Banorët e Xhennetit dhe banoret e zjarrit

0
283

“Banorët e Xhennetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” (Furkan: 24)

Dmth ditën e Kijametit “Nuk janë njësoj banorët e Zjarrit me banorët e Xhennetit, banorët e Xhennetit do të jenë ata fitimtarët.” (Hashr: 20) kjo sepse banorët e Xhennetit do të vendosen në gradat e larta, të sigurtë në pallate shumëkatëshe, në një vend të sigurt, me pamje të bukur, në një vend të mrekullueshëm, “përjetësisht do të qëndrojnë aty, sa vend i mirë për të qëndruar është ai.” (Furkan: 76).

Ndërsa banorët e Zjarrit do të jenë poshtë, në gradat më të ulëta, në keqardhje të përhershme, dënime të llojllojshme, “ai me të vërtetë është një vend i keq dhe i shëmtuar.” (Furkan: 66), dmth sa vend me pamje të keqe për të qëndruar, e për të pushuar. Për këtë arsye tha i Lartësuari: “Banorët e Xhennetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” Dmth për shkak të veprave të tyre të pranuara (nga Zoti) e arritën këtë fitore madhështore, dhe erdhën këtu ku janë. Në kundërshtim me banorët e Zjarrit të cilët nuk kanë një punë të mirë e cila do t’i bëjë të futen në Xhennet, dhe të shpëtojnë nga Zjarri.

Kështu Allahu i Lartësuar tërhoqi vëmendjen për gjendjen e të lumturve dhe atë të të trishtuarve, dhe se këta të fundit nuk kanë asnjë mirësi, absolutisht.
Tha i Lartësuari: “Banorët e Xhennetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” Dahhaku përcjell se Ibn Abbasi ka thënë: “Ajo është vetëm një paradite, pastaj miqtë e Allahut do të pushojnë (në kohën e gjumit të paradites në dynja) në kolltukë së bashku me hyritë (gratë) e Xhennetit, ndërsa armiqtë e Allahut do të jenë bashkë me shejtanët.”

Seid ibn Xhubejri ka thënë: Allahu mbaron nga gjykimi i njerëzve në mesditë, pastaj banorët e Xhennetit pushojnë në Xhennet, ndërsa banorët e Zjarrit në Zjarr.

Ka thënë Ikrimeh: Unë e di kohën kur do të hyjnë banorët e Xhennetit në Xhennet, dhe banorët e Zjarrit në Zjarr, ajo është koha kur në jetën e kësaj bote ngrihej paraditja e madhe, kur njerëzit ktheheshin te familjet e tyre për të pushuar në gjumin e paraditës (mesditës), në atë kohë shkojnë banorët e Xhehennemit për në Xhehennem, dhe banorët e Xhennetit i dërgojnë në Xhennet, kësisoj pushimi i tyre do të jetë në Xhennet. Aty hanë nga mëlçia e balenës dhe ajo i ngop të gjithë, ky është kuptimi i fjalës së Allahut (të Lartësuar) “Banorët e Xhennetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.”

Nga Abdullah ibn Mes’udi përcjellin se ka thënë: Nuk do të bëhet mesditë derisa të pushojnë këta dhe ata, pastaj lexoi “Banorët e Xhennetit atë ditë kanë vendbanim më të mirë dhe pushim më të bukur.” Dhe lexoi “Pastaj vendi ku ata do të kthehen është Zjarri” (Saffat: 68).

Po nga Ibn Abbasi përcjellin se ka thënë për këtë ajet: Banorët e Xhennetit do të jenë në dhomat e tyre të Xhennetit. Gjykimi i tyre ishte vetëm sa u paraqitën një herë para Zotit të tyre, kjo është llogaritja e lehtë, siç thotë i Lartësuari: “E sa i takon atij që e merr librin me të djathtën. Ai do të llogaritet me një llogari të lehtë. Dhe do të kthehet pastaj tek familja e tij i lumtur” (Inshikak: 7-9)*

Them: si një njeri që është kthyer nga një udhëtim i gjatë dhe i lodhshëm, pastaj kthehet të pushojë tek familjarët e vet. Një udhëtim ku nuk ka qenë vetëm, por me shumë udhëtarë, të gjithë kanë udhëtuar së bashku, dikush ka arritur më parë në stacion, dikush më pas. E pastaj gjithësekush kthehet në shtëpinë e vet të ëmbël e të dashur, ku mezi e presin, me mall të madh, të përmalluar për të, dhe ai i përmalluar për ta! Eh sa bukuri, sa mallëngjim, sa emocion i madh do të jetë atë ditë, kur do të shikojmë Zotin tonë të Madhëruar, engjëjt e bukur, të Dërguarit e Allahut…, shokët e tyre që luftuan krah për krah tyre për këtë fe madhështore, për të arritur këtë shpëtim, këtë fitore të madhërishme, që nuk i ngjan asnjë fitoreje tjetër, nuk krahasohet me asgjë që kanë fituar ndonjëherë në dynja! Allah, shpresat i kemi tek Ti, punët të mangëta, të pakta…!)

*Nga tefsiri i Ibn Kethirit, Allahu e mëshiroftë.

Emin Bilali

Subscribe