A më do mua Allahu?

0
537

Më mundonte shpesh kjo pyetje, ndaj dhe fillova të mendoj seriozisht rreth saj.
Pash se dashurinë e Allahut mund ta arrinë disa kategori njerëzish, të cilët Allahu i ka përmendur në Kuranin Famëlartë.

Nisa t’i shoh edhe njëherë këto kategori, me shpresën se do ta gjeja veten tek ndonjëra prej tyre, e kështu t’i gjej një përgjigje kësaj pyetje që më mundon.
Duke parë në Kuran, gjeta se Allahu i do “të devotshmit”, porse unë nuk guxoj dot të them se jam prej tyre!

Pashë se Ai i do “durimtarët” dhe mu kujtua se sa pak durim që kam!
Gjeta në Kuran se Ai i do “ata që përpiqen”, ndërkohë pash se sa dembel që jam!
Pashë se Ai i donte “bamirësit”, ndërkohë që veten nuk e gjeta dot në mesin e tyre!

Në këtë moment reshta së kërkuari, nga frika se nuk do të gjeja tek vetja ndonjë cilësi të cilën Allahu e do.

Fillova të shihja te veprat e mia dhe gjeta se ato ishin të përziera me dembelizëm, mangësi dhe gjynahe, ndërkohë që mu kujtua fjala e Allahut; “Vërtet Allahu i do ata që pendohen”.

Në këto çaste kuptova se ajo ishte pikërisht për mua e të ngjashmit si unë, ndaj dhe fillova të përsërisja nën zë: Të kërkoj falje o Zot dhe te Ty pendohem, Të kërkoj falje o Zot dhe te Ty pendohem.

Ndoshta me këtë vepër do të mund të hyj te të dashurit e Tij.

Ali Tantavi Allahu e mëshiroftë
Për: Bledar Tefik Haxhiu