Allahu thotë: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij.” Tegabun 11.
Allahu na tregon këtu se të gjitha sprovat janë me caktimin dhe me vendimin e Tij. Nuk ka mundësi të ndodhë ndryshe një fatkeqësi në këtë botë veçse me Caktimin e Tij. Alkame (dijetar prej tabiinëve) ka thënë: “Allahu në këtë ajet flet për një njeri i cili goditet nga një fatkeqësi dhe e di se ajo është prej Allahut (nuk hidhërohet), andaj është i kënaqur (me të si Kader i Tij) dhe i dorëzohet kaderit të Tij (ngase e di se është prej Tij).” Besimtari i mirë nuk thotë: “Sikur të veproja kështu e ashtu nuk do të isha goditur nga kjo gjë!”, ngase e di se çdo gjë që e godet është me kaderin e Allahut. Në këtë mënyrë, atij që ka besimin e saktë, i lehtësohet çështja dhe e ka më të lehtë të ballafaqohet me fatkeqësinë.
-“kujtdo që i beson Atij”- që tregohet i durueshëm dhe është i kënaqur me Caktimet e Allahut.
Allahu në këtë ajet sjell kushtin që është besimi në Allahun dhe sjell shpërblimin që është udhëzimi i zemrës. Dhe si ia udhëzon zemrën? Ai në zemrën e tij i vendos besim, dije, dritë dhe largpamësi, ia udhëzon zemrën të tregohet i durueshëm në fatkeqësinë me të cilën është goditur e të mos hidhërohet me kaderin, ia udhëzon zemrën drejt adhurimeve, do të ndjejë prehje e qetësi në zemër etj. Ka mundësi që Allahu për shkak të durimit që tregon besimtari gjatë fatkeqësive, t’ia zëvendësojë atë që ia ka marrë prej çështjeve të kësaj jete me diçka të ngjashme apo më të mirë. Ndërsa, kush hidhërohet me kaderin dhe tregohet i padurueshëm, atëherë Allahu nuk ia udhëzon zemrën atij dhe do të mbetet i përhumbur, në brenga e ankth.
Ibën Abbasi për pjesën “Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij” ka thënë: “Ia udhëzon drejt bindjes dhe ai e di bindshëm se ajo që e ka goditur nuk ka pasur mundësi të mos e godiste dhe ajo që nuk e ka goditur nuk ka pasur mundësi ta godiste.”
Besimi në caktimin e Allahut (kader) sjell si rezultat në zemrën e njeriut qetësi, prehje dhe kënaqësi dhe gjithashtu largon prej tij brengat, shqetësimet e pikëllimet. Kjo sepse me këtë bindje e besim, e di se ajo që e ka goditur nuk ka pasur mundësi të mos e godiste (ka qenë e shkruar) dhe ajo që nuk i ka ardhur nuk ka pasur mundësi t’i vinte. Duke pasur këtë bindje, do të ketë qetësi e rehati shpirtërore. Kështu, ai e di se çdo gjë me të cilën është sprovuar (fatkeqësi a mirësi), i ka ardhur prej Atij i Cili është më i Mëshirshëm për të sesa vetja e vet dhe të gjithë njerëzit. Atë që Allahu e ka caktuar për të, është e mirë, më e mira për të, edhe pse nga pamja e jashtme e sheh të dhimbshme, të lodhshme etj. Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Është e çuditshme çështja e besimtarit! E gjithë çështja e tij është e mirë. Kjo nuk i takon askujt përveçse besimtarit. Kur i vjen një e mirë, është falënderues ndaj Allahut dhe kjo është mirë për të. Kur e godet diçka që e dëmton, është durimtar dhe kjo është mirë për të.”
Besimi është i ndërlidhur me zemrën, ngase kur zemra udhëzohet, atëherë patjetër udhëzohen edhe gjymtyrët e njeriut, siç është hadithi: “Në trup është një copë mishi, nëse ajo përmirësohet atëherë përmirësohet i tërë trupi e nëse ajo prishet, atëherë prishet i tërë trupi. Vini re, ajo copë mishi është zemra.”
Dhe caktimi i Allahut kthehet tek urtësia e Tij. Urtësia e Tij d.m.th.: vendosja e gjërave në vendin e tyre dhe në përputhje me synimet e lavdishme. Allahu është el Hakim – i Urti. Atij i përket drejtësia absolute dhe i mohohet padrejtësia. Çdo gjë që të ka goditur Allahu e ka ditur atë dhe e ka caktuar me urtësinë e Tij, ngase në të ka mirësi për ty. Dhe kjo e detyron njeriun të tregohet i durueshëm dhe i kënaqur me Caktimin e Tij. Nëse tregohesh i durueshëm, atëherë do të kesh shpërblime e të mira të shumta (sepse shpërblimi për të mirën është e mira), Allahu do të të shpërblejë në këtë dunja dhe në ahiret.