Shpërblimi i madh vjen me sprovën e madhe

0
247

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Shpërblimi i madh vjen me sprovën e madhe. Vërtet, kur Allahu e do një popull e sprovon me fatkeqësi. Ai që ndahet i kënaqur, atij i takon kënaqësia e ai që nuk ndahet i kënaqur (zemërohet), atij i takon zemërimi.” Tirmidhiu.

Hadithi na tregon se shpërblimi vjen krahas fatkeqësisë së madhe, sa më e madhe të jetë ajo, edhe shpërblimi është më i madh, mirëpo me kusht që i sprovuari të tregohet i durueshëm dhe të jetë i kënaqur me Caktimin e Allahut. Kështu ai do të shpërblehet në të dy botët. Allahu thotë: “Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij.” Tegabun 11. Konteksti i ajetit është “kujtdo që tregohet i durueshëm”. Pra, ai e di se sprovat janë prej Allahut, beson bindshëm në këtë, andaj dhe Allahu ia udhëzon zemrën. E prej udhëzimit vijnë të gjitha të mirat, në këtë botë dhe tjetrën. Allahu e shpërblen punëmirin me të mira dhe nuk ka mundësi t’i japë shpërblim më pak sesa që e meriton.

Nuk është i njëjtë shpërblimi i atij i cili thumbohet nga një gjemb me të atij të cilit i thyhet koci (ashti), pa dyshim se kjo e dyta është sprovë më e madhe. Andaj, nëse tregohet i durueshëm, edhe shpërblimi për të do të jetë më i madh. Kjo tregon për përsosmërinë e drejtësisë së Allahut, i Cili nuk i bën padrejtësi askujt.

Pejgamberi salAllahu alejhi ue selem ka thënë: “Nëse Allahu e ka shkruar për robin e tij të jetë në një shkallë/pozitë të lartë në xhenet, por që nuk e arrin me veprat e tij, atëherë i dërgon sprova në trupin e tij, apo në fëmijët e tij, apo në pasurinë e tij, pastaj ia mundëson të tregohet i durueshëm, derisa ta arrijë atë pozitë.” Buhariu dhe Ebu Daudi. Pra, kështu kuptojmë se “Shpërblimi i madh vjen me sprovën e madhe”,

do të thotë atëherë kur njeriu tregohet i durueshëm dhe shpreson në shpërblimin e Allahut.

-“Vërtet, kur Allahu e do një popull e sprovon me fatkeqësi”- e sprovon duke caktuar për ta fatkeqësi, si: sëmundje, humbje të një familjari, apo të familjes, apo pakësim të pasurisë, apo vështirësi të shumta gjatë jetës etj. Dikujt prej njerëzve i vijnë fatkeqësitë vazhdimisht, kurrë nuk i ndalen, dhe nëse ai është besimtar i mirë dhe tregohet i durueshëm, atëherë (ky sprovim i vazhdueshëm) është shenjë e mirë për të ngase kur Allahu e do dikë, apo i do disa njerëz, apo një popull, atëherë i sprovon.

Kuptimi i hadithit është se nëse Allahu nuk e sprovon personin, atëherë kjo ka mundësi të mos jetë shenjë e mirë për të (është rrezik të kalojë në ahiret i mbushur me mëkate dhe të dënohet për to).

Përveç këtyre sprovave, janë edhe sprovat në rrugë të Allahut. Allahu thotë: “Në të vërtetë, Ne ta kemi shpallur Kuranin ty hap pas hapi. Prandaj ki durim për vendimin e Zotit tënd…” Insan 23-

 Këtu Allahu tregon se ajo që i ka ardhur Pejgamberit salAllahu alejhi ue selem është nimet- mirësi, mirëpo kërkohet durim, prej tij dhe prej pasueseve të tij, durim në kryerjen e adhurimeve dhe në largimin prej ndalesave. Andaj, prej llojeve të durimit me të cilin duhet të pajiset muslimani është edhe durimi në largimin prej ndalesave.

Në këtë hadith (të temës) tregohet se sprovat i godasin ata njerëz të cilët i do Allahu. Përderisa njerëzit të cilët Allahu i ka dashur më së shumti kanë qenë Pejgamberët, andaj dhe i ka sprovuar me sprovat më të mëdha. Kjo me qëllim që Allahu t’ua japë shpërblimin më të madh dhe të jenë model për të tjerët (shembuj për durimin).4

 Një qëllim tjetër pse Allahu i ka sprovuar Pejgamberët është të dijë njerëzimi se ata thjeshtë janë njerëz, janë krijesa, janë sikurse pjesa tjetër e njerëzve të cilët i godasin sprovat e fatkeqësitë. Andaj, nuk lejohet të adhurohen krahas Allahut, por vetëm Allahu duhet të adhurohet. Kur njeriu e di se Pejgamberët apo të tjerët, goditen me fatkeqësi, dhe se askush nuk ka mundësi t’ia largojë ato përveç Allahut, atëherë do ta dijë se ata përderisa për veten e tyre nuk mund

Mund të lindë pyetja: “Si ka mundësi që Allahu dikë edhe ta dojë edhe t’i dërgojë fatkeqësi?” Dhe kësaj pyetje më së miri i është përgjigjur ibën Tejmije (Allahu e mëshiroftë!) duke thënë se Allahu i sprovon sepse:

-dëshiron t’i pastrojë përmes tyre prej mëkateve,5

-besimtari sa herë që goditet me fatkeqësi ai i shton veprat e mira6 dhe përmes tyre i shtohen shkallët në xhenet,

– këto sprova e shtyjnë besimtarin e mirë të kthehet me pendim të sinqertë tek Allahu,

-dhe e shtyjnë shtojë lutjen me përgjërim tek Allahu.

Dhe thotë: “Përderisa këto dhunti kaq të mëdha vijnë si rezultat i fatkeqësive, atëherë njerëzit më parësor për t’i merituar ato janë dashurit e Allahut. Kur u vijnë këto mirësi e kanë për detyrë ta falënderojnë Atë (dhe ky është nivel i lartë).” Kështu e kuptuam se pse Allahu i sprovon të dashurit e Tij, ngase në sprova përfshihen mirësitë më madhështore të cilat Allahu ia jep robit të Tij.

-“Ai që ndahet i kënaqur, atij i takon kënaqësia”- i takon kënaqësia e Allahut. Ky është shpërblim i madh për njeriun, një mirësi e madhe. Shpërblim tjetër është se Allahu i bën edhe të tjerët të jenë të kënaqur me të (kur Ai është i kënaqur me të).

Kur besimtarit i vjen sprova prej Allahut, ai del prej saj më mirë sesa që ishte para saj, tani shton veprat e mira. Ndërsa, ai që ka besim të dobët apo hipokriti, pas sprovës kanë gjendje më të keqe sesa që kishin para saj.

-“Ai që ndahet i kënaqur”- Qëllimi i kënaqjes me fatkeqësinë (kur i ndodh ajo) është si Caktim i Allahut, si Vepër e Tij, dhe kjo është obligim, të mos e kundërshtojë atë, të mos hidhërohet e të mos e urrejë atë.

Kur njeriu ndjen dhimbje në trupin e tij kjo nuk e kundërshton të kënaqurit me Caktimin e Allahut. Shumë njerëz rënkojnë për shkak të vështirësisë së sëmundjes, mirëpo ndërkohë zemrat e tyre janë të mbushura me kënaqësi ndaj Allahut. Nëse dikush është i kënaqur me Caktimin e Allahut kjo nuk do të thotë që ai të mos ndjejë dhimbje.

-“…e ai që nuk ndahet i kënaqur (zemërohet), atij i takon zemërimi”- i takon zemërimi i Allahut, atij që zemërohet me sprovat si Caktim i Allahut, si Vepër e Tij, e urren Caktimin e Tij. Kur njeriu është i zemëruar me Caktimin e Allahut apo e urren, kjo është prej mëkateve më të mëdha. Ndërsa, të jesh i kënaqur me Caktimin e Allahut kur ai të godet ty (si e vepruar, e gjykuar dhe e ndodhur tek ti), kjo është e pëlqyer.

Besimtari duhet që çështjen e tij t’ia dorëzojë Allahut, se Ai e di pse e ka caktuar një gjë për të. Në të fshihen urtësi dhe Allahu ka dashur të tregojë mëshirë për të. Kështu duhet të ketë mendim të mirë për Allahun, pastaj të shpresojë në shpërblimin e Tij. Nëse gjendja e besimtarit është e këtillë, atëherë kjo do t’i sjellë rehati dhe prehje shpirtërore. Ndërsa, kur njeriu zemërohet me caktimin e Allahut dhe ka dyshime se a ka urtësi aty apo jo, atëherë atë do ta shoqërojnë brengat e ankthet dhe nuk do të ketë rehati shpirtërore.

Nëse njeriu goditet me sprova e fatkeqësi nga të gjitha anët, si provim për të, duhet të bëjë durim dhe të kërkojë ndihmën e Allahut. Të mos mjaftohet vetëm me durimin. Kur Jakubi alejhi ue selem e ka kuptuar se çfarë kanë vepruar bijtë e tij me Jusufin alejhi ue selem, ka thënë: “Por, durim! Allahut i kërkoj ndihmë kundër asaj që po tregoni ju”. Jusuf, ajeti 18.

Subscribe