Si të bie në sexhde, me duar apo me gjunjë?

0
2085

Rënia në sexhde, me duar apo me gjunjë?

Në lidhje me këtë çështje kanë ardhur dy hadithe me përmbajtje të kundërt me njëri-tjetrin:
1- Hadithi i Uail bin Huxhr i cili thotë: “E kam parë profetin -alejhi selam- kur binte në sexhde vinte gjunjët para duarve” E transmeton Ebu Daudi Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxhe.
2- Hadithi i Ebu Hurejrës i cili tregon se profeti -alejhi selam- ka thënë: “Kur dikush prej jush të bjerë në sexhde, të mos ulet si deveja por të vejë duart para gjunjëve” e transmeton Ebu Daudi, Nesaiu dhe Darimiu.

Mendimet e dijetarëve në lidhje me saktësimin e këtyre haditheve.
Disa prej tyre si psh: imam Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- ka marrë për bazë hadithin e parë dhe e ka konsideruar hadithin e dytë si gabim në transmetim kur thotë: “Hadithi i dytë i është ngatërruar transmetuesit dhe se origjina e tij është “Të vejë gjunjët para duarve”.
Kurse disa të tjerë kanë marrë për bazë hadithin e dytë duke hedhur poshtë hadithin e parë sepse hadithi i dytë ka zinxhirin e tij të transmetimit të saktë kurse i pari ka në zinxhirin e tij të transmetimit një burrë që quhet Sherik ibn Abdilah El-Kadij dhe ai është i dobët në memorizimin e haditheve prandaj ai nuk merret për argument kur është vetëm e aq më tepër kur kundërshton të tjerët.
Hafiz Ibn Haxheri thotë: Hadithi i Ebu Hurejrës i cili tregon për vënien e duarve para gjunjëve është më i fortë se hadithi i Uail bin Huxhr dhe këtë gjë e ka përmendur edhe dijetari Abdul-Hak El-Ishbilij.
Këtë gjë që thotë hafiz Ibn Haxheri e thotë edhe sheikh Albani –Allahu e mëshiroftë- se shkencëtarët e hadithit saktësojnë hadithin e Ebu Hurejrës dhe tani që saktësuam hadithin e dytë le të themi diçka rreth kuptimit të tij.

Si duhet kuptuar hadithi i Ebu Hurejrës -radiallahu anhu-?
Ibn El-Kajimi –Allahu e mëshiroftë- i cili siç e thamë më lartë përkrah dobësimin e hadithit të Ebu Hurejrës sepse ai bie në kundërshtim me veten e tij prandaj dhe thotë: Ndalimi nga ulja si ulja e devesë rezulton prej tij që njeriu të vejë dy gjunjët para duarve.
Sheikh Albani –Allahu e mëshiroftë- tregon për shkakun që ka shtyrë Ibn El-Kajimin të thotë këtë gjë: Shkaku i gjithë kësaj është se ai nuk ka arritur të kuptojë atë që thonë dijetarët e gjuhës si Feiruzabadij e të tjerë se gjunjët e devesë janë në duart e tij të përparme.
Prandaj dhe Tahauij në librin Sherh Meanij El-Athar thotë: “Deveja i ka gjunjët në duar dhe kështu është te të gjitha kafshët, ndërsa bijtë e Ademit nuk janë të tillë prandaj dhe profeti -alejhi selam- ka thënë: të mos ulet njeriu në gjunjët e tij që i ka në këmbë siç ulet deveja në gjunjët e saj që i ka në duar por të vejë në fillim duart e tij të cilat nuk kanë gjunjë pastaj të vejë gjunjët dhe kështu veprimi i tij është ndryshe nga veprimi i devesë”.
Këtë kuptim e përkrah edhe një hadith tjetër nga Ibn Omeri -radiallahu anhu- i cili thotë: “Profeti -alejhi selam- vente duart mbi tokë para gjunjëve” e transmeton Darakutnij dhe Hakimi duke e saktësuar dhe pajtohet me të imam Dhehebiu.
Dhe përkrahet gjithashtu edhe nga një thënie e imam El-Euzaij –Allahu e mëshiroftë- që tregon se vënia e duarve para gjunjëve ka qenë e njohur në kohën e tabiinëve dhe thotë: “I kam gjetur njerëzit duke vënë duart para gjunjëve (në sexhde)”.
Ibn Ebij Daud thotë: Ky është mendimi i pasuesve të hadithit.