Në sunetin e Pejgamberit gjejmë përputhshmëri me ajetet e lartëpërmendura për domosdoshmërinë e bamirësisë ndaj prindërve dhe nxitje kah ajo,si dhe qortim dhe frikësim për mosdëgjimin e tyre.
Është vërtetuar se Pejgamberi ka thënë:
“Pajtimi i All-llahut është në pajtimin e prindërve si dhe hidhërimi i All-llahut është në hidhërimin e tyre”
[Transmeton Taberiu në Kebir kurse hadithin e vërteton Albani]
Transmetojnë Ebu Davudi,Nesaiu dhe Ibnu Maxhe me zinxhirë të saktë nga Abdullah ibën Amër ibën Asi i cili thotë: Erdhi tek i Dërguari i All-llahut një njeri dhe i tha atij: i lash prindërit duke qarë dhe erdha të të jap besën për hixhret.Pejgamberi tha:
“Kthehu dhe bëri ata të qeshin ashtu siç i bëre të qajnë”
Transmeton imam Ahmedi në Musned dhe Ibni Maxhe nga Muavije ibën Xhahime es-Selmij i cili kërkoi leje nga Pejgamberi që të marrë pjesë në xhihad me të.Pejgamberi e urdhëroi që të kthehet dhe të sillet mirë me nënën e tij. Pasi që ai nguli këmbë, Pejgamberi i tha:
“Mjer për ty…rri afër saj, se aty është Xhenneti.”
Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejreja i cili thotë:
” Erdhi një njeri tek i dërguari i All-llahut dhe i tha: ” O i Dërguari i All-llahut cili është njeriu më i denjë për sjellje të mirë ndaj tij? Ai iu përgjigj: Nëna yte.Tha: pastaj cili? U përgjiigj:Nëna yte. Tha: pastaj? U përgjigj: Nëna yte. Ai tha përsëri: pastaj? Pejgamberi u përgjigj: Babai yt.”
Ky hadith na mëson se nëna meriton bamirësi tre herë më tepër se babai për shkak vështirësive që ka në bartjen e fëmiut në barkun e saj,pastaj lindjes, pastaj dhënies gji e të tjerë.Në këtë që u tha sinjalizon ajeti kur’anor:
“Ne njeriun e kemi urdhëruar për (sjellje të mira ndaj) prindërve të vet, sepse nëna e tij atë e barti mund pas mundi dhe pas dy viteve ia ndau gjinin”
[Lukman, 14]
Është vërtetuar se Pejgamberi ka thënë:
“Al-llahu nuk do të shikojë Ditën e Kijametit në tre njerëz: Në atë që nuk respekton prindërit e tij, femrën që iu përgjanë meshkujve dhe Dejjuthin (ai që nuk xhelozon për nderin e familjes së vet, sh.p.).Kurse tre njerëz nuk do të hynë në xhennet: Ai që nuk respekton prindërit e tij,konsumuesi i alkoolit dhe ai që u jep lëmoshë të varfërve dhe mburet para tyre.”
Transmeton Imam Ahmedi me zinxhirë të mirë nga Muadh ibën Xhebeli i cili thotë:
” Më porosti Pejgamberi me dhjetë gjëra.Më tha: “Mos i bën shirk All-llahut po edhe nëse vritesh apo digjesh.Mos u bën i padëgjueshëm ndaj prindërve edhe nëse të urdhërojnë të braktisish familjen dhe pasurinë…”
Bamirësia është edukatë e Pejgamberit tonë dhe pejgamberëve tjerë para tij. Ajo që u përmend më lartë ishte pasqyrim i udhëzimit të Muhamedit nga fjalët e tij. Sa i përket praktikës së tij mund të theksojmë rastin kur ai kaloi së bashku me shokët dhe ushtrinë e tij pranë varrit të nënës së vet Emine bint Vehb në një vend mes Mekes dhe Medines të quajtur Ebva. Pejgamberi u ndal afër varrit të saj për ta vizituar. Ndërkohë filloi të qajë, qanë edhe ata që ishin përreth tij. Pastaj tha:
“Kërkova leje prej Zotit tim që të lypi falje për nënën time mirëpo nuk më lejoi,pastaj kërkova leje që ta vizitoj atë dhe këtë ma pranoi.Pra vizitoni varrezat se kjo ua përkujton Ahiretin”
[Transmeton Begaviu në Sherh´us´Sunnah kurse baza e hadithit është në Sahihul Muslim]
Ne kemi shembull edhe në Ibrahimin, mikun e All-llahut, babain e pejgamberëve, prijësin e besimdrejtëve kur i drejtohet babait të vet me fjalë të buta dhe të ëmbëla edhepse ai ishte i pafe. “O babai im” i thoshte atij duke e thirrë që vetëm All-llahun ta adhurojë dhe ta lë shirkun. Pasiqë ai nuk pranoi dhe iu kërcënua me rrahje e persekutim, Ibrahimi nuk shtoi më tepër se fjalën: “Qofsh i lirë prej meje! Unë do ta lus zotin tim për të falur ty” [Merjem, 47]
All-llahu e lavdëroi Jahja ibën Zekerijjanë kur tha për të:
” Edhe i sjellshëm ndaj prindërve të vet, nuk ishte kryelartë e i pandëgjueshëm.”
[Merjem, 14]
All-llahu në këtë kuptim regjistroi shembuj të shumtë në Librin e tij.
Kështu ishin edhe selefi i këtij ummeti, njerëzit më të kujdesshëm në bamirësinë ndaj prindërve. Ebu Hurejreja kur dëshironte të dalë prej shtëpie ndalej në prag të derës dhe thoshte: “Paqa, mëshira dhe bekimi i All-llahut qofshin mbi ty oj nëna ime.” Ajo i thoshte: ” Edhe mbi ty qoftë paqa, mëshira dhe bekimi i All-llahut o biri im.” Ai përsëri thoshte: ” All-llahu të mëshiroftë ashtu si je kujdesur për mua kur isha i vogël.” Ajo ia kthente: ” All-llahu të mëshiroftë për bëmirësinë tënde ndaj meje pasiqë u rrite.”Një ditë nëna e Abdull-llah ibën Mes’udit kërkoi ujë prej tij. Ai shkoi për të sjellë ujë dhe pasi kthehet e gje nënën duke fjetur. U ul pranë saj dhe priti deri në mëngjes me ujë në dorë. Nuk e zgjoi prej gjumi për mos ta penguar e as që u kthye sepse ajo mund të zgjohej, të kërkoj ujë dhe të mos gjente.Vini re rastit të Hasen Temimit i cili deshi të mbys një akrep, e pasiqë nuk arriti të mbys, akrepi u fut në një vrimë në shtëpinë e tij. Vuri dorën në vrimë dhe e mbylli atë, mirëpo e kafshoi atë akrepi. i tha dikush atij: “Pse veprove ashtu?” Ai u përgjigj: “U frikova që mos të dalë nga vrima dhe ta kafshojë nënën time.”Ibën Aun el Muzenin e thiri një ditë nëna e tij e ky iu përgjigj me zë të lartë për ta dëgjuar ajo. Ai u pendua për këtë gjest dhe në shenjë pendimi liroi dy robër.Për bamirësinë e selefit ndaj nënës ka pasqyrime të shkëlqyera e raste të shumta që nuk mund të përmenden të gjitha në këtë vend, por mund vetëm të jepet shenjë për mirëbërësinë e tyre të madhe duke përmendë disa raste.Po qe se shikojmë me sy vështrues në gjendjen tonë do të shohim mangësi të madhe në sjelljen me baballarët dhe nënat tona e ndoshta ndonjëri edhe nuk i respekton ata, All-llahu na mbroftë.
Mosrespektimi i prindërve mund të shfaqet në shumë mënyra. Prej tyre:
· Kryelartësia dhe hierëndësia ndaj prindërve
Dhënia përparësi ndonjërit para tyre si shokut, bashkëshortes, madje edhe vetvetes.
· Thirrja e tyre në emër me qëllim fyerje, mosrespektimi apo nënçmimi.
· Bërja e tyre të qajnë dhe futja e pikëllimit në zemrat e tyre, me fjalë ose vepra.
· Ngritja e zërit në prezencën e tyre.
· Të bezdisurit nga fjalët e tyre.
· Mërrolja para tyre dhe shikimi i tyre shtrembët.
· Urdhërimi i tyre.
· Mospëlqimi i ushqimit që e përgatit nëna.
· Mosdëgjimi i tyre kur flasin.
· Shkaktimi i problemeve para tyre me anëtarët tjerë të familjes.
· Qëndrimi jashtë shtëpisë kohë të gjatë, kur prindërit kanë nevojë të jetë dikush pranë tyre, pa lejen e tyre.
· Lënia e tyre në strehimore për pleq.
· Dëshira për vdekjen e tyre.
· Ankimi i shumtë para tyre.
· Kopracia ndaj tyre.
· Qortimi dhe sharja e tyre para njerëzve.
Disa njerëz shpeshherë shtirren se nuk e dinë vlerën e rëndësinë e prindërve dhe për këtë nuk ikryejnë obligimet ndaj tyre. A nuk e di ky mosrespektues apo mosrespektuese se mirëbërësia ndaj prindërve është obligim i All-llahut dhe se vlera e prindërve është e lartë që nuk mund ta mohojë përveç përgënjeshtruesve dhe të padrejtëve, ata në fytyrat e të cilëve nuk ka shenja të udhëzimit.
Nëna e cila ka bartë fëmiun në barkun e saj nëntë muaj me vështirësi të njëpasnjëshme dhe sa më tepër që është zhvilluar fetusi i ka shtuar asaj barrën dhe mundimin. Ajo e ka lindur atë me plotë dhimbje duke iu ekspozuar vdekjes. Ajo të gjitha shpresat e saja i ka të varura për këtë fëmijë në të cilin sheh lumturinë e jetës dhe bukuritë e saj. Pastaj kjo nënë i shërben fëmiut ditë e natë, e ushqen me shëndetin e saj, e çlodhë me të lodhurit e saj, qumshti i saj është ushqim për të , kujdesja e saj është shtëpi për të, krahrori dhe duart e saj janë shtrat për të, e mbron dhe përkujdeset për fëminë e saj, uritet për të ngopur atë, rrin pa gjum që ai të flejë. Është e mëshirshme me fëmiun e saj, përdëllimtare ndaj tij. Kur mungon ajo, fëmiu atë e thërret, nëse e godet ndonjë gjë e padëshiruar te nëna e tij kërkon ndihmë. Mendon se tërë e mira burimin e ka tek ajo dhe se e keqja nuk mund ta godet kur është në përqafimin e saj ose kur ajo e vështron me syrin e saj.
E si mund pas tërë kësaj nëna të shpërblehet me mosrespektim dhe kthyerje të shpinës. O Zot këkojmë falje dhe mëshirë!
Babai me tërë forcën e tij punon, vrapon dhe largon pengesat e ndryshme duke kërkuar kafshatën e gojës që ta shpenzojte fëmijët e tij. Me fytyrë të buzëqeshur hyn në shtëpi, i gëzuar del prej shtëpie. Kur është prezent lidhet për fëmiun, e përqafon dhe e mban në prehër. E si mund tërë kjo të injorohet. Zoti na mbroftë nga përbuzja.
Fatkeqësi e vërtetë është të përbuzet e mira e prindërve të cilët çdoherë mundohen për mirëqenien e fëmiut të tyre e më pas ky fëmjë mashkull qoftë apo femër sikur e ka haruar dobësinë dhe fëmijërinë e tij i mahnitur me vetveten, i mashtëruar me dijën, kulturën dhe pozitën e tij të lartë, u bën keq prindërve duke shprehë mërzi dhe padisponim ndaj tyre, duke iu drejtuar me zë të lartë madje edhe me fjalë fyese dhe shqetësuese. Ata i dëshirojnë jetë sa më të mirë kurse ky ua dëshirën vdekjen atyre.
Le të ketë kujdes çdo i mençur që të mos bëj lëshime në obligimet e tij ndaj prindërve se përfundimin do ta ketë të keq. Le të bëhet i zellshëm në mirëbërësinë ndaj tyre se ata shpejtë marrin udhën për botën tjetër e pastaj e kaplon pendimi.
Bamirësia ndaj prindërve është virtyt i shpirtërave të ndershëm. Ajo do të ishte vepër e lavdëruar edhe sikur të mos ishte urdhër i All-llahut. E ç’mund të themi nëse ajo është më tepër se një vepër e lavdëruar? Me bamirësinë ndaj prindërve fshihen mëkatet, pranohen lutjet te Zoti i botëve, zgjërohet gjoksi, jeta bëhet e lumtur dhe mbetet përkujtimi i mirë pas vdekjes.
O Zot na fal neve dhe prindërit tanë. Mëshiroi ata ashtu si u përkujdesën për ne kur ishim foshnje. Shpërblej ata ashtu siç i shpërblen robërit e mirë.