Për ata që përgojojnë të tjerët

0
396

Ibn Tejmije (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Ka prej njerëzve që i përgojojnë të tjerët për t’ua bërë qejfin atyre me të cilët është ulur, apo shokëve, apo farefisit, edhe pse e di se personi i përgojuar është i pastër nga ajo që thonë për të, apo i ka disa prej atyre gjërave.

Megjithatë, ai e di se nëse i qorton për një gjë të tillë, ndeja do të ndërpritet, të pranishmit do ta konsideronin si njeri monoton dhe do të irritoheshin prej tij. Kështu, ai mendon se pajtimi me veprimin e tyre është prej sjelljes dhe shoqërimit të mirë. Disa të tjerë, përgojimit i japin kahje të llojllojshme; në disa raste i japin kahje fetare dhe përmirësuese.

Për shembull thotë: “Nuk e kam shprehi ta përmendi askënd, veçse për të mirë, dhe unë nuk e dua përgojimin e as gënjeshtrën, mirëpo vetëm po ju tregoj për gjendjen e tij.” Pastaj thotë: “Betohem në Allahun, ai është njeri i ngratë, apo njeri i mirë, mirëpo e ka këtë e atë.” Apo ndoshta thotë: “Mos na e përmendni, Allahu na faltë neve dhe atë!”, mirëpo qëllimi i tij është ta nënçmojë dhe t’ia ulë pozitën. Kësisoj, këta njerëz, përgojimit i japin kahje përmirësuese e fetare, duke u munduar ta mashtrojnë Allahun nëpërmjet kësaj, ashtu siç e mashtrojnë krijesën. Disa të tjerë përgojimit i japin kahje të talljes e të dëfrimit, në mënyrë që t’i bëjnë të qeshin të tjerët nëpërmjet talljes ndaj atij që e përgojojnë, apo imitimit, apo nënçmimit. Disa të tjerë përgojimit i japin kahje të çuditjes.

Për shembull thotë: “Çuditem me filanin se si nuk e bën këtë e atë!”, apo: “Çuditem me filanin se si ka rënë në këtë e atë vepër”, kështu përgojimin e bëjnë duke i dhënë ngjyrë çudie.

Disa të tjerë përgojimit i japin kahje të zemërimit dhe ndalimit të së keqes. Në këtë sferë shfaqen gjëra të ndryshme prej thënieve të zbukuruara, mirëpo qëllimi i tij është tjetër nga ajo që e shfaqë. Nga Allahu kërkojmë ndihmë!” “Mexhmu’ul-Fetaua”.

Subscribe