Porosia e një dijetari

Dijetari hanefi Mugaltai, është prej atyre dijetarëve që kanë jetuar në kohën e Shejhut të Islamit Ibn Tejmije -Allahu i mëshroftë të gjithë-.
Ai është takuar me të kur ishte i ri, ndërkohë që fama Shejhut të Islamit Ibn Tejmije, kishte mbuluar Botën Islame dhe ja çfarë ka thënë ai për të!

«Shejhu ynë, Imami që nuk diskutohet në imamllëkun e tij, Tekiudini, Ahmed ibn Abdul-Halim, Ibn Tejmije, fama e të cilit është përhapur në të gjitha rajonet dhe dituria e tij është përhapur në të gjitha vendet, çfarë e bën të panevojshme paraqitjen e statusit të tij.
E kam parë atë në Kajro dhe më ka liçencuar gojarisht në dijet islame. Vajta tek ai për ta përcjellë (kur deshi të udhëtonte) dhe i kërkova të më linte ndonjë këshillë dhe të më bënte ndonjë dua dhe ai atëherë më tha: O djalosh, është transmetuar në librin e Tirmidhiut me zinxhir të saktë se Profeti -alejhi selam- , i ka thënë Ibn Abasit -radiallahu anhu-:
“O djalosh, po të mësoj disa fjalë:
Ruaji kufijtë e Allahut, që të ruaj ty Allahu!
Ruaji kufijtë e Allahut, që ta gjesh Atë përpara teje!
Nëse të nevojitet diçka, kërkoja atë Allahut dhe nëse ke nevojë për ndihmë kërkoja atë Allahut!
Dije se nëse e gjithë njerëzia do të mblidhej së bashku për të të bërë diçka të dobishme, ata nuk do të munden të të bëjnë përveçse diçka që Zoti ta ka shkruar.
Dhe nëse ata do të mblidheshin për të të dëmtuar me diçka, nuk do të munden të të dëmtojnë përveçse me diçka që Zoti ta ka shkruar.
Janë ngritur lapsat dhe janë tharë letrat”».


Mugaltai -Allahu e mëshiroftë- është nga Egjipti dhe ka vdekur në vitin 762 sipas hixhretit.
Ai është me origjinë turke dhe prandaj emri me të cilin është njohur është pak i çuditshëm sepse është llagap turk.
Ai është njohur në fushën e hadithit dhe ka shkruar komentimin e Buhariut, të Ibn Maxhes dhe ka plotësuar një libër të Mizzit në lidhje me transmetuesit e haditheve -Allahu e mëshiroftë-.
Ai është mësuesi i disa dijetarëve pas tij si: Ibn El-Mulekkin, El-Irakij, El-Bulkinij etj.



Ndihma e Zotit duhet për të përmbushur nevojat njerëzore të cilat nuk kryhen veçse me caktimin e Zotit.
Ndërsa mbështetja kërkohet për të mbajtur gjallë shpresën sepse ndihma sipas rregullit të kësaj bote vonohet që të shihet vendosmëria e robit.
Prandaj Shejhu i Islamit zgjedh ti japë këtij djali që është në fillim të jetës së tij një këshillë profetike që ta ketë para syve të tij në çdo kohë.


