Qabeja është shtëpia e parë për adhurimin e Allahut në Tokë.✍
Allahu i madhëruar ka bërë për banorët e Tokës shtëpi për adhurimin e Tij, siç ka bërë edhe për banorët e qiejve të lartë.
Shtëpia e parë në Tokë e ndërtuar për këtë qëllim është Qabeja e Mekës, siç thotë Allahu i Madhëruar në Kuran:
《E para shtëpi e vënë për njerëzit është ajo e Bekës (dmth: e Mekës), e bereqetshme dhe udhëzim për të gjithë botët》
Sure Ali Imran: 96.
Fjala e tij “E para shtëpi” tregon qartë se Qabeja është e para absolute dhe se para saj nuk ka pas shtëpi tjetër për adhurimin e Allahut në Tokë.
Këtë gjë e pohon edhe profeti ynë, Muhamedi -alejhi selam-.
Ebu Dherri -radiallahu anhu- tregon:
《E kam pyetur Profetin -alejhi selam-: cila xhami është ndërtuar e para?
Ai më tha: Xhamia e Shenjtë (Qabeja).
I thashë: Pastaj cila?
Ai më tha: Xhamia Aksa.
I thashë: Sa ka pas mes tyre?
Ai më tha: dyzet vjet. Dhe ku të kapë namazi, falu se aty është xhami!》
E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Ky hadith përveçse vërteton faktin e lartpërmendur, shton edhe një fakt tjetër kur tregon se xhamia e dytë në tokë e ndërtuar për të njëjtin qëllim, është xhamia Aksa.
Hadithi përmend gjithashtu se mes dy xhamive ka pas një distancë kohore prej dyzet vjet, fakt i cili i vë një kufi kohor ndërtimit të saj.
Përshtatshmëria e kësaj distance kohore, me ndërtuesin e njohur të Aksas Sulejmanin -alejhi selam-, i ka pas preokupuar shumë njerëzit, sepse Sulejmani -alejhi selam- është shumë më shumë se dyzet vjet pas Ibrahimit -alejhi selam- ndërtuesit të Qabesë.
Ibn El-Kajimi -Allahu e mëshiroftë- në librin e tij Zad El-Mead i ka dhënë përgjigje shumë me vlerë kësaj çështjeje dhe ka thënë:
“Ky hadith ka qenë problem për ata që nuk e kanë kuptuar domethënien e tij duke thënë: dihet se Sulejmani i biri i Daudit është ai i cili e ka ndërtuar xhaminë e Aksa dhe mes tij dhe Ibrahimit ka më shumë se një mijë vjet!
Kjo është nga injoranca e atij që flet, sepse Sulejmani është përtëritësi i ndërtimit të Xhamisë Aksa dhe jo themeluesi i saj. Themeluesi i saj ka qenë Jakubi i biri Is’hakut -alejhima selam- pas ndërtimit të Ibrahimit -alejhi selam- aq sa është përmendur në hadith”.
Mbaron këtu fjala e tij Allahu e mëshiroftë!
Pra, Qabeja është shtëpia e parë e ndërtuar për adhurimin e Allahut në tokë dhe është ndërtuar 40 vjet para ndërtimit të xhamisë së Beni Israilëve në Sham.
Fakti që Qabeja është shtëpia e parë, nuk do të thotë se është e para e të gjitha shtëpive, qoftë edhe atyre të banimit që të thuhet se ajo është ndërtuar në tokë para ekzistencës së njerëzve.
Aliu -radiallahu anhu- kur është pyetur për Qaben ka thënë:
“Ka pasur shtëpi para saj, por kjo është shtëpia e parë e bërë për adhurim”
E transmeton Ibn Ebij Hatim.
Kjo thënie e Aliut -radiallahu anhu-, përveçse tregon se xhamia e Qabesë është shtëpia e parë e ndërtuar për adhurim, hedh poshtë njëkohësisht dhe pretendimet e disa historianëve, se ajo është ndërtuar që në kohën e Ademit -alejhi selam- apo para tij.
Kjo është ana kohore e ndërtimit të Qabesë së nderuar për të folur më pas për ndërtuesin e saj Ibrahimin -alejhi selam-.
Dr. Abdullah Nabolli