Dashuria për Allahun, Profetin dhe besimtarët e devotshëm

0
9
Dashuria për Allahun, Profetin dhe besimtarët e devotshëm
Enesi -radiallahu anhu- tregon:
«Një burrë erdhi te Profeti -alejhi selam- dhe i tha: Kur është ora e Kiametit?
Profeti -alejhi selam- u ngrit, u fal dhe kur mbaroi pyeti: Ku është ai që pyeti për orën e Kiametit?
Burri i tha: Ja ku jam, o i Dërguari i Allahut.
Profeti -alejhi selam- i tha: Çfarë ke përgatitur për të?
Burri sikur u pre dhe i frikësuar i tha: O i Dërguari i Allahut! Nuk kam përgatitur për të shumë namaz dhe agjërim përveçse e dua Allahun dhe Profetin e Tij.
Atëherë Profeti i tha: Njeriu është me atë që do dhe ti je me atë do»
Thotë Enesi: Nuk jemi gëzuar për ndonjë gjë më shumë se gëzimi jonë për fjalën e Profetit -alejhi selam- “Ti je me atë që do”. (Sipas një versioni tjetër: Nuk janë gëzuar myslimanët pas Islamit të tyre për ndonjë gjë më shumë se sa për këtë fjalë).
Enesi pastaj tha: Unë e dua Profetin, Ebu Bekrin dhe Umerin dhe shpresoj për shkak të kësaj dashurie të jem me ta edhe pse nuk kam punuar si punët e tyre!
E transmeton Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu dhe Imam Ahmedi.
♦️Dobitë e përfituara nga ky hadith
1- Allahu i madhëruar dhe Profeti i Tij kanë njoftuar për Kiametin me qëllim që njerëzit të përgatiten për të dhe prandaj Profeti -alejhi selam- i tha burrit: Çfarë ke përgatitur për të?
Nëse robi është i përgatitur për Kiametin i cili përmban gjykimin e krijesave dhe shpërblimin sipas punëve të tyre, atëherë përgatitja e tij për to e bën të panevojshme njohjen ekzakte të orës së saj. E nëse robi nuk përgatitet për to, nuk i bën dobi atij njohja e orës së saj. Prandaj Allahu i madhëruar e ka porositur Profetin e Tij tu thotë njerëzve kur ata e pyesnin për të: Ora e saj është te Zoti.
2- Mësimi me veprime duke u afruar njerëzve shembullin e mirë është metoda më e mirë e davetit sepse Profeti alejhi selam kur deshi ti tregojë burrit se për kiametin duhet përgatitje shkoi u fal vet dhe pastaj i foli.
Kjo metodë ka dy dobi: e para për vet personin që të mos flas atë që nuk e vepron dhe e dyta për pyetësin që ta shohë me sytë e tij çfarë kërkohet prej tij.
3- Dashuria për Allahun, Profetin dhe njerëzit e devotshëm është punë zemrash dhe veprim që ndërmjetëson për njerëzit siç ka ardhur në shumë hadithe profetike.
Kështu njeriu nëse i është përgjigjur thirrjes për në besim dhe e ka ndjekur atë në përgjithësi, Allahu i madhëruar e bën atë dashuri pengesë për dënimin e tij për mangësitë që mund të ketë pasur.

Dr. Abdullah Nabolli

Subscribe