3 nivelet e ndryshimit të së keqes

0
1032

Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë:” Nëse dikush prej jush sheh një të keqe le ta ndryshojë atë me dorën e tij, e nëse nuk mundet atëherë me të folurën e tij, e nëse edhe këtë nuk e bën dot atëherë me zemrën e tij, megjithëse ky është niveli më i dobët i besimit”

Ky hadith tregon për 3 nivelet e ndryshimit të së keqes, me të cilën individët apo shoqëria përballen në jetën e tyre të përditshme. E keqja mund të jetë në aspektin fetar (si ateizmi, , shirku, bidatet,mëkatet, mungesë imamësh, etj), në aspektin edukativ (kurrikulume me gënjeshtra, apo të dobëta,të paqarta, jo të përshtatshme, staf i papërgatitur, analfabetizëm, mungesë librash, mungesë ambjentesh etj), në aspektin shëndetësor, organizativ, shtetëror,privat, familjar,etj etj.
Ndryshimi me dorë është shembull ilustrues ose metaforë e ndryshimit rrënjësor apo tërësor apo domethënës. Ndryshimi me dorë nënkupton ndërhyrjen direkte në problem duke e zgjidhur, zhdukur apo reduktuar ndjeshëm. Kjo ndërhyrje varion në larmishmërinë e vetë varësisht nga fusha ku bëhet fjalë, numri i njerëzve të implikuar, niveli i dëmit apo të keqes, nevoja emergjente apo jo për ndërhyrje, pozicioni specifik i atij që ndërhyn për ta ndryshuar, etj.

Pse them që “ndryshimi me dorë” është shembull ilustrues i ndryshimit domethënës apo tërësor? Psh drejtuesi i një shteti (qoftë ai mbret, president, kryeministër), drejtuesi i një organizate ose institucioni (ministër, drejtor, menaxher), ndryshimet themelore, tërësore apo domethënëse, i realizojnë nëpërmjet vendimeve, urdhrave, qëndrimeve, të cilat implementohen dhe kthehen në gjë të prekshme nga vartësit e tyre deri tek punonjësit që i materializojnë në praktikë.

Ose kryefamiljari i cili ndalon kryerjen e mëkateve në familjen e tij.
“Ndryshimi me gjuhë, të folur” është ilustrim i nivelit të dytë të ndryshimit të së keqes, i cili përfshin një kategori më të gjerë njerëzish, të cilët ndoshta nuk janë në pozita autoriteti që mund të ushtrojnë ndryshime domethënëse, detyruese, por që përsëri kundërshtinë dhe mospranimin e tyre të së keqes mund ta shprehin duke shpresuar në dy gjëra: a) ndërgjegjësimin e autoriteteve përkatëse të cilat mund të bëjnë ndryshimin domethënës

b) ndërgjegjësimin e sa më shumë individëve që të largohen, ruhen, distancohen, nga e keqja.
Këtu përfshihen të folurit në publik (media, xhami, shkolla, kuvende, etj) në grupe të mëdha apo të vogla, apo dhe këshillat private një me një. Përfshihet e shkruara e atyre që u është dhënë aftësi e përdorimit të penës në mënyrë analitike, elaboruese,artikuluese, motivuese, sqaruese, me qëllim ndërgjegjësimin e sa më shumë njerëzve, edukimin dhe informimin e saktë të tyre.

Këtu përfshihet financimi i librave, shpërndarja e diturisë me të gjitha format, apo dhe postimi në rrjetet sociale.
Këtu përfshihet lutja, si një armë e rëndësishme e besimtarit në çdo rrethanë, duke qenë njëkohësisht një nga format më të larta të adhurimit ndaj Zotit.

Niveli i fundit është ndryshimi me zemër i cili nënkupton urrejtjen e së keqes që po ndodh dhe dëshirën që ajo të mos ishte apo që nëse t’i do të kishe fuqinë dhe aftësinë për ta ndryshuar do e ndryshoje, megjithëse rrethanat nuk ta mundësojnë këtë për shkak të shtypjes reale, apo frikës se mund të dëmtohesh, apo pamundësisë intelektuale,etj.

Ky ngelet niveli më i ulët i besimit, sepse shpeshherë shumëkush zgjedh të heshtë, injorojë, të jetë i shkujdesur, të mos flasë,të mos reagojë, për të ruajtur “pozitën” e tij, për të mos u cënuar financiarisht (me heqje nga puna, humbje klientësh apo kontratash, etj), për të ruajtur lidhje shoqërore, për të mos u vënë në “siklet” para njerëzve, etj.

Shpërblimi apo ngarkesa me mëkat është sipas përgjegjësisë dhe mundësisë kundrejt niveleve përkatëse. Sa më lart në autoritet dhe mundësi për të ndryshuar aq më i madh shpërblimi, nëse realizon ndryshim, apo aq më i madh mëkati nëse e tradhëton përgjegjësinë.
E lusim Zotin të na falë, të na mëshirojë, të na i mbulojë të metat dhe paaftësitë tona,të na bëjë çelës hapës të të mirave dhe pengues të të këqijave, të na japë forcë për të qëndruar në të vërtetën, për ta përkrahur e publikuar atë, të na japë forcë e kurajo për ta ndryshuar të keqen dhe pakësuar atë. Shuajb Rexha