Si vlerësohen njerëzit?
I dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë:
“O njerëz, Zoti juaj është një! Nuk ka epërsi një arab ndaj një joarabi, as një joarab mbi një arab, as një i kuq mbi një të zi, as një i zi mbi një të kuq, përveçse me devotshmëri. Vërtet, më i nderuari nga ju te Zoti është ai që ka më shumë devotshmëri.
Hadithin e transmeton: Xhabir ibn Abdullahu. Vlerësimi: I saktë, sipas Albanit
Drejtësia ndërmjet njerëzve është një nga parimet më madhore që Islami e ka lartësuar. Nuk ka epërsi askush mbi dikë tjetër, përveçse me vepra të mira dhe devotshmëri.
Në këtë hadith, Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të) tregon se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) mbajti një fjalim gjatë Haxhit të Lamtumirës, në ditët e mesme të teshrikut, ashtu siç është përmendur nga Bejhakiu në “Shuabu-l-Iman”.
Ai tha: “O njerëz, Zoti juaj është një”.
Me këtë, Profeti filloi fjalimin duke i kujtuar sahabët për madhështinë e Allahut të Lartësuar dhe për të mohuar epërsinë e disa njerëzve mbi të tjerët për shkak të origjinës ose gjakut, siç ndodhte në kohët e injorancës. Nëse Zoti është një, atëherë nuk ka asnjë arsye që dikush të pretendojë epërsi përveçse përmes devotshmërisë.
Pastaj tha: “Nuk ka epërsi një arab ndaj një joarabi, as një joarab mbi një arab, as një i kuq mbi një të zi, as një i zi mbi një të kuq, përveçse me devotshmëri”.
Kjo do të thotë që askush nuk ka epërsi ndaj dikujt tjetër përveçse me devotshmëri ndaj Allahut të Lartësuar. Kjo është një thirrje për të gjithë që të lënë krenarinë me origjinën dhe të përpiqen në adhurimin e Allahut.
Ai e përfundoi me fjalët: “Vërtet, më i ndershmi nga ju te Zoti është ai që ka më shumë devotshmëri”.
Kjo do të thotë, më i ndershmi ndër ju është ai që ka më shumë frikë nga Allahu, duke përmbushur urdhrat e Tij dhe duke iu shmangur mëkateve, jo ai që ka shtëpinë më të madhe ose fisin më të madh.
Ky hadith tregon parimin themelor me të cilin njerëzit dallohen: devotshmërinë dhe veprat e mira, duke bërë të qartë se të gjithë njerëzit janë të barabartë përballë ligjit të Allahut.
Përktheu: Fatjon Isufi