Falja e gabimeve

0
357

18. Transmeton Ebu Hurerja [radijallahu anhu] se Pejgamberi [salallahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Asnjë lëmoshë nuk e pakëson pasurinë, ai që i falë gabimet Allahu ia shton krenarinë kurse ai që për hir të Allahut bëhet modest Allahu e ngrit.” (Transmeton Muslimi)

Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që All-llahu t’u falë. All-llahu falë dhe mëshiron shumë.” (Nur – 22) dhe “Ti (Muhammed) merre të lehtën, urdhëro për të mirë dhe hiqu prej të padijshmëve.” (A’raf – 199)

Dijetarët rreth hadithit të lartëpërmendur ka dhënë dy mendime:

-Mendimi i parë: nga hadithi mirret kuptimi i parë që na bie në sy e ai është: çdokush që njihet me falje të gabimeve bëhet prijës i njerëzve, i madh në zemrat e tyre dhe me këtë i shohet krenaria dhe nderi.

-Mendimi i dytë: ai i cili i posedon ato cilësi shpërblimin dhe krenarinë e gjenë në Ahiret.

Dije së kënaqësia e flajes së gabimeve është më e mirë se kënaqësia e hakmarrjes sepse kënaqësinë e të parës e pason përfundimi i lavdëruar kurse të dytën pikëllimi i keqardhjes.

Omeri [radijallahu anhu] ka thënë: falja më e mirë është kur ka mundësi për hakmarrje kurse synimi më i mirë kur ka aftësi për të kryer veprën.

Seid ibën Musejjebi [rahimehullah] ka thënë: të gabojë gjykatësi e të falë gabimin është më mirë se të gabojë e të dënojë veprën.

Transmetohet se Lukmani i ka thënë birit të tij: ka gënjyer ai i cili thotë se e keqja e shuan të keqen, nëse kjo është e vërtetë le të provojë zjarrin me zjarr, pastaj le të shikojë a e shuan njërin me tjetrin! E vërteta është se e mira e shuan të keqen sikur që uji e shuan zjarrin.

Transmetohet se një njeri i ka thënë halifes Mensur kur ai fitoi luftën në Sham banorët e të cilit luftuan kundër tij: o udhëheqës i besimtarëve! Hakmarrja është drejtësi kurse falja vlerë e lartë, e ne lusim Allahun që udhëheqësi ynë të zgjedhë për vete gradën më të lartë e të mos zgjedh gradën më të keqe.

Në një fjalë të urtë qëndron: përparësi më të madhe për falje ka ai që ka më tepër mundësi për hakmarrje kurse mendje më të mangët ka ai që i bën padrejtësi më të dobëtit.

Halifja Me’mun ka thënë: dëshirova që kriminelët të dijnë mendimin tim rreth faljes që t’ju rehatohen zemrat.

Ia sollën Me’munit një njeri i cili kishtë bërë gabim dhe i tha: a je ti ai i cili ka bërë këtë e këtë? Ai u përgjigj: po, unë jam o prijës i besimtarëve! Unë jam ai i cili e dëmtova veteveten duke u mbështetur në zemërgjërsinë (faljen) tënde. Me’muni pas këtyrë fjalëve ia fali gabimin.

Zoti ynë! Sikur të mos ishte dëshira yte për të falur nuk do të ekzistonin ata që të kundërshtojnë me mëkate, dhe sikur të mos ishte falja yte nuk do të hynte askush në Xhennet, na dhuro faljen dhe bujarinë tënde, o Dhurues i Madh!

/xhamiambret.com

Subscribe