Problemi i njerëzve me dy fytyra
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) tha: “Ndër njerëzit më të këqij do ti gjeni ata me dy fytyra.” Çfarë është një person me dy fytyra? Është ai që paraqitet me një fytyrë për njërën palë dhe me një fytyrë tjetër për palën tjetër. Sherri i këtij njeriu është shumë i madh, sepse një person i tillë vjen tek dikush me pamjen e një miku dhe këshilluesi të mirë, ndërkohë që zemra e tij përmban qëllime të kundërta.
Ai vepron si ndërmjetës për të pajtuar dy persona, por në të vërtetë punon për të forcuar përçarjen dhe armiqësinë mes tyre. Dëmi i tij ndaj njerëzve është shumë i madh dhe përbën një të keqe të jashtëzakonshme. Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) tha: “Ndër njerëzit më të këqij do ti gjeni ata me dy fytyra, që vijnë tek një palë me një fytyrë dhe tek pala tjetër me një fytyrë tjetër.”
Për shembull, ky person mund të shkojë tek dikush dhe ta lavdërojë, por kur largohet dhe takon dikë tjetër, fillon ta përgojojë atë. Ai përdor këtë mënyrë sjelljeje, duke pasur një fytyrë të dukshme dhe një tjetër të fshehur, për të përhapur përçarje dhe armiqësi midis njerëzve. Kjo është veçoria e një thashethemexhi. Profeti (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Thashethemexhiu nuk do të hyjë në xhenet.” Kjo është një sjellje e rrezikshme për shoqërinë dhe dëmi që shkakton është i madh.
Këtë e përmendi Profeti (paqja qoftë mbi të) kur foli për faktin se njerëzit janë si mineralet; disa prej tyre kanë natyrë të mirë dhe të ndershme, gjithmonë kërkojnë të mirën, edhe kur ishin në periudhën e injorancës (para Islamit). Edhe pse nuk ishin myslimanë, ata ende dëshironin të nderonin njerëzit, ishin mikpritës dhe kërkonin të bënin të mira, si ndihma për të tjerët. Nga ana tjetër, disa njerëz kanë natyrë të keqe, edhe pse janë myslimanë por që Islami i tyre është i dobët ata kërkojnë të keqen, kërkojnë përhapjen e armiqësive, siç u përmend për personin me dy fytyra, i cili përhap armiqësi dhe urrejtje midis njerëzve.
Siç u tha më parë, njerëzit janë si mineralet; disa kanë natyrë të mirë, ndërsa të tjerët kanë natyrë të keqe. Kushdo që ka një natyrë të mire dhe para Islamit, ka bërë vepra të mira dhe pastaj pranon Islamin si fe dhe pas kësaj merr dije në fe, ai me këtë do të bashkojë për vete të mira të shumta. Nga ana tjetër, personi më i keq është ai që Profeti (paqja qoftë mbi të) e përshkroi si “person me dy fytyra.” i cili ka natyrë të keqe dhe nuk ka asnjë shqetësim tjetër përveçse t’u afrohet njerëzve me fytyra të ndryshme, dhe nga kjo sjellje burojnë shumë të këqija dhe dëme të mëdha, të cilat vetëm Zoti i di.
Shejh Abdurrezak el Bedr
Përshtati: Fatjon Isufi