Çfarë gjykimi ka salavati për Profetin alejhi selam, pas namazit dhe fjala: Subhane rabike, rabil izeti ama jesifun ue selamun alal murselin… ?
Përgjigjja:
Dhikri me xhemat pas namazit nuk është nga rruga dhe suneti i Profetit alejhi selam, por është më pranë bidatit, sidoqoftë me fjalët që përmenden në pyetje apo me fjalët ‘subhanallah’, ‘elhamdulilah’ dhe ‘Allahu ekber’, pra nuk lejohen këto dhe as leximi i Kuranit me xhemat pas namazit. Argumentet për këtë janë:
Argumenti i parë:
Nuk është përcjelluar asgjë nga Profeti alejhi selam dhe as nga sahabët e tij të nderuar që të bëhet dhikri me xhemat pas namazit dhe as fjala ‘Subhane rabike, rabil izeti ama jesifun ue selamun alal murselin… ‘. Në librat e haditheve janë përcjellur llojet e dhikrave që bëhen pas namazit dhe në asnjë prej tyre nuk është përcjellur salavi për Profetin alejhi selam dhe as leximi i këtij ajeti kuranor ‘Subhane rabike, rabil izeti ama jesifun ue selamun alal murselin…’
Argumenti i dytë:
Dhikrin me xhemat dhe me zë pas namazit nuk e ka vepruar asnjëherë Profeti alejhi selam dhe as sahabët e tij. Ka thënë imam Shatibiu në lidhje me këtë: “Nëse kjo gjë do të ishte e vërtetë, atëherë do ta mësonin dhe vepronin të parët tanë, e nuk ka në Kuran dhe as në Sunet që të bëhet dhikri me zë pas namazit në këtë mënyrë, e Zoti ynë ka thënë: “ Luteni Zotin tuaj me përulësi dhe fshehtësi (zë të ulur) dhe Ai nuk i do mu’tedinët.” Mu’tedinët janë: ata që ngrejnë zërin me dua.
Gjithashtu përcillet nga Ebu Musa se ka thënë: Isha në udhëtim bashkë me Profetin alejhi selam, ndërkohë njerëzit filluan të bëjnë tekbir me zë të ngritur, atëherë Profeti alejhi selam tha: ‘ O njerëz, ngadalë, ju nuk po lutni të shurdhërin dhe as të munguarin, por po lusni Dëgjues që është afër dhe me ju.”. Ky hadith shpjegon në mënyrë të qartë ajetin e mësipërm. (El I’tisam: 2/108)
Argumenti i tretë:
Angazhimi me këtë bidat do të shpjerë në lënien e asaj vepre që është sunet dhe qëllimi me veprën sunet këtu është mënyra e dhikrit që bënte Profeti alejhi selam pas namazit. Shpesh ndodh që kur falësi i namazit e bën dhikrin e namazit bashkë me imamin me zë, ai mendon se e ka plotësuar sunetin, pra bërjen e plotë të dhikrit, por në realitet ai ka lënë një pjesë të mirë të dhikrit që përmban shpërblime të mëdha. Hasan bin Atije ka thënë një fjalë të drejtë: “ Sa herë që një popull shpik një bidat, Allahu u largon atyre një sunet me të njëjtën masë që nuk ua risjell atyre deri në Ditën e Kiametit.” (Darimiu në “Es sunen”: 1/231).