Allahu i Madhëruar thotë:
“O ju të cilët keni besuar! Nëse çoheni të faleni (namazin), atëherë lani fytyrat tuaja, duart tuaja deri në bërryla, fshini (me duar të lagura) kokat tuaja dhe (lani) këmbët tuaja deri te nyjet…”[1]
Ky ajet dëshmon se abdesi është i detyrueshëm për atë që do të falë namazin, gjithashtu tregon se cilat gjymtyrë duhen larë, duke vendosur edhe kufijtë e kësaj larjeje. Në mënyrë më të plotë, abdesin me fjalë dhe vepra e ka treguar Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të).
Dije – o musliman – se abdesi ka kushte, farze (pjesë të detyrueshme) dhe sunete (pjesë të padetyrueshme). Pra, kushtet dhe farzet duhen plotësuar sa të jetë e mundur, në mënyrë që ai të jetë i saktë, ndërsa sunetet janë plotësuese, të cilat shtojnë shpërblimin dhe lënia e tyre nuk ndikon në saktësinë e tij.
Kushtet e abdesit janë tetë:
1- Islami, 2- mendja, 3- mosha e pjekurisë, 4- nijeti (qëllimi)
Katër kushtet e para janë për atë që e merr abdesin, pra s’duhet të jetë jobesimtar, i çmendur, fëmijë i parritur dhe as ndonjë që lahet duke mos e pasur qëllim abdesin, por thjesht për të hequr papastërtitë ose për t’u freskuar.
5- Uji të jetë i pastër (siç u shpjegua në kapitullin e ujërave).
6- Uji të jetë i lejuar, sepse nëse është i grabitur, i vjedhur etj., abdesi nuk është i saktë, pra s’vlen.
7- Është kusht që abdesi të merret kur njeriu të jetë pastruar mirë pas kryerjes së nevojave vetjake natyrale (siç u shpjegua në kapitullin përkatës).
8- Është kusht gjithashtu heqja e çdo gjëje që mund të pengojë depërtimin e ujit në lëkurë. Kështu, duhet hequr nga gjymtyrët që i prek abdesi çdo gjë e tillë, si: balta, brumi, dylli, boja, etj., në mënyrë që uji të rrëshqasë drejtpërdrejt në lëkurë.
[1] Maide, 6.
Shkeputur nga libri i Fikhut.