie e dëmit, dhënie e këshillës, apo qeshje e fytyrës, në mënyrë që zemrat të bashkohen dhe dashuria të përsoset. Kështu Profeti i porositi këta shokë të tijët me këto porosi madhore në mënyrë që jeta e tyre të ishte e lumtur, e ardhmja e tyre në botën tjetër (botën e llogarisë dhe shpërblimit) të ishte e sigurtë dhe e bukur si dhe që gjynahet e tyre të ishin të falura dhe të shlyra.

Dobitë e hadithit:

1- Urdhërimi për frikë dhe devotshmëri ndaj Allahut, fshehtazi dhe haptazi dhe kudo.

2- Nëse një vepër e keqe ndiqet nga kërkimi i faljes tek Allahu dhe nga veprimi i një të mire, atëherë ajo shlyhet.

3- Urdhërimi për shoqërimin me njerëzit në mënyrë të mirë dhe shmangia e dëmit prej tyre.

4- Morali i mirë është prej përsosjes së devotshmërisë me Allahun.

xhamiambret.com