Llojet e sprovave

0
10

Llojet e sprovave♦️
♦️Sprovimi i robit me fatkeqësi dhe vuajtje. ✍️
Allahu i madhëruar për të parë sinqeritetin e robit apo hipokrizinë e tij dhe durimin e robit apo shtangien e tij, e sprovon atë me fatkeqësi dhe vuajtje si: frika, sëmundjet, varfëria, armiqësia, vdekja etj.

➖Allahu i madhëruar thotë:
“A mos menduan njerëzit se do të lihen të thonë besuam e të mos sprovohen?! * Ne i sprovuam ata që ishin para tyre dhe kështu Allahu do të dijë se kush janë të sinqertët dhe kush janë gënjeshtarët” Sure El-Ankebut: 2-3.

➖Ai gjithashtu thotë:
“Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit * Ata të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” Sure El-Bekare: 156.

♦️Këto sprova për besimtarët janë shkak ose për pastrim nga gjynahet, ose për ngritje në grada të larta në Ahiret, ose për tu mundësuar atyre mirësitë e kësaj bote të cilat duhen merituar.

➖Për sa i përket pastrimit nga gjynahet kanë ardhur disa hadithe nga Profeti -alejhi selam- të cilat tregojnë për këtë domethënie.

Profeti alejhi selam thotë:
“Nuk ndahen sprovat nga besimtari dhe besimtarja në trupin, pasurinë dhe fëmijët e tyre, derisa të takohen me Allahun dhe të mos mbajnë mbi vete asnjë gjynah” E transmeton Ahmedi, Tirmidhiu etj dhe e saktëson Shejh Albani.

Ai gjithashtu thotë:
“Çfarë e prek myslimanin prej lodhjes, sëmundjes, merakut, mërzisë, mundimit, pikëllimit deri dhe hyrja e një gjembi, veçse Allahu i madhëruar ka për ta pastruar atë nga gjynahet e tij” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ndërsa në një thënie tjetër thotë:
“Çdo mysliman që e prekë ndonjë vuajtje që nga gjembi e lart, veçse Allahu i madhëruar ka për ta pastruar atë nga gjynahet e tij, siç bien gjethet nga pema” E transmeton Buhariu dhe Muslimi.
Këto hadithe tregojnë se besimtarët preken nga fatkeqësitë dhe vuajtjet në Dynja, sepse Allahu i madhëruar do që ti përgatisë ata për Xhenet dhe për këtë arsye Ai do që ti pastrojë ata nga ato që janë ngjitur pas tyre prej ndyrësive të kësaj Dynjaje, ndërsa banorët e Xhehenemit nuk e meritojnë këtë pastrim, Ai përkundrazi do që ata të mbushen sa më shumë me ndyrësitë e saj që të mos kenë pjesë në Ahiret -siç u tha më lart- dhe kjo arrihet duke i mashtruar me mirësi.
Madje mos-sprovimi i besimtarëve në këtë botë me ndonjë vuajtje mund të jetë shenjë e keqe për ta, sepse çdo njeri në këtë botë është i gabueshëm.

Ebu Hurejra -radiallahu anhu- tregon: “Një bedevi kaloi pranë Profetit alejhi selam dhe atij i pëlqeu shëndeti dhe fuqia e tij. Atëherë Profeti alejhi selam i thirri atij dhe e pyeti: A të kanë prekur ndonjëherë ethet? Ai tha: çfarë janë ethet? Profeti alejhi selam i tha: Zjarrmi mes lëkurës dhe mishit. Bedeviu i tha: Nuk më ka ndodhur kurrë. Profeti alejhi selam e pyeti përsëri: A ke ndjerë ndonjëherë dhimbje koke? Bedeviu i tha: çfarë është dhimbja e kokës? Profeti alejhi selam iu përgjigj: Avull që shfaqet në kokë dhe godet damarët. Kur bedeviu u largua, Profeti alejhi selam tha: Kush do që të shohë një burrë të zjarrit të Xhehenemit, të shohë këtë!” E transmeton Ahmedi, Buhariu etj dhe e saktëson Shejh Albani.

Fjala e tij [Kush do që të shohë një burrë të zjarrit të Xhehenemit, të shohë këtë!] tregon se banorët e Xhenetit janë e kundërta e gjendjes së këtij burri i cili u përshkrua se është banor i Xhehenemit. Ata që nuk pastrohen në Dynja do të pastrohen me patjetër në Ahiret për tu bërë pjesë e zjarrit të Xhehenemit.

➖Ndërsa për sa i përket ngritjes së gradave të besimtarëve nëpërmjet sprovimit kanë ardhur edhe ajete kuranore edhe hadithe.
Allahu i madhëruar në lidhje me sprovimin e besimtarëve me armiq dhe konkretisht në lidhje me ngjarjet e luftës së Uhudit ku myslimanët humbën shumë prej shokëve të tyre, thotë:
“Nëse ju ka goditur ndonjë plagë, edhe popullin (armik) e kanë goditur të tilla plagë. Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë. Allahu nuk i do keqbërësit” Sure Ali Imran: 140.
Fjala e tij [dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë] tregon se prej arsyeve të sprovimit të besimtarëve me sprova në këtë botë është edhe ngritja e tyre në grada, sepse grada e dëshmorit është një ndër gradat më të larta në Xhenet dhe ajo pa të tilla sprova nuk arrihet.
Në lidhje me këtë domethënie Profeti alejhi selam thotë:
“Kur Allahu i madhëruar i ka caktuar robit të tij një pozitë të veçantë të cilën nuk e ka arritur dot me punën e tij, e sprovon atë në trupin, apo pasurinë, apo në fëmijët e tij, pastaj i jep durimin ndaj tyre derisa ta arrijë atë pozitë të cilën ia ka caktuar” E transmeton Ebu Daudi, Ahmedi dhe e saktëson Shejh Albani.
Pra, në ngritjen e gradave të robit nuk ndikon vetëm puna e tij, por edhe durimi ndaj sprovave të kësaj bote çfarë do të thotë se grada e tij përfundimtare do të jetë nga bashkimi i të dyjave.

➖Ndërsa në lidhje me mundësimin e besimtarëve mirësitë e kësaj bote nëpërmjet sprovimit, Allahu i madhëruar kur tregon për Beni Israilët, thotë:
“Me të vërtetë Faraoni ishte arrogant në tokë dhe banorët e saj i kishte përçarë në grupe. Disa prej tyre i përndiqte duke ua vrarë fëmijët meshkuj dhe duke ua lënë gjallë femrat. Ai vërtet ishte keqbërës. Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë dhe t’i bënim prijës e trashëgimtarë (të pushtetit)” Sure El-Kasas: 4-5.
Fjala e tij [Por vullneti Ynë ishte që t’u jepnim mirësi atyre që qenë të shtypur në tokë dhe t’i bënim prijës e trashëgimtarë (të pushtetit)] tregon se Allahu i madhëruar i sprovoi ata me një armik të tillë për një qëllim të lartë që ata të bëhen prijës të njerëzve në udhën e drejtë dhe që pushteti i tokës të kalojë në duart e tyre dhe që të dyja janë prej mirësive më të mëdha të kësaj bote. Ata për këtë mirësi duheshin përgatitur, sepse mirësia duhet merituar, vlerësuar dhe falënderuar dhe kjo domethënie pa një sprovë të tillë të madhe nuk do të realizohej.

♦️Kurse në lidhje me gjynahqarët dhe mohuesit, Allahu i madhëruar nëpërmjet sprovimit të tyre me fatkeqësi, ka një qëllim tjetër, sepse fatkeqësia për ta është: ose mundësi për të reflektuar, ose dënim për ta që në Dynja, për tu pasuar më pas me dënimin e Ahiretit -Allahu na ruajt-.

➖Allahu i madhëruar në lidhje me reflektimin thotë:
“Ne u kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe u sollëm ashpër me ta duke u dërguar skamje dhe fatkeqësi, me qëllim që të nënshtrohen” Sure El-Enam: 42.
Fjala e tij [me qëllim që të nënshtrohen] tregon se fatkeqësitë që prekin mohuesit dhe gjynahqarët janë një mundësi reflektimi për ta, sepse nënshtrimi nënkupton kthimin nga Zoti dhe është e kundërta e kryengritjes ndaj Tij. Reflektimi në përgjithësi ndodh në raste fatkeqësish dhe ky është shkaku se pse është përmendur me to dhe jo me sprovimin me mirësi, sepse mendjet njerëzore në raste të tilla kthjellohen më përjashtim të atyre të cilët puna e tyre e ligë ka kaluar çdo kufi dhe ua ka verbuar zemrat.

➖Ndërsa në lidhje me dënimin e tyre që në këtë botë para Ahiretit nëpërmjet sprovimit me fatkeqësi, Allahu i madhëruar kur tregon për familjen e Faraonit thotë:
“Allahu e ruajti atë (besimtarin) prej të këqijave dhe kurtheve të tyre, ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë. Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje e kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: Futini ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!” Sure Gafir: 45.
Fjala e Tij [ndërsa ithtarët e Faraonit i kaploi dënimi i vrazhdë] tregon për dënimin me mbytje që ata morën në Dynja.
Fjala e Tij [Ata do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje] tregon për dënimin e botës së Varrit.
Ndërsa fjala e Tij [e kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: Futini ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!] tregon për dënimin pas llogarisë në ditën e Kiametit kur ata të futen në zjarrin e Xhehenemit.
Të njëjtin përfundim e shohim se Allahu i madhëruar ua premton edhe Beni Israilëve kur bënin dallime ne librin e Allahut dhe u thotë:
“Si e besoni një pjesë të librit dhe e mohoni tjetrën?! Shpërblimi i atij që vepron kështu, nuk është veçse poshtërimi në këtë botë dhe ditën e Kiametit të dërgohet në dënimin më të ashpër” Sure El-Bekare: 85

Dr.Abdullah Nabolli

Subscribe