Zemra e pastër

0
224

Origjina e qëndrueshmërisë është në zemër

Imam Ahmedi përcjellë nga Enes bin Maliku se Profeti salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Besimi i njeriut nuk mund të jetë i qëndrueshëm derisa të bëhet e qëndrueshme zemra e tij.” 1 Musnedi (13048). Albani e vlerësuar si të mirë në “Es-Sahiha” (2841).

Pra, origjina e qëndrueshmërisë është në zemër, andaj, kur zemra përmirësohet e bëhet e qëndrueshme, ndiqet edhe nga trupi.

Ibën Rexhebi (Allahu e mëshiroftë) shkruan: “Origjina e qëndrueshmërisë është në qëndrimin e patundur të zemrës në teuhid. Ashtu siç e komentuan Ebu Bekri dhe të tjerët ajetin: “Pa dyshim, ata që thonë: “Zoti ynë është Allahu!” dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë…” duke thënë se “ata nuk i drejtohen dikujt tjetër përveç Allahut.”

Andaj, kur zemra të qëndrojë e paluhatshme në njohjen e Allahut, në frikë ndaj Tij, në madhërim të Tij, në dashuri ndaj Tij, në dëshirim për Të, në shpresë në Të, në lutje drejtuar Atij, në mbështetje në Të dhe në shmangie nga çdo gjë tjetër përveç Tij, edhe gjymtyrët do të jenë të qëndrueshme në bindje ndaj Allahut. Zemra është mbreti i gjymtyrëve, ndërsa ato janë ushtarët e saj, andaj, nëse mbreti është i qëndrueshëm, edhe ushtarët dhe populli do të jenë të tillë.” Xhamiul-ulumi uel-hikem, (fq. 386).

Në dy Sahihët  Buhariu, nr. 52 dhe Muslimi, nr.1599 përcillet se Numan bin Beshiri (radijallahu anhu) e ka dëgjuar Profetin (salallahu alejhi ue selem) duke thënë: “Vërtet, në trup është një copë mishi, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi në tërësi do të jetë shëndosh. E nëse ajo prishet, edhe trupi në tërësi do prishet. Vini re! Ajo (copë mishi) është zemra.”

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë) në hyrjen e librit të tij “Igathetul-lehfan min mesaidish-shejtan” shkruan: “Zemra në raport me gjymtyrët është si një mbret që komandon ushtarët, të cilët nuk dalin jashtë urdhrave të tij dhe të cilët i përdor si të dojë. Të gjithë janë nën robërinë dhe detyrimin/shtrëngimin e tij; nga ai e marrin qëndresën e thyerjen. Atë e ndjekin si në vendimet që i ekzekuton po ashtu edhe në ato që tërhiqet prej tyre. Profeti (salallahu alejhi ue selem) thotë: “Vërtet, në trup është një copë mishi, e cila nëse është e shëndoshë, edhe trupi në tërësi do të jetë shëndosh. Vini re! Ajo (copë mishi) është zemra.” Kështu, zemra është mbreti i gjymtyrëve, ndërkaq gjymtyrët ekzekutojnë urdhrin e saj dhe pranojnë dhuratën që vjen nga ajo. Asnjë vepër e tyre nuk është e drejtë nëse nuk rrjedh nga qëllimi dhe nijeti i saj. Ndërkohë që ajo është përgjegjëse për to (gjymtyrët).”

Për këtë arsye Allahu i Lartësuar thotë:

“Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Esh-Shu’ara, 88-89).

Gjithashtu prej lutjeve të Profetit tonë (salallahu alejhi ue selem) ishte: “O Allah, kërkoj prej Teje zemër të pastër!” Ahmedi (17114) dhe Nesaiu (104). Shih veprën Es-Sahiha (2328).

Dr. AbduRrezzak ibn Abdulmuhsin El BEDR