Ujite shpirtin tënd me dituri

0
377

Besimi i njeriut është sikurse pema. Për të ekzistuar pema duhet të ujitet. Nëse nuk kujdesesh për të, thahet. Po kështu dhe besimi “ujitet” me dije dhe vepra të mira. Dija dhe vepra janë të pandashme. Ai që merr dije patjetër duhet të punojë me të.

Dija e cila nuk pasohet me vepër, ajo nuk është dije realisht, thjeshtë janë informata me të cilat është pajisur personi. Dija e cila rezulton në vepër, ajo është dije me të cilën e adhuron Allahun dhe Ai është i Kënaqur me ty. K

ryesorja është kryerja e farzeve dhe largimi nga haramet. Kur flasim për obligime (farze) ka shumë. Së pari zbatimi i shtyllave të Islamit (që janë pesë), e pastaj secila prej tyre përfshin edhe vepra vullnetare (p.sh.: përveç namazit farz ka dhe namaz nafile, perveç agjerimit farz ka dhe agjerim nafile). Është mirë që fillestari të fillojë me vepra të pakta e të vazhdueshme.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Veprat më të mira tek Allahu janë ato që janë të vazhdueshme edhe nëse janë të pakta.” Dijetarët përmendin se pse të fillohet me pak vepra, kjo ngase siç thamë secili ka entuziazëm në fillim dhe mundohet të shtojë sa më shumë veprat, e dikur lodhet.

Shejtani ka intriga dhe kurthe të ndryshme me të cilat i afrohet njeriut duke u munduar ta largojë prej veprave të mira. Nëse nuk mund ta ndalë në këtë, atëherë kalon te pika tjetër duke e bërë që sa më shumë të bëjë vepra të mira. Qëllimi i shejtanit në këtë rast është që kur njeriu e ngarkon veten shumë duke mos qenë ende i përgatitur shpirtërisht dhe me besim për t’i përballuar ato vepra në numër shumë, atëherë do të lodhet dhe do t’i braktisë edhe ato pak vepra që i ka bërë më herët. Andaj, duhet vazhduar duke e trajnuar e disiplinuar shpirtin. Dijetarët thonë se shpirti është sikurse fëmija, nëse e ngarkon shumë lodhet, por duhet gradualisht.
Hoxhë Lulzim Perçuku

Subscribe