
Disa e kanë dritën e kësaj fjale në zemrën e tyre si ndriçimi i diellit; të tjerë si ylli ndriçues; disa si një pishtar i fuqishëm, disa të tjerë si një kandil ndriçues, e disa si një dritë e dobët që mezi rrezaton.
Për këtë arsye, dritat do të shfaqen në Ditën e Gjykimit në të djathtën dhe përpara tyre, sipas masës së dritës që mbartën në zemrat e tyre – në dije, në vepra, në njohje dhe në gjendje shpirtërore.
Sa më e madhe dhe më e fuqishme të jetë kjo dritë, aq më shumë djeg dhe shkatërron dyshimet dhe epshet që i afrohen, sipas shkallës së saj. Në disa raste, mund të arrijë deri në atë pikë, saqë nuk i afrohet asnjë mëkat, dëshirë apo dyshim pa u shkrumbuar menjëherë nga ajo dritë.
Kjo është gjendja e njeriut të sinqertë në teuhid (njëshmërisë së Allahut), i cili nuk i shoqëron Atij asgjë. Çdo mëkat, pasion apo dyshim që i afrohet dritës së këtij teuhidi, digjet e zhduket. Qielli i besimit të tij është i mbrojtur me yje nga çdo hajdut që synon veprat e tij të mira. Hajduti nuk mund të arrijë gjë, veçse në një moment pakujdesie e hutimi – që është pjesë e natyrës njerëzore. Por, sapo ai vetëdijesohet dhe kupton çfarë i është marrë, e rikuperon atë nga hajduti ose e kompenson me shumëfish përmes përpjekjeve të reja. Ai është gjithmonë në një betejë vigjilente me hajdutët e xhindëve dhe njerëzve – ndryshe nga ai që ua ka lënë thesarin hapur dhe u ka kthyer shpinën dyerve të vetëmbrojtjes.”

Fatjon Isufi