Transmetohet nga Enes ibn Malik (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) se ka thënë: i dërguari i Allahut (paqja dhe nderimi i Allahut qoftë mbi të) ka thënë:
“Ka prej njerëzve që janë çelësa për mirësi dhe mbyllës të së keqes, e ka prej njerëzve që janë çelësa të së keqes dhe mbyllës të së mirës. Përgëzim për atë që e ka bërë Allahu çelësat e mirësisë në dorën e tij, e mjerë për atë që e ka bërë Allahu çelësat e së keqes në dorën e tij”. [Transmeton Ibn Maxhe në “Sunenin e tij”: (nr: 237), hadithin e ka saktësuar shejh Albani (Allahu e mëshiroftë) në “Silsiletu Sahiha” (nr: 1332)].
Ai i cili dëshiron për veten e tij që të jetë prej atyre që kanë çelësat e mirësisë e të jetë mbyllës i së keqes, si dhe të jetë prej atyre që meritojnë përgëzimin atëherë duhet të ketë parasysh gjërat që vijojnë:
1- Sinqeritetin vetëm për Allahun në fjalë dhe në vepra, sepse sinqeriteti është baza e çdo mirësie dhe prej tij buron çdo virtyt.
2- T’i lutet vazhdimisht Allahut që t’i japi sukses në këtë, sepse duaja është çelësi i çdo mirësie. Allahu nuk e kthen robin që i lutet Atij, e nuk e zhgënjen besimtarin që i drejtohet Atij.
3- Të ketë vullnet në kërkimin e diturisë dhe arritjen e saj, sepse dituria bën thirrje për virtyte dhe fisnikëri si dhe është pengesë për gjërat e ulta.
4- T’i kushtohet adhurimit të Allahut, e sidomos adhurimeve obligative, e në veçanti namazi; sepse namazi ndalon nga imoraliteti dhe e keqja.
5- Të zbukurohet me moralet e mira e të larta, e të largohet nga moralet e këqija e të ulta.
6- Të shoqërohet me njerëzit e zgjedhur e të ulet me të devotshmit, sepse mexhliset e tyre i rrethojnë melaiket e i përfshinë mëshira. E të tregoj kujdes nga mexhliset e njerëzve të këqij sepse ato janë vendet ku qëndrojnë shejtanët.
7- Të jetë këshillues për njerëzit kur rrinë e përzihet me ta, duke i nxitur për vepra të mira e duke i larguar nga e keqja.
8- Të përkujtojë kthimin tek Allahu dhe qëndrimin përpara Zotit të botrave; sepse Ai e shpërblen të mirin për mirësinë e tij dhe e dënon të keqin për të keqen e tij. “Ai i cili vepron një të mirë sa grimca do ta gjejë atë. E ai i cili vepron një të keqe sa grimca do ta gjejë atë” (Suretu: Zelzele: 7-8).
9- Dhe baza e gjithë kësaj është dëshira e robit për të vepruar vepra të mira e për të ndihmuar njerëzit. Përderisa dëshira gjendet, qëllimi ekziston, vendosmëria është e sigurt, e kërkimi i ndihmës nga Allahu është; duke vepruar punët siç duhet, me lejen e Allahut, ai është prej atyre që çelin dyert e mirësisë dhe mbyllin dyert e të keqes.
Allahu është Ai i cili kujdeset për robërit e Tij, duke u dhënë suksesin e Tij, e kujt të dojë ia hap të vërtetën, vërtetë Ai është hapësi më i mirë.
xhamiambret.com