Puna më e mirë

0
7
Puna më e mirë
Abdullah bin Mesudi -radiallahu anhu- thotë:
《E pyeta Profetin -alejhi selam-: Cila është puna më e mirë?
Ai më tha: Namazi në kohën e tij》.
E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
♦️Sqarime
➖Puna më e mirë ka për qëllim adhurimet praktike dhe jo punët në përgjithësi, sepse besimi në Allah dhe në Profetin e Tij i cili është punë zemre është më lart se çdo gjë tjetër pasi ai është baza prej të cilës degëzohet e gjithë feja.
➖Namazi në kohën e tij dmth: Namazi që kryhet në kufijtë kohor të tij të përcaktuar nga Allahu i madhëruar, apo namazi në fillim të kohës së tij siç pretendojnë disa prej dijetarëve.
♦️Pse namazi në kohën e tij është puna më e mirë?
▪️Namazi ka disa karakteristika që e dallojnë nga detyrat e tjera:
➖E para: Namazi është e para detyrë praktike me të cilën janë porositur besimtarët pas besimit në Allah dhe në profetin e Tij. Ajo ka zbritur para hixhretit natën e Israsë dhe Miraxhit ndërsa detyrat e tjera që të gjitha kanë zbritur pas hixhretit.
➖E dyta: Namazi për nga mënyra sesi kryhet, ndryshe nga të gjitha detyrat e tjera praktike është bisedë me Allahun e cila përmban: lexim nga libri i Tij, madhërime për Të dhe lutje. Profeti alejhi selam thotë: “Ndonjëri prej jush, kur ngrihet për tu falur, bisedon me Zotin e tij” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
➖E treta: Namazi është direku i fesë siç ka thënë Profeti alejhi selam që do të thotë se kush e ruan atë ka ruajtur fenë dmth: ka ruajtur edhe shtyllat e tjera të fesë.
➖E katërta: Me namaz dallohet: qartazi, dukshëm dhe në çdo kohë besimtari nga të tjerët, sepse nuk ka detyrë prej detyrave të Islamit veçse përmbajnë kushte të cilat mbase nuk plotësohen tek të gjithë njerëzit ndërsa tek namazi janë barazuar të gjithë njerëzit.
➖E pesta: Namazi është e para punë për të cilën merren në llogari njerëzit. Profeti alejhi selam thotë: “Më e para punë për të cilën merren në llogari njerëzit është namazi. Nëse ai është i rregullt njeriu ka shpëtuar e nëse ai nuk është i rregullt njeriu ka dështuar”. E transmeton Tirmidhiu dhe e saktëson shejh Albani.

Dr. Abdullah Nabolli

Subscribe