Agjërimi sjell devotshmëri në zemrën e besimtarit

0
399

Agjërimi është rrugë apo shkak përmes të cilit njeriu e arrin devotshmërinë.

Këtë e ka përmendur vetë Allahu në Kuran: “O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të bëheni të devotshëm.” Bekare 183. Siç e dimë, agjëruesi është urdhëruar të braktisë mëkatet dhe të kryejë urdhrat e Allahut (të shtojë sa më shumë adhurimet).

Ka thënë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem: “Ai që (gjatë agjërimit) nuk i lë fjalët e kota (të këqija, të ulëta), veprat e këqija (mëkatet e bëra me gjymtyrë të tjera) dhe padrejtësinë ndaj të tjerëve, Allahu nuk ka nevojë që ai të braktisë ushqimin dhe pijen.” Buhariu.

Agjëruesit, sa herë që i shkon mendja të bëjë një mëkat, i kujtohet se është agjërueshëm dhe e braktisë atë (e ndalë veten). Për këtë Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem na ka urdhëruar neve që nëse dikush na shan apo na ofendon, duke qenë (ne) agjërueshëm, t’i themi: “Unë jam agjërueshëm!”

Përmes kësaj, ai ia tërheqë vërejtjen atij që e shan apo e ofendon, se agjëruesi është i urdhëruar dhe i obliguar të braktisë fjalët e kota, ta ndalë veten nga sharja dhe ofendimi, njëkohësisht me këto fjalë ia kujton vetes se është agjërueshëm, andaj nuk lejohet t’ia kthejë të keqën me të keqe, pra që sharjen e ofendimin t’ia kthejë atij në njëjtën mënyrë.