I sprovuari me ndonjë fatkeqësi qiellore është më durimtar sesa ai që sprovohet me ndonjë padrejtësi prej njerëzve, sepse në rastin e parë ai e ndjen se kjo sprovë është nga ana e Allahut, kështu që ai heq dorë nga pengimi, dënimi ose hakmarrja, për dallim prej atij të cilit i është bërë zullum nga njerëzit, sepse shpirti i tij e ndien se mund ta pengojë, dënojë ose të hakmerret nga njeriu që i ka bërë padrejtësi.
Pra, durimi nga sprovat që vijnë drejtpërdrejt nga Allahu është më i vlefshëm dhe më i madh, siç ishte durimi i Jusufit alejhis-selam. Me anë të kësaj, ai e arrin shpërblimin e atyre që e frenojnë mllefin dhe zemra e tij lirohet nga dëshira e madhe për t’u hakmarrë ndaj njerëzve.
Që të dyja llojet e bëjnë personin të ndihet se kjo është për shkak të mëkateve të tij, por me anë të kësaj në fakt Allahu ia shlyen të këqijat, kështu që ai kërkon falje, pendohet dhe e kupton se ky lloj durimi është obligim për të dhe se shqetësimi është shkak për ndëshkim.
E nëse ai ngrihet dhe arrin deri në shkallën e kënaqësisë dhe e kupton se kënaqësia është parajsa e kësaj bote, qetësim për të devotshmit dhe dera më e madhe e Allahut, pra nëse këto gjëra i sheh si begati në të cilën ka dobi për zemrën dhe fenë e tij si dhe i sheh si afrim ndaj Allahut, falje të mëkateve, mbrojtje nga mëkatet në të cilat e thërrasin djajtë prej njerëzve dhe xhinëve, atëherë ai e falënderon Allahun për këto begati.
Fatkeqësitë qiellore dhe njerëzore janë të përbashkëta në këto çështje dhe njohuria dhe dituria e njerëzve për këto çështje është prej begative të Allahut me të cilat i shpërblen vetëm ata që Ai dëshiron nga robërit e Tij. Andaj gjendjet e njerëzve në sprovime janë të shumëllojshme. Pastaj, kur robi e shikon përcaktimin e Allahut duke qenë i vetëdijshëm se kjo punë është përcaktim i Allahut i Cili është Krijuesi i tij, në këtë rast ai i dorëzohet Zotit të Gjithëfuqishëm i Cili bën çfarë të dëshirojë. Kjo pra është gjendja e durimtarit i cili çështjen e tij e lenë plotësisht në vullnetin e Allahut, Bamirësit i Cili e bën zgjedhjen më të mirë për robin e Tij.
Në një hadith të cilin e transmeton Muslimi nga Suhejbi radijallahu anhu, pejgamberi sal-lallahu alejhi ue sel-lem kishte thënë:“Nuk përcaktohet për besimtarin diçka e të mos jetë hajer për të, nëse e godet ndonjë e mirë, ai falënderon dhe kjo është hajer për të, e nëse e godet ndonjë e keqe, ai bën durim dhe edhe kjo është hajer për të.,
Transmetojnë Muslimi, Ahmedi dhe Taberaniu.
Shkeputur nga libri “Virtytet e larta morale”
Autor Ibn Tejmije.