Vlera e madhe e permendjes se Allahut

0
120

Përcjell imam Muslimi nga Ebu Dherri radijAllahu anhu, e ky nga Profeti sal-lAllahu alejhi ue sel-lem se ka thënë: “Për çdo nyje që ka secili prej jush në trupin e tij kërkohet të jepet sadaka. Kështu që, çdo tesbih është sadaka, çdo tehmid është sadaka, çdo tehlil është sadaka, çdo tekbir është sadaka, urdhërimi për të mirë është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka. Të gjitha këto i kryen (zëvendëson) falja e dy rekateve në kohën e paradites (duhasë)”.
Kuptimi i fjalëve:

-“çdo tesbih është sadaka” d.m.th. fjala “SubhanAllah” konsiderohet sadaka.

-“çdo tehmid është sadaka” d.m.th. fjala “El-hamdulil-lah” konsiderohet sadaka.

-“çdo tehlil është sadaka” d.m.th. fjala “la ilahe il-lAllah” konsiderohet sadaka.

-“çdo tekbir është sadaka” d.m.th. fjala “Allahu ekber” konsiderohet sadaka.

-“urdhërimi për të mirë është sadaka” d.m.th. urdhërimi për punë të mira konsiderohet sadaka. “El-Ma’ruf” është emër përmbledhës i çdo gjëje që Allahu i Madhërua e do dhe është i kënaqur me të.

-“ndalimi nga e keqja është sadaka” d.m.th. ndalimi nga e keqja konsiderohet sadaka. “El-Munker” është emër i përgjithshëm i çdo gjëje që Allahu i Madhëruar e urren.

-“Të gjitha këto i kryen (zëvendëson) falja e dy rekateve në kohën e paradites (duhasë)” d.m.th. nëse njeriu nuk mundet t’i bëj gjërat e mësipërme, atëherë le të fal dy rekate namaz në kohën e paradites (duhasë) dhe kjo i zëvendëson ato.
Këshillë: Vëlla i dashur! Mos e privo veten tënde nga kjo sadaka që përmenden në hadith. Angazhoje gjuhën tënde me përmendjen e Allahut të Madhëruar në çdo kohë, në çdo vend, kur ecën, kur je ulur ose shtrirë në mënyrë që të jesh prej atyre për të cilët Allahu i Madhëruar thotë: “ata që e përmendin Allahun duke qëndruar në këmbë, ndenjur ose shtrirë.” Al Imran: 191

Vlera e përmendjes së Allahut të Madhëruar:

Përmendja e Allahut të Madhëruar është vepra më e dashur tek Ai. [1]

Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej shkaqeve të shpëtimit në dynja dhe botën Tjetër. [2]

Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej shkaqeve të faljes së mëkateve, edhe nëse janë sa shkuma e detit. [3]

Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej veprave më të rënda (në shpërblim) tek Allahu i Lartësuar. [4]

Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej veprave më të mira tek Ai (Allahu).

Përmendja e Allahut të Madhëruar është thesar prej thesareve të Xhenetit. [5]

Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej fjalëve më të dashura tek Ai (Allahu). [6]

Përmendja e Allahut të Madhëruar është një vepër e lehtë por me shpërblime të mëdha.

Përmendja e Allahut të Madhëruar është prej shkaqeve të hyrjes në Xhenet.

Përmendja e Allahut të Madhëruar të shpëton nga dënimi i Allahut ditën e Kiametit. [7]

Përgatiti: Unejs Sheme

[1] Shënon Ibën Hibbani (818) dhe e ka saktësuar Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!).

[2] Allahu thotë: “dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” El-Xhumuah: 10.

[3] Mutefekun alejhi. Buhariu (6405) dhe Muslimi (2691).

[4] Mutefekun alejhi. Buhariu (6406) dhe Muslimi (2694).

[5] Mutefekun alejhi. Buhariu (4205) dhe Muslimi (2704).

[6] Shënon Muslimi (2731).

[7] Shënon imam Ahmedi (36/379) dhe Trimidhiu (3377). Hadithin e ka saktësuar Shejh Albani (Allahu e mëshiroftë!)